LAJMI I FUNDIT:

Ulpiana Lama: Ia dola me sukses, në jetë!

Ulpiana Lama: Ia dola me sukses, në jetë!

Ulpiana Lama, moderatore e njohur në gjithë trevat shqiptare, këtyre ditëve është larguar nga Top Chanel, ku udhëhiqte me aq thellësi dhe pedanteri, shoun “Pasdite në Top Chanel”. Por, a do të thotë se Ulpiana ka braktisur në tërësi dashurinë e quajtur - gazetari?!

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Ulpiana kohë më parë ka nxjerr edhe librin publicistik, “Ia dolëm”, që është një libër i rrallë i saj në formë ditari për luftën në Kosovë. Ajo, ndonëse gjendet për pushime, nuk hezitoi që të na japë këtë intervistë ekskluzive për portalin tonë, ku flet për shumë gjëra interesante dhe domethënëse.

Mësojmë se je larguar nga drejtimi i "Pasdite në Top Channel". Pse tani ky vendim?
Ishte hap i arsyeshëm, mbylla një cikël – afro 500 emisione, rreth 800 orësh transmetim, përmbi 4 mijë të ftuar, 600 orë grim. Televizionin e dua, nga TV kam nisur, ka qenë puna ime e parë. Mirëpo, jam në gjendje ta shoh me realizëm, pa iluzion. Dëshiroj që energjitë e mia t’i investoj në projekte që më apelojnë, siç është p.sh., një emision i përjavshëm, e krahas tij mësimdhënia dhe të shkruarit.


E përjashton rikthimin në një emision të përditshëm?
Jo, aspak, por jo tani, kam në kokë shumë ide, dua t’i zhvilloj. Si t’ju them, kam vetëm një jetë, ajo nuk është sa e breshkës së ujit, që jeton deri 300 vjet. Çdo vit i jetës është i rëndësishëm për mua, i papërsëritshëm, dua ta jetoj plotësisht!

Çfarë të ka dhënë Pasdite?
Oh, më ka dhënë shumë. Të ndjesh më mirë tempin televiziv, ta kërkosh rrëfimin e vërtetë, autentik, të dëgjosh me kureshtje dhe pa paragjykime histori njerëzore nga më të ndryshmet. Si sociologe, konkluzionet janë më të shumta; ky emision është një laborator, një minierë karakteresh, jetësh, realitetesh…Ah, ju lutem, më jepni mundësinë të shpreh disa falënderime. Së pari, publikut besnik të Pasdite më të cilin për dy vite jemi parë thuajse përditë. I jam mirënjohëse për dashurinë dhe besimin e dhënë. Po ashtu, autores së emisionit Dori Daka, regjisorit Redjan Mulla, gazetarëve, koordinatorëve dhe gjithë stafit mbështetës (grimere, kostumografe, teknike). TOP Channel është vërtet TOP! Një ndër ambientet me, absolutisht, etiken më të lartë të punës. Unë ia dola faqebardhë…

Për çfarë tjetër ‘Ia Dolëm’? Kam parasysh librin tuaj…
Ju kujtohen fotot e mijëra refugjatëve në Bllacë? Të ndryrë si shirita shpageti në kuti, mes dy kufijve, në një tokë që nuk ofronte asgjë, as ujë, as bukë, as dhimbsuri, as të nesërme…A ju bie ndërmend fotoja e një burri në të 40-tat që i tronditur e i përlotur u tregonte reporterëve ndërkombëtarë fotot e dy fëmijëve të tij të mitur? Pa ditur ku ishin, në ç’duar kishin rënë, gjallë a vdekur. Të pafuqishëm, të nepërkëmbur, të keqtrajtuar fizikisht, mendërisht. "Ia dolëm!" është për ta. Rigjetjen e atdheut. Për fitoren e shpresës mbi dyshimin.

Doja t’ju komplimentoja për stilin, sepse më pëlqen qasja të cilën përdorni për të arritur tek argumenti, por doja të dija a ka një nxitje specifike?
Gjithmonë! Është në rendin natyral që nga një nxitje e vogël, të krijohet një zinxhir efektesh. Në një teori fizike që njihet si teoria e kaosit, flitet për efektin e fluturës (butterfly effect). Metaforikisht, rrahja e krahëve të një fluture në Hong Kong, mund të shkaktojë një furtunë në Nju Jork. Ngjashëm ndodh në realitetin e brendshëm, atë të mendimit dhe emocioneve. Imagjinoni tani që dy dekadat e mbrame kanë qenë gjithçka përveç se monotone. Jashtëzakonisht shumë ngjarje kanë ndodhur, jam ndjerë herë në vorbull, herë në periferi të tyre, por ngjarjet nuk mund të më linin indiferente, kam reaguar në mënyrën time, duke folur (shkruar) publikisht.

Analizat tuaja sjellin opinione mbi fenë e politikën, e sidomos mbi fenomene që vijnë të përkufizuara qartazi. Ju keni ndryshuar qëndrim mbi diçka që e keni shkruar dikur?
Kur iu ktheva për redaktim shkrimeve të mia, druaja se do me dukeshin naive, ose të ‘skaduara’. Fatmirësisht nuk ishte ashtu.

Kur kam lexuar ‘100 ditët e Haradinajt’, kuptova se ju reflektonit një ndjenjë ‘admirimi’ ndaj tij dhe punës së bërë, si i keni marrëdhënie me të?
Z.Haradinaj e kam takuar në vetëm 2-3 raste, rrethana plotësisht të pamjaftueshme për të pretenduar se e njoh. Shkrimi erdhi në një kontekst të caktuar. Ante Gotovina, një gjeneral kroat shumë i njohur për ish-Jugosllavinë rreth rolit të tij në luftën kroate për pavarësi në fillim te viteve ’90, kaloi 4 vjet në arrati. Ratko Mladiç ishte ende në arrati dhe mundi t’i fshihet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës prej 1995-2011, për plot 19 vjet. Ante Gotovina ishte një hero, Ratko Mladiç një anti-hero. I vetmi fill lidhës ishte bërja bisht drejtësise. Haradinaj, jo vetëm që u paraqit vullnetarisht, por dha mesazhe paqtuese duke u ngritur në nivelin e burrështetasit, kur fatet e tij personale ishin në një udhëkryq serioz. Në shkrim kam vlerësuar aktin, nuk i kam thurur lavde personit. Siç mund ta keni vërë re, në të gjitha shkrimet e mia, nuk merrem asnjëherë me individë, por me aktet e tyre.

Po miq politikë-bërës nga Kosova apo Shqipëria që ju kërkojnë mendime, a ka, nëse po për çfarë i këshilloni?
Nuk do thoja që takohem me politik-bërës, këshilltarë të tyre, po. Individë të cilët i kam miq, me të cilët dialogoj. Po, besoj te dialogu. Nuk mund ta zëvendësosh me asgjë dialogun. Nuk mund të thuash ‘magjia e këshillës’, ‘magjia e debatit’. Por mund të thuash ‘magjia e dialogut’, një rrugë shkëmbimesh, e dyanshme, jo njëkahëshe. Në fund të një dialogu, secili që ka qenë i përfshirë ndjen se ka dhënë e ka marrë. Këshilla duket imponuese, secili e di vetë për çfarë ka nevojë. Në një dialog arrihet te konstatime a konkluzione një pjesë e të cilave mund të marrin vlerën e këshillës.

Përtej ngjarjeve të ditës që ju kanë nxitur të shkruani, a keni hasur ndonjë të përbashkët mes profileve të politikanëve të Shqipërisë e Kosovës?
Më shumë se ç’duket me sy të lirë. Motivet i bashkojnë politikanët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo edhe shumë anë të tjera të botës. Mund të tingëllojë cinike, por është e vërtetë: politikani synon të blejë besnikëri dhe ndikim. Pa to, nuk e ka të gjatë. Qëllimi i tij i mbramë është të qëndrojë në pushtet. Kur flasin për të mirën e atdheut, shpeshherë duhet zëvendësuar fjala ‘atdhe’ me ‘karrierë’. Dhe ndërsa mendojnë për karrierën, ndodh të bëjnë gjëra të mira, nëse kanë vizion, imagjinatë dhe këmbëngulje.

Keni pohuar se të ardhurat nga shitjet e librit do të shkojnë në ndihmë të familjarëve dhe fëmijëve të prekur nga Sindroma Down. Përse kjo ndjeshmëri juaja ndaj kësaj kategorie?
Ishte një hollësi që nuk doja ta bëja publike. Imja është ndjeshmëri për persona që e konsumojnë hallin e tyre publikisht, në një vend që është shumë i ashpër edhe për më të fortët. Kërkova ta takoja Afërdita Seitin, drejtuesen e përkushtuar të organizatës ‘Ndihmoni jetën’. I shpjegova se të ardhurat nga libri janë minimale – pasi shlyen kostot me botuesin, distributorët etj, të pamjaftueshme, pra për nevojat e tyre. Por i pohova se jam e gatshme të dëgjoj, të mësoj dhe të ndihmoj me ç’kam mundësi. Kanë qenë seanca kthjellimi dhe vetëdijesimi. Afërditën e kam njohur në emision; më imponoi respekt me qartësinë, thjeshtësinë, përkushtimin, mirësinë. Ajo më bëri të kuptoj se jo vetëm individët me sindromën Down, por gjithë ata me aftësi të kufizuar intelektuale dhe fizike janë në hall, në një vend ku nuk ka as infrastrukturë, as mirëkuptim, as mundësi shkollimi e punësimi. ‘Ndihmoni jetën’ po punon me të rinjtë e qendrës për t’i aftësuar ata vetë në avokim dhe lobim. A nuk është frymëzuese?

Teksa lexoja një nga shkrimet tuaja, më bëri përshtypje një përqasje rreth heroit, duke sjellë Katonë si hero të Rusoit. Po i juaji cili është?
Heronjtë janë produkt i kohës dhe rrethanave. Në politikën e sotme globale, shembull mahnitës për mua është ai i vendeve nordike. Kanë ende shumë ‘sekrete’ për të ndarë me ne rreth politikave, kohezionit social, integrimit dhe diversitetit kulturor. Heronjtë e mi? Gjyshja ime. Prindërit e mi. Protagonistët e librave që më kanë frymëzuar dhe të gjithë ata burra e gra që në fund të ditës çojnë bukën në shtëpi pa i bërë bisht punës, pa fyer, pa vjedhur, pa mashtruar. Që mes gjithë sfidave të jetës ia dalin të ruajnë ndershmërinë, ndjeshmërinë, integritetin.

Makiaveli thotë: “Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë do të shijohen më mirë”. Ju si i keni marrë ato dhe si po i shijoni?
Eh, të tjera rrethana ishin ato në të cilat jepte këshilla Makiaveli. Ky nëpunës inteligjent e ambicioz jetonte në një periudhë kur gjithçka dhe fatet e gjithkujt vareshin nga raportet me prijësin. Sot, ka pluralitet mundësish, të fundme sigurisht, por gjithsesi të shumta. Po, kam pasur shanse të para, disa i kam përdorur mirë. Asgjë nuk më ka ardhur si dhuratë. Punoj shumë. Nuk e di çfarë do kisha arritur diku tjetër, në një vend më shumë me tepër mundësi. Nick Hanauer, investitor amerikan, në një letër të gjatë dhe fort interesante të datës 30 qershor drejtuar bashkëpatriotëve të tij multi-milionerë shkruan: "edhe më të mirët ndër ne, në rrethanat më të pafavorshme, do të ishin këmbëzbathur, duke shitur fruta në një cep rruge të ndotur". Shqipëria nuk është ndër vendet më të volitshme, besoj, biem dakord. Ndaj ndjehem mirë që nuk jam këmbëzbathur, kam strehë, njerëzit e dashur pranë vetes, nuk i kam bërë keq askujt (nëse nuk ia kam dalë të bëj mirë) dhe çdo ditë punoj për ta merituar respektin.

Bashkëshorti juaj Adriani është lexuesi i parë, por a është edhe kritiku i parë? Përse ju kritikon/sugjeron më shpesh?
Oh, po, ai është kritik. Veçse i bën me humor. Humori është amortizues i mirë. Kemi parasysh, vetëm 10% e konflikteve vijnë si rezultat i opinioneve të ndryshme, 90% shkaktohen nga toni i gabuar i zërit. Nuk më rëndojnë kritikat e Ardianit. Janë të tilla që më shtyjnë të përmirësohem. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Investitori i kriptovalutave gropos arkat me thesar miliona dollarësh vlerë, sfidon këdo që t'i gjejë ato në SHBA

Investitori i kriptovalutave gropos arkat me thesar miliona dollarësh vlerë, sfidon këdo që t'i gjejë ato në SHBA

Amerika
Bëhet viral goli i tretë i Harry Kane ndaj Augsburgut

Bëhet viral goli i tretë i Harry Kane ndaj Augsburgut

Bundesliga
Haaland rrezikon të dënohet me burg në Zvicër

Haaland rrezikon të dënohet me burg në Zvicër

Ndërkombëtare
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Kalo në kategori