LAJMI I FUNDIT:

Drejtues të lartë të BE-së në Turqi më 23 prill për çështjen e migrantëve

Drejtues të lartë të BE-së në Turqi më 23 prill për çështjen e migrantëve

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel do të zhvillojnë një vizitë zyrtare më 23 prill në Turqi, në fokus të bisedimeve monitorimi i marrëveshjes së arritur më 18 mars BE-Turqi për çështjen e migrantëve, bënë sot të ditur disa burime.

Kjo vizitë është parashikuar të zhvillohet në qytetin Gaziantep (jug të Turqisë), njoftoi Këshilli Evropian në axhendën e përjavshme të Tusk-ut. Por detaje të programit të bisedimeve nuk bëhen ende të ditura, njoftuan burime evropiane. Zëdhënësi i qeverisë gjermane konfirmoi pjesëmarrjen e Merkel.

Gaziantep shtrihet rreth pesëdhjetë kilometra nga Kilis, ku autoritetet turke kishin njoftuar fillimisht vizitën e liderëve evropianë sëbashku me Merkel më 16 prill, për inagurimin e një kompleksi banimi për refugjatët. Vizita në këtë datë u anulua nga axhenda e takimeve.


Udhëkalimi nga Kilis, një qytet që shtrihet në kufirin sirian, mbetet një mundësi e mirë për kryerjen e vizitës më 23 prill, njoftoi një burim evropian.