“Modestia dhe sinqeriteti janë dy atributet e mia kryesore. Edhe këto, poqëse më mohohen, çfarë ngel prej meje të shkretit. I sinqertë në jetë, i sinqertë në krijimtari! A mjafton kjo? Natyrisht se jo! Ndoshta krijimtarisë më së pakut i duhet sinqeriteti. Asaj, më parë, i duhet talenti, prirja për shkrim, e pastaj, për të tjerat kollaj bëhet! Ky farë lloj sinqeriteti tek unë, ndoshta është i dominuar nga naiviteti. Ndoshta!”
Intervistoi: Vera Pelaj
Jeni autor i disa librave me tregime, i romaneve, i një vëllimi me poezi (“Në ecje”), i një përmbledhjeje tregimesh fëmijërie dhe i një mori shkrimesh të tjera publicistike. Ka vjet që jetoni në Francë dhe, nga andej, vazhdoni të shkruani. A do të thotë kjo se jeta larg Kosovës ua shton etjen për shkrim?
Keni të drejtë. Pasi që tani e disa vjet jetoj jashtë Kosovës, kjo me nxit etjen për shkrim, ashtu siç më shumëfishon kureshtjen për lexim. Synoj të kap rrjedhat e botimit të librit të ri, edhe këtu (në Francë), ku gjendem përkohësisht, edhe atje, në (Kosovë), ku jam ditë e natë, ku jam përjetësisht. Me këto dy “aktivitete”, shkrimit dhe leximit, pra, është i ndërthurur (ndërkallur) përmallimi, mallëngjimi i madh, nostalgjia flakëruese… për shokë e miq, për familjen time të madhe, që këtu nuk e kam. Malli për vendlindjen. Për Prishtinën, pa lumë. Për zgjiçët e saj të përlloçur. Për pluhurin e dendur sipëri po atyre rrugëve…Si kompensim për këtë mungesë të madhe, më drejtë të thuhet, për këto mungesa shpirtërore, shkruaj edhe atëherë kur nuk më shkruhet fare, lexoj edhe atëherë kur nuk më lexohet fare. Një kohë as unë, po siç kallëzon I. Kadare te “Ftesë në studio”, nuk e kam marrë me mend se mund të shkruaj diku tjetër pos në dhomën time të vogël, në apartamentin tim të vogël në Prishtinën time të vogël, në Kosovën time të vogël e të dashur… Ashtu siç s’kam mundur të marr me mend se, diku tjetër, pos në Kosovë, mund të lexoj një libër voluminoz, i çfarëdo zhanri qoftë ai. Mirëpo, me kalimin e kohës, çdo gjë ndryshoi. U mësova. Ndërkohë, mbarova shkollën e vetmisë se madhe dhe të pikëllimit të thellë, përvëlues, do të thosha…
Romani juaj i parë është dhe ai me titull “Parisi kot”! Parisi, është një ndër qendrat e mëdha të kulturës botërore. Ky, Parisi juaj, vërtetë është kot?
Po, po, ashtu, siç thoni ju, është. Por, në romanin tim, po të lexohet pak më me kujdes, me vëmendje e përqendrim, nuk flas për atë Parisin e njohur, për atë Parisin me dyer e dritare të mëdha, nuk shkruaj për Parisin e dritave, as për Parisin, “që është festë lëvizëse!”, sikurse e përkufizoi këtë qytet, me një rast, shkrimtari i madh, E. Hemingway-ej… Unë, shkruaj (flas) për një Paris tjetër. Parisi i Hemingway-it dhe i ëndrrave tona rinore nuk banon më këtu. Parisi i ëndrrave, i bardhë dhe i larë e shpëlarë dritash, është akoma atje lartë. Atje ku nuk kam arritur asnjëherë ta shoh… E kur e pashë nga afër…, m’u shfaq një tjetër Paris! Pra unë nuk flas për atë Parisin atje lartë (tej ëndrrave), por shkruaj për Parisin tim të vogël që, mjerisht, jo vetëm për mua, por për të gjithë njerëzit e fatit tim, për bashkëkombësit e mi, në rend të parë, është i tillë. Është kot. Kot fare. Pse është kështu, është vështirë të shpjegohet me pak fjalë. Sidomos për ata që nuk duan ta kuptojnë ironinë e fjalës kot. E për ata që nuk duan apo nuk dinë ta zbërthejnë kuptimin metaforik të kësaj fjale, nuk ia vlen të bisedohet, as të sqarohet! Parisi e vazhdon jetën e vetë, mbështjellë me mjegulla fame e lavdi, por, ç’t’i bësh, kur për mua është Paris kot (fare!).
Kritika, ka vënë re në “Parisi kot” një udhëpërshkrim, sa të gjallë aq dhe të kapshëm në tërë dimensionin e asaj që quhet “eksodus”. Ka dallim mes Ndrecit nga Prishtina, personazh i këtij romani, dhe Elias biblik të Paulo Coelho-s?
Ka të drejtë kritika (kritika gjithmonë ka ose asnjëherë nuk ka të drejtë krejtësisht), ta vlerësojë një punë (krijuese artistike, në këtë rast) ashtu si të dojë, si të dëshirojë e si t’ia merr mendja se është më së miri. Mirëpo, mos të përsëris, se kundërmon “erë” të rëndë e banale, atë që dihet qyshkur, atë që e kanë thënë me mijëra e mijëra shkrimtarë dhe mendimtarë, para meje e do ta thonë edhe pas meje, sa herë t’u bie rruga andej, asnjë autor nuk shkruan, çka do qoftë, duke e pasur mendjen te kritika. Autori shkruan atë që ia rrokë mendja, ashtu si e di e mundet, pastaj, le të urdhërojë madhështia e saj, kritika, e le ta bëj të vetën.. E lexon dhe e zbërthen veprën si t’ia merr mendja dhe e vlerëson si t’ia do pika e qejfit. Të gjithë atyre që romanin tim “Parisi kot” e ngatërrojnë dhe e vështrojnë, edhe si reportazh, udhëshkrim, e tjera, ua bëj me dije dhe u them troç: këtë nuk e marr si fyerje, përkundrazi, e përjetoi këndshëm. Mos të harrohet kurrë se unë, në rend të parë, jam gazetar-reporter, pikërisht, udhëshkruas e pastaj vijnë të tjerat. Cili shkrimtar shqiptar është ai që më parë nuk ka qenë gazetar. Po i zure me një vështrim, duke filluar nga Esad Mekuli (Sat Nokshiqi ynë i nderuar), pa e ndalur ngarendjen asaj fushe të gjerë bleroshe, deri të vetë Ismail Kadare. Të gjithë, ama të gjithë, në fillim ishim gazetarë, gati të gjithë, pa përjashtim, njëherë ishin gazetarë (jo gjithmonë) të mirë e pastaj u bëmë shkrimtarë…!
Romani “Terra nullius” vlerësohet si vepër juaja serioze letrare, një nga romanet e spikatur, jo vetëm në letërsinë shqiptare në Kosovë. Pse “Terra nullius” !?
Më vjen mirë (është melodi e mirë për vesh!) kur dëgjoj një vlerësim të tillë çfarë, besoj, do ta dëshironte akëcili krijues. Them se titulli “Terra nullius”, pak a shumë, prek a zhytet në pus religjioz. Prej vegjëlie, si në refren, të gjithë kemi dëgjuar jo njëherë, atë predikimin e lashtë se “kjo botë nuk është e askujt”. Në këtë rast, “Terra nullius”, shprehimisht, nuk do të thotë asgjë tjetër pos Tokë e askujt!
Tjetër shpjegim s’kam…
“Terra nullius” është vlerësuar edhe si një shkrim ndryshe, si një antiroman, me frymëmarrjet e një personazhi, i cili i lidh detajet, dromcat, ngjarjet e vogla, për të bërë një mozaik. Përse!?
Kjo është plotësisht e vërtetë. Është tamam ashtu siç e thoni Ju. Edhe unë, në nëntitull ose në çelje të librit, nuk më kujtohet me tamam, orvatem të jap një shpjegim të shkurtër sqarues dhe, them se, kjo është sprovë e një shkrimi “ndryshe*. Kisha fat që këtë dorëshkrim timin e lexuan dy nga prozatorët më të shquar që letërsia shqiptare i ka momentalisht: Mehmet Kraja dhe Ardian-Christian Kyçyku. Që të dytë me përmbajtën, më inkurajuan. Z. Kraja, madje, më tha se një formë e shkrimit të këtillë është shumë e vështirë dhe se rrallëkush e, rrallëherë, arrin të përmbyllë me sukses të plotë këtë punë. Janë raste të rralla, krejt të vetmuara, kur një roman pa temë bosht, të realizohet ashtu si duhet. Sido që të jetë, pasi i kam nënshkrimet e të dyve, si recensues, flë rehat e pa merak të madh!
Në romanet, por dhe në tregimet tuaja hasen skena meditimi dhe përshkrimi të sinqertë deri në pakufi. Ernest Heminway, pikërisht këtë, e quan më të vështirën në letërsi. Ju, si duket ia keni arritur. Sa është e vështirë të arrihet ky stad në letërsi?
U kënaqa duke dëgjuar, veç të vërteta të pamohueshme, edhe të jam mirënjohjes ty, në rënd të parë, kur mih e gropon dhe, pa përtesë, gjen dhe pikasë, këto fjalë të bukura dhe, natyrisht, të gjithë atyre që bimën e tyre kanë mbjellë më letër, që i kanë thënë, nëse njëmend i kanë thënë kështu kaq bukur, apo i kanë shënuar diku, ndërkohë. Pa ekuivok dhe, pa fije hezitimi, të them se më bëhët qejfi (oh, sa me buçet zemra nga entuziazmi, si atëbotë, kur isha gjimnazist !), kur lexuesit e mi (aq sa janë!), jo vetëm që nuk ma mohojnë, por, përkundrazi, e potencojnë dhe nënvizojnë këtë virtyt timin. Modestia dhe sinqeriteti janë dy atributet e mia kryesore. Edhe këto, poqëse më mohohen, çfarë ngel prej meje të shkretit. I sinqertë në jetë, i sinqertë në krijimtari! A mjafton kjo? Natyrisht se jo! Ndoshta krijimtarisë më së pakut i duhet sinqeriteti. Asaj, më parë, i duhet talenti, prirja për shkrim, e pastaj, për të tjerat kollaj bëhet! Ky farë lloj sinqeriteti tek unë, ndoshta është i dominuar nga naiviteti. Ndoshta!
“Janë këto shënime të imta të një udhëtari të pasionuar të udhëve të gjata, një të dashuruari marrëzisht dhe të pa përmirësuar pas Shqipërisë, pas çdo guri e druri të saj…”, është kjo pjesë e shkëputur nga libri juaj “Plot Shqipëri”. Është Shqipëria vendi i dashurisë dhe i ëndrrave tuaja edhe më tutje?
Ishte dhe vazhdon të jetë. Shqipëria, sidomos për ata të brezit tim, ishte ëndërr kurrë e paarritshme. Meqë nuk ekzistonin kurrfarë mundësish, as teorike, që Shqipërinë (tonë) ta vizitojmë, ta shohim dhe ta “prekim” me dorë, nuk ngelte tjetër rrugëdalje veç të ëndërronim për të natë e ditë. E, ëndrrat, siç thotë me një rast shkrimtari i madh, Paulo Coelho, nuk kanë afat konsumimi! Për Shqipërinë, për atë dashnore (lozonjare) shpirtërore për të gjithë shqiptarët e gjeneratës sime, posaçërisht, kam shkruar shumë e shumë. Janë shkrimet, reportazhet, e tjera, të përfshira në librin “Plot Shqipëri”. Pothuaj se nuk ka asnjë sajesë timen letrare që nuk bartë me vete një pjesë të Shqipërisë. Sa për dëshmi të kësaj, që them, sa për justifikim hesapi, gjej rastin e riprodhoj, këtu e më këtë rast, një si etyd me titull të përbashkët Prozë urbane, që jam duke shkruar kohëve të fundit.
Romani juaj i fundit, ka titull shumë ngacmues, që nganjëherë del si pyetje, nganjëherë si habi, e, nganjëherë si – mosçarje koke! Pse “Ani çka”, z. Sefaj?
Nuk e di se në ç’masë titulli është ngacmues, sikundër nuk e di, nuk kam ide, se ai titull është i duhur dhe i qëlluar! Me titujt e librave është si puna me emrat e fëmijëve. Urohet që të lindë fëmija normal e shëndosh e mirë e, e, për emër kollaj. E ngjashme edhe me librin letrar. Urojmë që teksti të del sa më i arrirë, se për titull kollaj bëhet! A është gjithmonë kështu? Natyrisht se jo! Teksti i mirë, i suksesshëm, njëmend është primar, por edhe titulli i librit (si emri i fëmijës) është shumë i rëndësishëm. Kur romani ka titull (emër) të mirë, kur është i përgatitur mirë teknikisht dhe estetikisht, jo vetëm se blihet, por edhe lexohet më me ëndje. Nuk e di se ia kam qëlluar me titull, apo jo, por, jam plotësisht i bindur se fjalë më relativizuese se ani çka, në gjuhën shqipe nuk ka!. E, unë e dua relativizmin! Asgjë në jetë nuk është absolute, pos që çdo gjë në botë (jetë) është absolutisht relative! Ani çka!
Deri në vdekjen e vdekjes, fund s’ka më, gozhdë në dërrasë…ani çka”, është ky një mendim filozofik, i cili haset në romanin tuaj “Ani çka”?! Cila është vdekja e vdekjes?
Lirisht mund të thuhet edhe ashtu. “Ani çka”, padyshim se është libri im i fundit, është përpjekja ime e fundit, përpëlitja ime e fundit, flaka ime e fundit, zjarri im i fundit, kallja ime e fundit, shkrumbi im i fundit, është fundi i fundit…, është dhembja ime e madhe, është ngrehina ime e fundit, është guri të kryet, është varri im, është vdekja e vdekjes sime! Vdekja e vdekjes është… vdekja! Ani çka!
Kulmi apo përfundimi i romanit “Ani çka” ka titullin (oublier) në frëngjisht që do të thotë h a rr e s ë! Është dhe harresa pjesë e artit, e gjetjeve tua në letërsi?
Me lejen tuaj e bart (mbjell) këtu edhe atë fragment. Nuk është i gjatë dhe, shpresoj, nuk marrim qortim të hidhur nga lexuesit eventual. Në këtë mënyrë e kam shumë më të lehtë shpjegimin dhe heqjen e “misterit” nga “harresa”! Ja ajo grimë teksti, më të cilin, në fakt, mbyllen portat e romanit “Ani çka”: (Në yrnek pasthënie) oublier…
Mouvment oublier, andej larg e larg, hej, sa larg, e në gjuhë të huaj, të tjetërkujt, i thoshin lëvizjes së harruar!
Ndoshta këto (dy) fjalë janë të ngujuara brenda ndonjë ekspresioni a forme tjetër gjegjëse shprehëse.
Kushedi!
E çfarë ngjyre a biçimi qenka kjo arnë e shqyer!
Thjesht: të kesh brinjë, këmbë e legen (basen)… të thyera, të bluara e të mos mund të lëvizesh hiç, as para, as mbrapa, asnjë centimetër!
Me një fjalë – të mbetesh i paralizuar. Shokë e poshtë. Kur të bëhet legen tërë qenia, mendja e krejt, legen!
Atëherë, përnjëherësh, mësohen të gjitha!Se art më të madh në botë s’paska sesa ecja! – leksioni i parë. I dyti: kur një gjë harrohet njëherë, së dyti zor se mësohet, nëse arnohet disi, ajo lëvizje (mouvment) e harruar, është boll…
Elem, ec e lëviz lirshëm shtatëdhjetë e kusur vjeç, si kokrrosh, në këmbët e tua e, paf, sa çel e mbyll sytë, goditesh e rrokullisesh, pa mëshirë, shtrihesh përtokë (beton) nga një kamionçinë, duke ecur kuturu, mbrapa (rikuerc), drejtuar nga personi i papërgjegjshëm dhe i pandërgjegjshëm. Gjithë kjo tragjedi ndodh brenda vetëm pak sekondash, brenda një punishteje ndërtimore! Paradoksale! Tani loja nis nga fillimi. Nis nga mësimi i zorshëm i ecjes dhe i shumë lëvizjeve të tjera të harruara, që nuk do të zihen, ashtu si duhet, kurrë më, deri në vdekjen e vdekjes!
Fund, s’ka më! (Gozhdë në dërrasë!).
Ani çka?
Shpjegimi i këtij “misteri të mistershëm” është i qartë dhe shumë lehtë i deshifrueshëm dhe i shpjegueshëm. Pasi përjetova një fatkeqësi tragjike komunikacioni, në qendër të Prishtinës, (pasojat e së cilës i ndiej dhe vuaj edhe sot e kësaj dite!) ngela krejtësisht i paralizuar dhe i lidhur për shtrat. Pra, “harrova” edhe të ec… Tjetër filozofi këtu nuk ka. Mendova e thash, askush më mirë nuk mund të shpjegojë këtë ndjenjë humbjeje e harrese se ai (në këtë rast, unë) që e ka përjetuar në lëkurë të vet. Kjo është e tëra!
Hapësirën e përgjigjes në pjesën e dytë, po e le bosh, nga se nuk e kuptova pyetjen!
Kritika ju cilëson të suksesshëm sidomos si autor të tregimit të shkurtër. Cilin nga librat tuaj, e konsideroni si më të arriturën tuaj?
Është e vërtetë. Para së gjithash jam tregimtar. Me tregime e nisa, me tregime e bitisa. Them këtu për faktin se edhe ato, t’i quajmë libra- romane të mi, mund të lexohen si “copa” tregimesh. I këtillë, më në fund, është edhe rasti i romanit të fundit, përfundimisht të fundit, (njëherë flet burri!), “Ani çka”. Paçka që aty janë përfshirë edhe tregime, siç thoni Ju, të shkurtra, që i kam shkruar edhe para tridhjetë e kusur vjetësh! Recensuesi i librit “Ani çka”, Ramadan Musliu, e pa të arsyeshme ta quaj roman. Unë nuk ia prisha fare. Nuk u “përzjeva” hiç në punën e tij profesionale, aq më parë kur kriterit të tij moral dhe estetik, i besoj shumë. Cilin libër e konsideroj me të arriturin? Në këtë pyetje nuk di të përgjigjëm. Do të thosha se asnjë libër nuk është aq i arrirë sa autori dëshiron, ëndërron gjatë sajimit të tij. Nuk e di pse, më se shumti ndër të gjithë librat e mi, e dua atë me reportazhe “Plot Shqipëri”. Ndoshta pse aq shumë, o zot, e dua Shqipërinë. Eh, sikur ajo (ata!) ta dinin këtë, moti do të me shpallnin, nëse jo qytetar, atëherë Katundar (!) Nderi të Shqipërisë. Këtë libër, disi e kam për zemër, falë punës se vyeshme të artistit tonë të njohur, Fahredin Spahisë, i cili në përgatitjen grafike dhe, përgjithësisht, estetike, investoi punë të vyeshme dhe dëshmoi nivel të lartë kreativ.
Në publicistikë dhe udhëpërshkrime njiheni si vrojtues i kujdesshëm. Sipas mendimit tuaj, ku ndodhet sot publicistika shqiptare dhe ajo e udhëpërshkruese!?
Aty ku ndodhet letërsia, arti kinematografik, artet pamore, poezia, historiografia… edhe publicistika është pjesë përbërëse e këtij mozaiku universal. As nuk është para, as, nuk (ka arsye!) të jetë prapa të gjitha këtyre.
Është më e vështirë të jesh gazetar apo shkrimtar?
Gazetaria është profesion, kurse të ne profesion shkrimtari nuk ka akoma. Të dyja këto punë janë të mira, janë joshëse, por, si për njërën, si për edhe për tjetrën, lipset punë e madhe dhe dashuri, viktimizim, do të thosha:
Shkrimtari francez, me origjinë algjeriane, Albert Camus, ndër fituesit në moshën më të re të çmimit Nobel për letërsi (ishte vetëm dyzet e nëntë vjeç kur e rrëmbeu këtë shpërblim më prestigjioz letrar në botë), tha me një rast se, gazetaria është profesioni më i bukur në botë! Krejt ndryshe mendon për këtë profesion, kolegu i tij më i ri, Alain Bosquet, me origjinë ukrainase. I njohur ndër ne, pas bisedës (libër) të tij me shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadaré, ndër me të shquarit e këtij kapërcyell shekulli. Ja se ç’më tha ai lidhur me gazetarinë, në intervistën që e zhvillova a me të, (më 1993 në Paris), enkas për lexuesit shqiptarë (shih faqet 89-98. të përmbledhjes së tij me poezi “Trazimi i Zotit”, që e përkthye nga origjinali “Le touirmant de dieu”, Ismail Kadaré dhe Besnik Mustafaj, botues, Arbri, Tiranë – 1996): “Gazetaria është epidemike, e përciptë. Është agjitacion, është armike e përqendrimit dhe e pjekurisë së mendimit si dhe e artit. Në nivelin më të ulët të vetvetes pranoj se jam gazetar. Tregoj kështu solidaritetin me kohën time. Por ky qëndrim është efemer dhe pa lavdi”! Unë, (B.S.) i desha me mish e shpirt të dyja këto, gazetarinë dhe letërsinë (sidomos gazetarinë) por, si duket, ato (asnjëra) nuk me deshën mua. Gjithsesi, jo,aq sa prita prej tyre!
Z. Sefaj, çka pas “Ani çka”?
Pothuajse asgjë. Punoj në finalizimin (kryerjen) e një libri me shumë faqe, i cili, tani për tani, ka titullin “Shpen’ udhëtar”. Déjà vu. Asgjë e re! Kam mbledhë e tubuar, në një vend, numër të madh, reportazhesh, që i kam shkruar tani e dyzet vjet më parë, deri në ditët e sotme. /Telegrafi/
Foto: Fahredin Spahija
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë