LAJMI I FUNDIT:

Mjekra si emancipim burrnor

Mjekra si emancipim burrnor

Pas gjenitaleve, mjekra është sinjali i dytë fizik më i dukshëm që dallon femrën nga mashkulli.

Kanë qarkulluar teori të ndryshme në lidhje me funksionin që ka luajtur mjekra gjatë evolucionit njerëzor. Sipas njërës prej tyre, që ka hapur debate të forta për shkak të të metave të saj logjike, mjekra ka funksionin e një shalli natyror që mbron zonën delikate të fytit. Për mashkullin gjuetar, të ekspozuar ndaj ndryshimeve të forta të motit, mjekra shërbente si një rregullator temperature që operonte me efikasitet edhe si mbrojtës nga të ftohtit, edhe nga të nxehtit, përmes efektit freskues të djersës.

Një tjetër teori alternative e sheh mjekrën si një tipar manifestues të pjekurisë mashkullore, një lloj flamuri burrërie pra, i cili e nxjerr më në pah nofullën e mashkullit, duke i dhënë atij karakter agresiv. Dhe, në fakt, gjatë historisë së njerëzimit mjekrat janë parë kryesisht si simbole të pushtetit dhe virilitetit. Burrat betoheshin për mjekrat e tyre, mjekrat shenjtëroheshin; një zot pa mjekër, i rruar taze, s’mund të imagjinohej dhe pranohej kurrsesi si zot! Bile edhe faraonia Hatshepsut mbante mjekër artificiale nëpër ceremoni të ndryshme për të demonstruar pushtetin e saj absolut.


E, meqë jemi tek gratë me mjekër, edhe Kisha Katolike e ka një martire me mjekër, Shën Wilgefortis, një virgjëreshë të cilën, sipas legjendës, i ati donte ta martonte kundër betimit të saj për virgjëri. Lutjet e saj bënë që ajo të gdhihej me mjekër gjë që e inatosi aq fort të atin saqë ky e kryqëzoi atë (më vonë Shën Wilgefortis u adhurua nga gratë që donin të çliroheshin prej burrave abuzivë).

Jo gjithmonë burrat kanë dashur ta mbajnë lart këtë flamur burrërie. Deri para një dekade kishim në skenë tipin e “metroseksualit” (term i përdorur për herë të parë në 1994 nga gazetari britanik Mark Simpson në artikullin e Indipendent, “Here comes the mirror man”). Në formën e tij ideale metroseksuali është beqari, me një punë të mirë e rrogë të lartë, që frekuenton sallone bukurie për të stiluar e ngjyer thonjtë me manikyr dhe që kujdeset që në trupin e tij të mos mbijë as qimja më e hollë. Shkurt: metroseksuali inskenon burrërinë e tij përmes një sjellje konsumatore tipike femërore, që i kundërvihet idealit tradicional burrëror. Është burri i cili ka vendosur të tregojë se mundet të jetë gjithçka. Të futet edhe në zonën që i takon sociologjikisht femrës dhe të ketë sukses aty.

Metroseksualin e zëvendëson “spornoseksuali”. Spornoseksuali është tipi që ngre trupin në kult. Nuk i intereson aspak të lakmohet as për garderobën e tij e as për intelektin e tij, por vetëm për trupin e tij. Trupi i tij, i bronztë, i rruar nga koka te këmbët, është i vetmi aksesor i tij. “Sporno” është bashkim i “porno” dhe “sport”. Trupi i hiperseksualizuar i mashkullit spornoseksual është produkt i një estetike pornografike dhe sportiviteti sintetik.

Metroseksualiteti dhe spornoseksualiteti duken si hapa emancipues mashkullorë drejt barazisë gjinore. Me vetekspozimin e tyre gjysmëpornografik, dukej se meshkujt kishin pushtuar një zonë që konsiderohej ekskluzivisht femërore.

Deri në momentin kur në skenë rikthehet fuqishëm mjekra! Nga thellësitë e historisë mjekra është rishfaqur fuqishëm. Nga Qeveria në Parlament, nga Blloku i Tiranës e deri në periferitë e Jugut e Veriut të Shqipërisë. Kudo, gjithnjë e më shumë, burra me mjekra. Nga erdhi kjo modë? Nga David Beckham apo nga Osama bin Laden? Nga skena muzikore apo nga kampet stërvitore afgane? Si arriti mjekra ta përmbysë devizën e dikurshme të seriozitetit dhe pushtetit që shprehej përmes kravatës, jakës së bardhë, këpucëve të lustruara dhe fytyrave të rruara taze? Si arriti mjekra të shndërrohet nga simbol i paraqitjes shkeleshko në aksesor të domosdoshëm mode? Çfarë e shtyn burrin ditë për ditë ta kultivojë me durim e kujdes barin e lëndinës në fytyrën e tij?

Si duhet ta lexojmë këtë trend? Si mesazh agresiv joverbal, i cili i kundërvihet obsesionit (jo vetëm femëror) për të pastruar trupin nga qimet deri në pjesët e tij më intime? Si gjest luftarak burrëror përballë realitetit emancipues të grave? Si e vetmja mënyrë që na ka ngelur për t’u diferencuar nga gratë? Si e vetmja zonë, të cilën s’ka feministe apo zyshë të teorive gjinore që të na e pushtojë? Nëse është kështu, ja ku e kemi një shpjegim të mundshëm për zemëratën virale kundër fitueses se Eurovizionit Conchita Wurst e luftëtarëve homofobë për ruajtjen e klisheve gjinore. Conchita ishte futur në zonën e mashkullores ekskluzive: në zonën e mjekrës. Sot gratë votojnë, vërshëllejnë në stadium, ngasin makinën, shajnë me fjalë të pista, e sikur të mos mjaftonte kjo, duhet të mbajnë edhe mjekër si kjo Conchita e mallkuar?!

Jo! Mjekra na përket ne dhe, nëse mjekra na përket ekskluzivisht ne, burrave (hahahaha!), atëherë çdo mëngjes le ta rrisim dozën e mashkulloritetit duke hequr dorë nga rruajtja dhe duke u lënë leshrave harlisje të tërbuar! Mjekra pra, si një mundësi për t’u rikthyer në imazhin më mashkullor të mundshëm. Parë nën këtë dritë, mund të kuptojmë hippitë e viteve ‘60 të cilët donin të ishin sa më pranë grave dhe këtë afërsi ta sinjalizonin edhe optikisht. Duke lënë flokë të gjata dhe duke veshur pantallona të gjera si pantallonat e gjera të grave të asaj kohe. Nëse mjekra ka lidhje me vetëdijen e rënduar mashkullore përballë marshimit të pandalur feminist, atëherë punët s’janë dhe aq mirë. Sepse mjekrat në Shqipëri po zgjaten gjithnjë e më tepër dhe po bëhen gjithnjë e më të plota…

Ithtarë të shkrimtarit francez Houllebecque mund ta diagnostikojnë mjekrën si simptomë pararendëse të nënshtrimit të civilizimit kristian ndaj marshimit të pandalshëm të Islamit në Evropë. Sipas tyre, leshi në fytyrën e evropianit është një lloj kredoje e besimit të metropolitanit të nënshtruar, i cili nuk e mbron dot kulturën e tij, por përqafon Kuranin. Megjithatë ky interpretim bie, sepse edhe Jezusi me mjekër ishte. Shumë kohë para se të shfaqej profeti Muhamed bile. Kështu na thonë filmat historikë të paktën.

Përtej çdo interpretimi, e gjithë kjo modë mjekroshe, si çdo modë, e ka një çmim: Banalizimin e mjekrës. Fytyrat me mjekër të meshkujve nuk rrezatojnë më automatikisht as aurën e Profetit e as të mashkullit të fuqishëm e të mençur. Aq më pak kredo politike. Akoma më keq: kohët e fundit askush nuk arrin më të dallojë nga fytyra një xhihadist nga një hipster.