LAJMI I FUNDIT:

Filmi ‘FJALA’ e dha fjalën para publikut shqiptar (Foto)

Filmi ‘FJALA’ e dha fjalën para publikut shqiptar (Foto)

Publiku shqiptar në Maqedoni të enjten në mbrëmje në Kinotekën e Maqedonisë pati rastin ta shoh premierën e filmit ‘FJALA’ nga regjisori Arsim Fazliu, njofton Telegrafi Maqedoni.

Filmi në fjalë mblodhi qindra njerëz në sallën e Kinotekës dhe u prit në mënyrë të jashtëzakonshme nga artdashësit edhe artistët tjerë. ‘FJALA’ bazohet në histori të vërtetë duke u përpjekur të përçoj mesazhin e saj si reflektim i realitetit dhe mentalitetit të shoqërisë ku po jetojmë. Gjithçka fillon nga fjala. Edhe e mira edhe e keqja fillojnë nga fjala. Vrasjet dhe konfliket në forma të ndryshme kanë ndodhur pikërisht si rezultat i fjalës dhe në mungesë të një fjale të vetme, ‘Më fal’.

Regjisori Arsim Fazliu ekskluzivisht për Telegrafi Maqedoni, thotë se zanafilla e filmit është te fjala dhe zgjidhja e vetme e problemeve (në këtë rast duke u bazuar te filmi) është ‘Më fal’, ku shumë pak njerëz i’a dinë vlerën.


‘Inspirimin për ta shkruar këtë skenar dhe më pas për ta realizuar si film është nga rrethi ku jetojmë, ku fatkeqësisht kanë ndodhur vrasje ndërmjetë dy apo më tepër personave dhe kur është bërë hetimi për zbardhjen e rasteve, në të gjitha rastet pothuajse, zanafillën e kanë te një fjalë, te një ofendim.Pikërisht ky ka qenë pikë referimi im i parë, pastaj e kam kërkuar në kokën time se cilia mund të jetë zgjidhja dhe përsëri më doli një fjalë, ‘MË FAL’ , të cilës shumë pak njerëz i’a dinë vlerën’, theksoi regjisori Fazliu.

‘Fjala nuk ka kocka por thyen kocka’; ‘Sa njerëz vdesin në mungesë të fjalës ‘Më fal’;, ishin disa nga komentet e publikut pas premierës së filmit.

Ky film u përgatit nga produksioni ‘Sejvi Production’. Regjia dhe skenari janë nga Arsim Fazliu. Në rolet kryesore: Muzafer Etemi, Vjollca Bekteshi, Blerim Ismani, Dritero Ame, Bekim Smajli, Jetmir Arifi. Producent: Muzafer Etemi, kurse drejtor fotografie është Latif Hasolli.

Ky film është i metrazhit të shkurtër dhe është mbështetur nga Agjencia e fondit të filmit të Republikës së Maqedonisë. /Telegrafi/

Filmi FJALA ekipi