Zëri brilant i muzikës lirike, zëri i parë i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Tiranës, sopranoja (fenomeni) Eva Golemi, tashmë është bërë një divë e kësaj skene, e cila me drithërimin e saj vezullues po arrin të jetë e famshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetiu.
Bisedoi: Shaqir Foniqi
Ajo, me talentin e saj të dëshmuar ka krijuar një karrierë të bujshme, përmbajtjesore dhe inspiruese. Qysh si studente e Akademisë së Arteve të Tiranës, Eva ishte angazhuar në rolin e Donna Anna-s, ku kishte briluar dhe ishte cilësuar si ‘specialiste’ për këtë lloj muzike. Ja, pra Evës, katërçipërisht po i realizohej ëndrra e ëndërruar.
Që nga ajo kohë (1996), Eva Golemi ishte bërë pjesë e pandarë e roleve kryesore në TKOB, ku deri më tashti ka interpretuar mbi 30 role kryesore, madje më 2006, ishte shpallur edhe femra e vitit. Por, cila ishte rruga e Evës deri këtu, mësoni në vazhdim, në intervistën, të cilën e zhvilluam me te, në Tiranë, pas suksesit të saj të radhës në Gala koncertin ‘Yjet e Operas shqiptare’.
Jeni soliste e parë në një institucion të madh kulturor. Si ndjeheni për këtë fakt?
Është vërtetë kënaqësi dhe krenari, që në të njëjtën kohë të jesh soliste e parë e një institucioni si Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe operas shqiptare, historia e të cilës, megjithëse e shkurtër, është mjaft intensive dhe plot arritje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Unë, bashkë me kolegët e mi në këtë teatër, duhet ta çojmë përpara një trashëgimi të rëndësishme të personaliteteve të cilët hodhën bazat e Operas Shqiptare si T. T. Koço, J. Truaja, M. Ciko, K. Paspali, M. Kraja, Gj. Kosturi, A. Mula, L. Kaçaj etj, e që u zhvillua më tej me G. Çako, R. Kovaçi, Sh. Mingomataj, T. Kora, E. Mihali etj., dhe, me ata që e bënë të njohur ndërkombëtarisht si e madhja Inva Mula. Të gjithë këta emra e shumë të tjerë krahas tyre, ishin pjesëtarë të TKOB-së.
Por, që të arrinit deri këtu, megjithatë nuk ishte lehtë?
Aspak. Por edhe shumë e vështirë nuk ka qenë, flas nga ana profesionale. Nga eksperienca personale mund të them me bindje se, ai që ka talentin dhe që punon në mënyrë sistematike, veshur kjo edhe me kulturën qytetare, i ka rrugët e hapura. E rëndësishme është që mos t’i vesh veshin apo t’i japësh rëndësi pengesave subjektive që në art shfaqen rëndom.
Dhe, e arrin famën për një çast, por pastaj është vështirë ta mbash, apo jo?
Të them të drejtën, të arrish famën duhet shumë punë e përkushtim, nganjëherë edhe sakrifica e privime. Është e vërtetë që nuk është e lehtë ta mbash atë.
Po bëjmë një retro Eva. Si filluat dhe si ishte rruga juaj deri këtu. Sigurisht jo gjithmonë e shtruar me lule?
Rruga ka qenë e gjatë. Nga një ëndërr e fëmijërisë në realitet, kështu do ta cilësoja. Në fakt, pas mbarimit të studimeve në Liceun Artistik në Tiranë dhe fillimit të studimeve në Akademinë e Arteve, pashë se duhet të vendosja një herë e mirë nëse do isha e gatshme të bëja një jetë plot sakrifica e privime të një solisti operistik, që sigurisht më pas të sjell satisfaksione të shumta apo të ndiqja rrjedhën e të një diplomuari të radhës. Që në Akademi, fillova jetën e skenës kryesisht me vepra premierë të kompozitorëve shqiptarë në festivalin e Romancës (që fatkeqësisht nuk ekziston më) dhe në festivalet e muzikës së re që zhvilloheshin në Shqipëri. Filluan të më quanin “specialiste” e muzikës bashkëkohore (madje fitova edhe Çmim në konkursin N. Zoraqi për interpretuesit e muzikës kontemporane) Por, kjo ishte thjesht si një trampolinë për të arritur te skena e magjishme e operës. Fati e deshi që kur unë isha në vitin e fundit të Akademisë së Arteve dhe TKOB atë vit, po vënte në skenë operën e Mozart “Don Giovanni” me regjisor dhe dirigjent austriak si dhe me disa solistë të huaj. Nga rolet e shumta që ka kjo opera, kishte mbetur pa dubluar roli i Donna Anna-s, një nga rolet kryesore dhe nga më të vështirat. Unë e mora vesh dhe vendosa të paraqitem në audicion për këtë rol. I hyra studimit nga mëngjesi deri në mesnatë për ta mësuar dhe brenda nëntë ditësh, ia dola ta mësoj dhe ta fitoj rolin. Imagjinoni çfarë mrekullie! Puna me profesionistë të huaj e shqiptarë, më dha një motivacion të madh për të vazhduar e mos ta ndërprerë më asnjëherë ëndrrën që sapo kishte nisur të bëhej realitet. A kishte pengesa… sigurisht, kryesisht subjektive. Flas për ndonjë smirë a xhelozi nga ndonjë personazh i cili e kishte të vështirë të pranonte që një soprano ende studente të luante në skenë rolin kryesor me partnerë profesionistë që interpretonin rolet e tjera. Por unë u fokusova te puna ime, që me mbështetjen e drejtorit të atëhershëm artistik M. Denizi (të cilin gjej rastin ta falënderoj) dirigjentit e regjisorit ia dola. Më pas erdhi edhe artikulli i parë për mua në Gazetën Shqiptare që ishte si qershia mbi tortë.
A, pajtoheni me thënien se arti të zbukuron nga jashtë, por të ‘vret’ nga brenda?
Kjo mund të jetë e vërtetë në rastet kur fama dhe suksesi kthehen në qëllimin e vetëm në jetë. Familja, shoqëria dhe interesi për gjëra të tjera të bukura përveç artit, të ndihmojnë që të mos biesh viktimë e tij.
Dukeni shumë aristokratike në skenë. Çka duhet të ketë një soprano e klasit që të jetë vazhdimisht e pranueshme në skenën magjike, natyrisht përveç zërit?
Siç e thashë edhe më parë, punë, shumë punë e përkushtim, por edhe kulturë qytetare. Imazhi, pra paraqitja e jashtme dhe niveli i komunikimit janë gjithashtu shumë të rëndësishme, pasi artisti është gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe bie në sy menjëherë për mirë apo keq. Imazhi krijohet në skenë dhe në jetën e përditshme, pse jo edhe në komunikimin me medien e shkruar dhe audio-vizive.
Cilët kompozitorë botërorë dhe vendas i këndoni më me ëndje?
Të gjithë. Më parë ju thashë se kam kënduar shumë muzikë shqiptare nga kompozitorë të tillë si F. Ibrahimi, Sh. Kushta, K. Lara, K. Laro, A. Mula, P. Jakova, Z. Ballata etj. Unë kam kënduar në të tre operat shqiptare (dhe të vetmet) që janë shkruar pas viteve 90’ këtej e andej kufirit që ndan shqiptarët. (A. Peçi, E. Dergjini, R. Dhomi). Por nuk do ti ndaja dot.
Përsa i përket të huajve, sigurisht që kam një “feeling” me operën italiane veçanërisht Puccini, Verdi, Belini, Giordano, Leoncavallo por sigurisht pa përjashtuar operën franceze me Gounod e Bizet apo atë gjermane.
Duket se në çdo rol që interpretoni,keni shumë emocione dhe drithërime, a është kjo përgjegjësi, apo një magji që sjell ky lloj art elitar?
Të dyja bashkë. Mendoj se pa të dyja të ndërthurura, nuk mund të funksionojë.
Ju, keni pasur shumë oferta që të këndoni edhe jashtë, megjithatë jeni në Tiranë. Sa ofron Tirana për artistet sikur ju?
Është e vërtetë se kam pasur oferta dhe kam kënduar shumë jashtë, flas si sopramo soliste. Violetta nga Traviata, Norma, Tosca, Abigaille nga Nabucco, Maddalena nga Andrea Chenier, etj. janë disa nga rolet që i kam interpretuar në teatro të rëndësishme në Itali, Gjermani, Zvicër, Francë, Angli e deri në Korenë e Jugut. Unë kam zgjedhur të jetoj në Tiranë me familjen time e pranë njerëzve të dashur që ma bëjnë jetën më të bukur e më pak stresuese. Kjo është natyra ime pasi nuk dua që suksesi të më verë përfund dhe të më kthehet në një obsesion që mund të shkatërrojë shumë gjëra të bukura të jetës të cilat i kam tashmë siç është familja dhe fëmijët e mi.
Megjithatë, sa i përket publikut, duket se ai nuk mungon dhe, tashmë është i kultivuar?
Publiku është i mrekullueshëm dhe t’ju them të vërtetën edhe mjaft selektiv. Mjafton të shikosh që në shfaqje të ndryshme ka numër të ndryshëm. Unë jam e lumtur që deri në tash nuk kam kënduar asnjëherë opera me sallë të zbrazët apo gjysmë të mbushur, por gjithnjë me sallën plot që për mua është si një adrenalinë.
Ju merrni shumë duartrokitje, por edhe dhuroni shumë falënderime. Si duket një relacion artist-publik, është magjik, gati biblik?
Është magjik, ata më duan dhe unë i respektoj dhe më shumë pasi në kohën kur jetojmë me një intensitet dhe sasi të “frikshme” informacioni të gjithanshëm dhe presioni të jetës virtuale nëpërmjet rrjeteve sociale e Youtube-it, nuk është e lehtë ta tërheqësh publikun në sallë. Magjia, gjithashtu qëndron te besnikëria e tij që, mua më frymëzon pas çdo shfaqje kur ata më “përkëdhelin” me lavdet si dhe me duartrokitjet e brohoritjet pas çdo performance. Si biblik do ta cilësoja në kuptimin e një “aksiome” që ata nuk mund të rrojnë pa njëri-tjetrin dhe janë të pandarë. Nuk ka art pa publik.
Unë ju përcolla në Gala Koncertin e Yjeve të Operas shqiptare dhe më bëtë krenar, sepse kishit një paraqitje spektakolare, të denjë dhe shumë vezulluese. A keni emocione, para çdo dalje në skenë?
Faleminderit për vlerësimin, kjo është pjesë e magjisë që folëm më parë (qesh). Pa diskutim që kam emocione. Do të ishte e frikshme dita që unë do dilja në skenë pa emocionet e veprës që këndoj dhe drithërimës e përgjegjësisë.
Keni kënduar edhe me tenor e soprano nga Kosova, si me Ramë Lahajn, Besa Llugiqin, Sanije Matoshin…Çfarë përshtypje keni për ta?
Edhe me Riad Ymerin e të tjerë. Rama është një realitet tashmë dhe shumë shpejt, mendoj se, do të bëhet një nga shqiptarët e famshëm të lirikës botërore. Po ashtu Riadi, gjithashtu ka shumë potenciale apo F. Hondozi etj. Me Besën kam kënduar te opera Turandot. Ajo më ka emocionuar në rolin e Liu’-t. Kosova ka potenciale të fuqishme.
Arti dhe kultura shqiptare janë një dhe e pandashme. A ka ardhur koha për një Operë të përbashkët?
Unë mendoj se sa më shumë teatro operash të ketë në hapësirën mbarëshqiptare, aq më mirë do jetë. Opera është një produkt evropian dhe shqiptarët janë të tillë. Rrallë do gjesh ndonjë shtet në Evropë që të ketë vetëm një teatër opere si në Shqipëri prandaj, unë insistoj për të pasur sa më shumë teatro në mënyrë që të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, të shijojnë këtë art të magjishëm. Sigurisht që teatrot mund të ndërveprojnë për produksione të përbashkëta që do të ulte kostot dhe do të rriste cilësinë nëpërmjet konkurrencës dhe ballafaqimit para publikut të qyteteve të ndryshme.
Shkrimtari ynë i përmasave ndërkombëtare, Ismail Kadare shprehet se edhe popujt e vegjël në numër, sikurse jemi ne, mund t’i japin art botës së madhe artistike. A qëndron kjo?
Jam dakord. Sasia nuk sjell domosdoshmërisht cilësi, aq më tepër në disa fusha të artit, ku disa premisa të tjera, përveç numrit të popullatës, janë të rëndësishme.
Dihet se roli i kulturës është i madh. Madje, kombet nuk shuhen për shkak të politikave, por për shkak të kulturave, e megjithatë, për kulturën, ende bëhet pak. Si e shpjegoni këtë?
Nuk i heq asnjë presje fjalëve tuaja. Shpesh investimi për kulturën duket si i pavlerë pasi nuk sjell rezultate të menjëhershme dhe të dukshme në fillimet e tij. Mjafton të përmendim investimin që u bë para shumë dekadash për muzikën klasike dhe rezultatet erdhën, jo menjëherë, por sot shqiptarët nuk mund të krenohen përveç se me muzikën klasike dhe me ndonjë sport tek-tuk. Imazhi pozitiv që krijojnë për shqiptarët artistët tanë, është i paçmueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për një popull, i cili ishte i izoluar prej qeverisë së vet dhe të vetmin imazh që mbahej mend ishin anijet e tejmbushura me refugjatë si dhe vitin e mbrapshtë 1997. Më besoni që ende sot takoj të huaj që kanë një perceptim të gabuar për shqiptarët dhe Shqipërinë. Shteti paguan qindra e mijëra euro për përmirësim imazhi, ndërsa do të mjaftonte të bënte një investim serioz në kulturë si dhe të ndërtonte politika nxitëse në favor të saj, dhe rezultati do të ishte i shumëfishtë. Është e vetmja fushë ku mund të konkurrojmë me dinjitet me çdokënd në botë. Jemi të gjithë koshient që kombet jetojnë nëpërmjet kulturës dhe zhduken nëpërmjet politikës.
Politika dhe politikanët tanë shpesh shohin afër për përfitime imediate elektorale kur investojnë diku. Andaj, mendoj se është një nga arsyet, bashkëngjitur me mungesën e ndjeshmërisë, formimit dhe ndoshta edhe xhelozisë (qesh) ndaj artistëve për ndikimin e madh që kanë ndaj njerëzve (votuesve në këtë rast)
A, keni ndonjë angazhim shtesë, tash në prag të Festave të fundvitit?
Sigurisht, përveç angazhimit me Filarmoninë e Tiranës mora pjesë edhe në Gala’-në e organizuar nga Top-Channel në TKOB.
Si i keni raportet me librin?
Të mira, por specifike.
Që do të thotë?
Që dmth, lexoj shumë për veprën e radhës që vë në skenë, pavarësisht se mund të jetë rivënie. Psh., “Zonja me kamelie” të Alexandre Dumas (i riu) e lexoj në italisht e shqip, sa herë që kam rivënie të Traviatës apo lexoj për Romën e 800’, kur luaj Tosca-n, ndërsa në pushimet midis roleve, lexoj romane.
Po si duket një ditë juaja, kur nuk jeni në TKOB? Cilat janë aktivitetet jashtë këtij pallati të artit?
Familja, mbi të gjitha familja, përkushtimi për fëmijët dhe bashkëshortin tim Arben Llozi, i cili është violinist dhe profesor në Universitetin e Arteve. Duke qenë të dy artistë, jo rrallë, na bie të kemi aktivitete edhe jashtë Shqipërisë, kështu që mundohemi të kompensojmë dhe rikuperojmë kohën larg fëmijëve dhe familjes. Pjesë e këtij aktiviteti janë edhe lëvizjet së bashku jashtë Tiranës me fëmijët dhe me shoqërinë e ngushtë.
A, do të ketë Eva trashëgimtarë në këtë profesion kaq fisnik dhe kaq elitar?
Qesh… Vajza, Laura,tashmë është violiniste shumë e talentuar, e cila është në klasën e nëntë të Liceut Artistik në Tiranë duke ndjekur gjurmët e të atit. Ajo, tashmë ka marrë disa çmime dhe ka fituar edhe disa audicione për orkestra të ndryshme me të rinj. Ndërsa djali, Kevin, megjithëse është vetëm dy vjeç e gjysmë, ka një zë që tund shtëpinë kur bërtet dhe ndoshta do të ndjekë gjurmët e së ëmës, ku i dihet… (qesh)
Natyrisht se akëcili artist i ka planet e veta afatmesme dhe afatgjate. A mund t’i shpalosni disa prej tyre?
Dalja në skenë është një plan që për mua mbetet afatgjatë, ku përfshihen role të reja dhe rivënie në Shqipëri dhe jashtë, të cilat do t’i zbuloj në një intervistë tjetër, nëse do kemi më ….(qesh).
A, keni rutinë në jetën tuaj?
Thuajse çdo mëngjes çoj vajzën në shkollë dhe më pas drejt e në teatër. Në përgjithësi fundjavat kaloj me familjen jashtë Tiranës, herë në Durrës, e herë në malin e Dajtit. Gatuaj shumë dhe më pëlqen të ftoj miq në shtëpi, të huaj dhe shqiptarë.
Cili do të ishte mesazhi juaj sublim për Vitin e Ri dhe për fesat, në përgjithësi?
Uroj nga zemra gjithë shqiptarët, qoftë një vit plot arritje e suksese për të gjithë e me sa më shumë dashuri, lumturi e begati për ju dhe familjet tuaja.
Faleminderit, Eva për këtë intervistë tepër domethënëse dhe mbresëlënëse?
Faleminderit juve për mundësinë që më dhatë për të komunikuar me lexuesit tuaj. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë