LAJMI I FUNDIT:

A i motivoi funksionarët e Maqedonisë fushata për fëmijë të tretë? Ja sa fëmijë kanë ata

A i motivoi funksionarët e Maqedonisë fushata për fëmijë të tretë? Ja sa fëmijë kanë ata

Fushatë mediatike për familje me shumë fëmijë, subvencione për vjersha dhe autorë që i promovojnë vlerat familjare, kompensim shtetëror për fëmijën e tretë.

Prej vitit 2008, nëpërmjet një sërë ndryshimesh ligjore, qeveria filloi të zbatojë politika për stimulimin dhe mbështetjen e familjeve me shumë fëmijë, për ta rritur natalitetin, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Mirëpo, hulumtimi i ri me titull “Kij fëmijë të tretë – analizë e përfitimeve dhe shpenzimeve nga masa sociale – shtesë prindërore për fëmijën e tretë”, jo vetëm që zbulon se efekti përfundimtar nga kjo masë është negativ, por edhe qëllimi përfundimtar – rritja e natalitetit nuk është arritur.

Fushatë, subvencione, vjersha – cilat janë efektet mbi natalitetin?


Kryeministri i ri teknik, Emil Dimitriev, sipas të dhënave të publikuara, si pjesë e biografisë së tij, është baba i dy fëmijëve. Në kabinetin aktual qeveritar në gishtat e një dore mund të numërohen ministrat që kanë më shumë se dy fëmijë. Njëri prej tyre është ministri për mjedis jetësor, Nurhan Izairi, i cili është baba i tre fëmijëve, njësoj sikurse dhe zëvendëskryeminitri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski. Baba i tre fëmijëve është edhe ministri pa resor, Nexhdet Mustafa.

Nga anëtarët e dalluar aktualë të VMRO-DPMNE-së, tre fëmijë ka edhe deputeti Vlladimir Gjorçev. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski është baba i dy fëmijëve, ndërsa ish-ministri për transport dhe lidhje, Mile Janakievski e zgjeron familjen edhe për një fëmijë. Nga funksionarët e mëparshëm, baba i katër fëmijëve është edhe njëri nga ish-kryeministrat, Vllado Buçkovski. Ministri për financa, Zoran Stavreski është baba i një fëmije, njësoj sikurse ministri për shëndetësi, Nikolla Todorov.

Një fëmijë ka edhe zëvendës-kryetari i qeverisë i angazhuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. E këtillë është gjendja në qeveri që nga viti 2008, kur ajo filloi ta realizojë fushatën për familje me shumë fëmijë, e pastaj nëpërmjet një sërë ndryshimesh ligjore u siguruan subvencione shtetërore për familje me shumë fëmijë, e poashtu u dhanë para edhe për krjimin e vjershave që i promovojnë vlerat familjare.

Sipas hulumtimit që e bëri Instituti ZIP, në organizim të “Finance- think“, nataliteti në vend është duke rënë. Kështu, të dhënat nga analiza tregojnë se në periudhën prej vitit 2002 deri në vitin 2009 përqindjet e rritjes natyrore fertalitetit (numrit të fëmijëve që lindin në periudhën reproduktive) vazhdimisht zvogëlohen në llogari të pjesëmarrjes më të madhe të popullatës së vjetër në strukturën e përgjithshme të popullatës. Që ta stimulojë natalitetin, qeveria publikoi një pako të subvencioneve shtetërore.

“U fut ndihma financiare në formë të shtesës prindërore për fëmijën e dytë në lartësi prej 5.000 denarësh në muaj, gjegjësisht 30% të rrogës mesatare në vend. Ndihmën në para për fëmijën e dytë, familjet duheshte ta marrin çdo muaj në kohëzjatje prej 9 muajsh, ndërsa për fëmijën e tretë në lartësi prej 8.250 denarësh në muaj, gjegjësisht 50% të rrogës mesatare. U vendos që ndihmën në para familjet ta marrin çdo muaj në kohëzgjatje prej 10 vitesh dhe për fëmijën e katërt në lartësi prej 11.550 denarësh në muaj, gjegjësisht 70% të rrogës mesatare, të cilën familjet do ta merrnin çdo muaj në kohëzgjatje prej 15 vitesh. Shtesa fëmijërore ishte paraparë të paguhet prej 1 janarit të vitit 2009 për nënat, në rastet e jashtëzakonshme për baballarët ose kujdestarët e fëmijët që kanë lindur të gjallë pas datës së lartëpërmendur, të cilët jetojnë së paku tre vite në komunat ku rritja natyrore e popullatës është nën 2,1 për mijë”, thuhet në hulumtimin i cili thekson se zgjidhja e fundit u anulua nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe shtohet:

“Ministria për Punë dhe Politikë Sociale vendosi ta implementojë masën me atë që të drejtë për shtesë prindërore do të realizonin nënat që kanë lindur fëmijë të tretë dhe të katërt në territorin e gjithë vendit në vlerën e paraparë. Prej 12 prillit të vitit 2010 hiqet shtesa prindërore për fëmijën e katërt të lindur dhe mbetet në fuqi vetëm shtesa për fëmijën e tretë”

Аnaliza tregon se përqindja e rritjes natyrore të popullatës në disa vitet e kaluara zvogëlohet, kështu që në vitin 2010 ajo ka qenë 2,5%, ndërsa në vitin 2014 ka qenë 1,5%. Hulumtimi tregon se në këtë periudhë ka rritje të vogël të numrit të fëmijëve të parë të lindur, njësoj sikurse të numrit të fëmijës së tretë, ndërsa në vitin 2014 ka rënie të numrit të fëmijëve të dytë në krahasim me vitin 2010.

“Ajo që mbetet e paqartë janë shkaqet e heqjes së shtesës prindërore për fëmijën e dytë dhe të katërt, si dhe qëllimi kryesor dhe rezultatet e pritura nga implementimi i mëtutjeshëm i politikës. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të fëmijëve të tretë, ngarkesa e buxhetit pritet të shtohet me intensitet të njëjtë dhe mbetet pyetja a do të ketë mundësi financiare që të vazhdohet me implementimin e masës së definuar në këto kushte. Rekomandimi është të ridefinohet grupi i synuar dhe të punohet në programin për stimulimin e lindjes së fëmijës së parë dhe të dytë, që nuk është e thënë të nënkuptojë kompensim të drejtpërdrejtë financiar”, përfundohet në rekomandim dhe shtohet:

“Prej vitit 2011 deri në vitin 2014 përqindja e rritjes natyrore është më e vogël madje edhe se në vitin 2006, kur ka qenë 1.9. Indikatorët e këtillë bëjnë me dije se efekti i masës nuk përkon me qëllimin e përcaktuar, gjegjësisht rritja e numrit të fëmijëve të tretë nuk është e mjaftueshme për ta kompensuar mungesën e fëmijëve të parë dhe të dytë të lindur në numrin e përgjithshëm të fëmijëve që kanë lindur të gjallë”.

Deri në fund të vitit 2015 në vend ka pasur 20.581 prindër – shfrytëzues të shtesës prindërore për fëmijën e tretë, dhe ky numër në krahasim me vitin 2009 është rritur për 18.683 shfrytëzues të rinj./Telegrafi/