LAJMI I FUNDIT:

SHBK nënshkruan memorandum mirëkuptimi me EBF

SHBK nënshkruan memorandum mirëkuptimi me EBF

Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit në mes të Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Federatës Evropiane të Bankave.

Shoqata e Bankave të Kosovës si përfaqësuese e sektorit bankar në Kosovë, duke përfaqësuar tetë banka, dhe në anën tjetër Federata Evropiane e Bankave që është zëri i përbashkët i bankave të themeluara në Evropë, kanë arritur këtë marrëveshje mirëkuptimi me qëllimin që të zhvillohet, fuqizohet, dhe intensifikohet bashkëpunimi në mes të palëve për të arrit objektivat dhe qëllimet e përbashkëta.


Objektivat e këtij memorandumi do të arrihen duke shkëmbyer informacionet për zhvillimet rregullatore, shkëmbimin e ideve dhe pikëpamjeve në një bashkëpunim të ngushtë në nivel botëror dhe me organizata botërore.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha që ky memorandum bashkëpunimi i hap rrugë anëtarësimeve të mëtutjeshme në instanca ndërkombëtare për një integrim më të shpejtë në sistemin financiar të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Fusha e bashkëpunimit përfshin shkëmbimin e informacioneve, publikimeve dhe resurseve, promovimin e praktikave më të mira bankare, aranzhimin, promovimin dhe mbështetjen e ngjarjeve dhe takimeve në mes të palëve. /Telegrafi/