LAJMI I FUNDIT:

Nga pellazgu i varfër e përparimtar, mbiu një Lexhendar

Nga pellazgu i varfër e përparimtar, mbiu një Lexhendar

Nuk ka hyrë në politikë, por është gjendur vetë në mesin e saj. E di origjinën e popujve dhe të ardhmen deri në katër miliardë vjet, por e preokupon fakti se karriget në Asamblenë Komunale të Prishtinës nuk kanë rrota. Lexhendari e ka paraqitur pasurinë e që ka - një pikturë që kushton një miliard euro, ndërsa pranon se syri i Kadri Veselit është shumë i bukur dhe mjaft bindës. Nuk e tregon emrin e lexhendares që ia ka pushtuar shpirtin, ama synon që Partinë e Fortë ta shtrijë anembanë globit. Ndihuni legjendar në bisedën legjendare me të vetmin Lexhendar - Visar Arifajn.

Fillimisht, a mendoni se duhet të vazhdojë tradita që çdo biografi e njerëzve të mëdhenj, siç jeni ju, të fillojë kështu: “Lindi në një familje të varfër, por përparimtare”?

Kjo është shumë ide e mirë. Sa më i lartë të jetë kontrasti në mes të fillimit të jetës së një njeriu dhe arritjeve të tij më të larta, aq më meritor dhe i suksesshëm do të tingëllojë. Andaj është shumë e nevojshme që fillimi të jetë i shkruar në afërsinë më të madhe të mundshme të kiametit, natyrisht me ngjyrime bujare dhe përparimtare.


Pse i keni hyrë politikës dhe kush e zbuloi talentin tuaj për politikë?

Politikës nuk i hyra unë. U gjenda vetë në mesin e saj. Secili prej nesh është pjesë e politikës. I vetmi dallim është se a je në anën e politikëbërjes apo të politikëngrënies.

Me ligj nuk janë të ndaluara “partitë e killavta!”

E kujt ishte ideja për “mbiemrin” Lexhendar?

Të qenët kryetar i Partisë së Fortë të bën që automatikisht të fitohet edhe titulli Lexhendar. Është pjesë thelbësore e Partisë dhe e nevojshme për ta mbajtur lart moralin e saj.

Pse Lexhendar, pse jo “Qytetar”, “Përparimtar” “Bajraktar” apo, p.sh., “Kryetari katundar?”

Titulli Lexhendar nuk është përjashtues ndaj titujve të tjerë. Besoj që secili prej këtyre mbiemrave të përmendur do të ishte mjaft adekuat dhe mund të përdoret varësisht prej rastit.


Partia e Fortë… A ka parti të lodhëta, parti të dobëta, parti “të killavta”?

Me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, ende nuk është i ndaluar regjistrimi i partive të lodhëta, të dobëta apo të “killavta”. Rrjedhimisht, edhe ekzistenca e tyre nuk mund të mohohet.

Jeni parti origjinale, apo parti “fotokopje” e ndonjë partie rajonale apo evropiane?

Origjinaliteti i Partisë së Fortë nuk bën asnjëherë të jetë në dyshim. Në anën tjetër, ne mendojmë se idetë e mira duhet të kopjohen sa më shumë dhe të avancohen edhe më tej. Vetëm në këtë mënyrë sigurohet progresi i civilizimit.

Visar Lexhendari apo Visar Kryetari, si ju pëlqen më shumë që t’ju thërrasin?

Mjafton Cali. Është vërtetuar se modestia mund të sjellë më shumë vota.

Shqiptari, amerikani e gjermani – me prejardhje prej barsoletave

Lexhendarët në të vërtetë i takojnë së kaluarës, e ju jeni Lexhendar i gjallë. Pse jeni të lidhur me legjendën?

Të jesh pjesë e një legjende nuk do të thotë të mos jesh i gjallë. Ajo që i karakterizon legjendat është më shumë shpërfillja që i bëhet realitetit, duke e bërë të pamundur që ato të vërtetohen. Legjenda kërkon thjesht besim nga ndjekësit e saj dhe nuk ka nevojë për fakte.

Meqë jemi tek legjendat, prej kujt e ka prejardhjen shqiptari?

Shqiptari, së bashku me amerikanin dhe gjermanin, e ka prejardhjen prej barsoletave.

Mbiemri juaj është Arifi! A janë Arifajt pellazgë?

Arifajt kanë prejardhjen nga një familje pellazge e varfër, por përparimtare…

Keni votuar për shitjen e xhipit të ish-kryetarit Mustafa? Pse nuk i keni bërë kërkesë Shpendit që këtë xhip t’ia dhurojë kryetarit Lexhendar, apo ju meritoni një xhip tjetër?

Në fakt, shitja e automjetit të ish-kryetarit Mustafa nuk ka ndonjë rëndësi për neve. Deklaratat që i kemi bërë për blerjen e “Audisë” kanë qenë vetëm sa për të fituar simpatinë e votuesve tanë dhe për të treguar fortësi krahas partive të tjera.

Një kryetar legjendar, në një Asamble me Fisnik Ismailin e trashë, me Sami Hamitin të dyshuar për korrupsion, me Memli Krasniqin “hoxhë-myfti” i Qeverisë… mos është pak nënçmim për ju ky nivel?

Më shumë e kam bezdi që në Kuvendin Komunal karriget janë pa rrota.

Çka ka Lexhendari të veçantë që nuk e ka Hashim “katundari”, Isa “akademiku”, Ramush “bodibilderi”, Albin “patrioti” apo Behgjet “milioneri“?

Etiketimi i tillë i individëve është nën standardet etike të Partisë së Fortë.

Cila ishte pasuria juaj para se të bëheshit politikan?

o, natyrisht se e kam paraqitur pasurinë, duke përfshirë këtu edhe pikturën time e cila ka vlerë një miliard euro.

Gjatë fushatës keni dhënë një propozim për zgjidhjen e problemit të ujit në Prishtinë. A keni sot një propozim konkret?

Partia e Fortë i ka të gjitha planet konkrete për zgjidhjen e secilit problem të Kosovës. Qytetarëve vetëm u mbetet ta votojnë atë dhe të kenë besim të plotë.

Në mungesë të ujit, zakonisht lahem në mëngjes

Një pyetje paksa private, cili është itinerari i larjes tuaj në banjë, apo kur keni ujë në banesën tuaj?

Reduktimet e furnizimit me ujë natyrisht se na bëjnë të gjithëve më të organizuar. Koha mëngjesore është ajo të cilën e konsideroj si më adekuate për larje.

A e kanë zbuluar shkencëtarët e Partisë së Fortë se kush e ka ndal shiun dhe borën sivjet në Kosovë?

Klima është fenomen interesant. Na kujton se shumë gjëra duhet të shikohen nga aspekti global, në mënyrë që të kenë kuptim. Përndryshe, nëse e kufizojnë vrojtimin vetëm në “mahallën” tonë, mund të biem në konkludime të gabuara, si lidhja në mes të reshjeve atmosferike dhe lotëve të njerëzve. Është e vërtetë që, teknikisht, lotët avullohen dhe në fund të fundit edhe përfundojnë si pjesë e lagështisë atmosferike. Mirëpo, sasia e lotëve që nevojiten për të shkaktuar ndonjë reshje shiu është e pamundur të arrihet edhe nëse të gjithë banorët e Prishtinës do të qanin pa ndërprerë.

Jeni asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Betimin e keni dhënë, sipas ligjeve të Kosovës, para se Partia e Fortë ta njohë Kosovën. A pajtoheni që me këtë akt për herë të parë jeni dukur joserioz?

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Partia e Fortë nuk ka rëndësi kronologjike, ajo është edhe retroaktive.

Pse pas njohjes së Kosovës nga Partia e Fortë nuk po iniciohet pranimi i Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare e intergalaktike?

Kosovës fillimisht i duhet ta sigurojë njohjen nga të gjitha partitë vendëse dhe pastaj të kërkojë të njëjtën gjë nga jashtë.

Kush e ka kuptuar më së miri vizionit tuaj: prishtinalitë apo “ardhacakët”, “qytetarët” apo “katundarët”?

Ata që mbahen me ndarjet “prishtinali apo ardhacakë”, “qytetarë apo katundarë”, definitivisht nuk e kanë kuptuar vizionin e Partisë së Fortë.

A ua di Shpend Ahmeti për nder që ua dhatë pushtetin në Prishtinë?

Pushteti nuk është nder, por përgjegjësi. Besoj që edhe z. Ahmeti është i vetëdijshëm për këtë gjë. Në anën tjetër, mënyra se si shfrytëzohet pushteti është çështje që nuk ka pse t’i interesojë publikut. Ajo mbetet vetëm mes neve, shtresës politikëbërëse.

Çka mendoni për të dhe në përgjithësi për pushtetin e ri në Prishtinë?

Është ende shumë herët të jepet ndonjë vlerësim. Çdo gjë varet nga niveli i kooperimit me PF-në, e cila kuptohet se është zgjidhja e vetme e drejtë.

Çështja e liberalizimit të vizave nuk është e rëndësishme për Kosovën

Si e komentoni deklaratën e Lunacekut për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Nuk e shohim si shumë të rëndësishme çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pasaporta e Kosovës është e mirëseardhur në mjaft vende dhe nuk na nevojiten më shumë. Deklaratat për liberalizim sa më të shpejtë do t’i përdorim më shumë gjatë fushatës parazgjedhore.

A doni me ia mësy edhe Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e sivjetme nacionale?

E kemi vlerësuar situatën si të denjë për të marrë pjesë edhe ne në zgjedhjet nacionale të Kosovës dhe konsiderojmë se nuk është e drejtë që ta privojmë edhe kësaj radhe qytetarin e Kosovës nga mosmarrja pjesë në zgjedhje. Pra, është e sigurt që ne do të jemi pjesë e zgjedhjeve të 2014-s.

Cili do të jetë projekti i Partisë së Fortë për Kosovën e cili slogani juaj gjatë zgjedhjeve të sivjetme?

Çdo gjë ende është sekrete dhe nuk mund të shpaloset paraprakisht. Të gjithë janë të vetëdijshëm se idetë tona zakonisht kopjohen edhe nga partitë e tjera. Sado që nuk kemi asgjë kundër kopjimit, dëshirojmë që t’u japim më shumë kohë subjekteve të tjera të vijnë me ide origjinale.

Shërbimi sekret SHPIF, si e parashikon situatën aktuale politike dhe të ardhmen e Kosovës e të rajonit?

Shërbimi Informativ SHPIF vetëm se e ka një parashikim, mund të them 90% të saktë, jo vetëm për ngjarjet e pesë viteve të ardhshme, jo vetëm të Kosovës, por edhe të mbarë rajonit. Por, duke e pasur parasysh se është shërbim sekret, natyrisht se ato nuk mund t’i ndajmë me publikun.

Si e komentoni debatin për ish-punëtorët e shërbimit serb? Po flitet që ju dini diçka?

Këto debate janë të iniciuara dhe të paguara nga kuzhinat e shërbimit sekret të Serbisë dhe kanë të vetmin qëllim: shkatërrimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Çka mendon për syrin e Kadri Veselit?

Shumë i bukur dhe mjaft bindës.

PF-ja s’ka gisht në aferat korruptuese në Turqi

Duke qenë Lexhendar, sigurisht se keni edhe qëndrimin tuaj për bashkimin kombëtar?

Sigurisht se e kemi edhe qëndrim për bashkimin kombëtar. Fillimisht duhet të definohet se çka është kombi që pastaj të bashkohemi. Duke qenë se ne e shohim veten si pjesë e një kombi të madh evropian, bashkimi kombëtar për të cilin ne punojmë është vetë Bashkimi Evropian.

Po për krizën në Ukrainë, çka mendoni?

Ukraina është një shembull i shkëlqyer, ndoshta që mund ta marrim se si mund të jetë një vend i vendosur për integrime evropiane, ashtu siç është edhe Kosova. Situata në Ukrainë ndoshta është edhe e ngjashme në disa aspekte për Kosovën, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me aneksim të një pjese të territorit nga një vend fqinj. Andaj edhe mund të simpatizojmë edhe ne me situatën e Ukrainës.

A pajtoheni me mendimin se pasi mësymja ruse në Krime u dënua nga Ministria jonë e Jashtme, lideri rus, Vladimir Putin, është mbështetur për muri?

Këto deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës janë gjithmonë të dobishme dhe jam i sigurt që kanë shumë ndikim të madh në jetën e shumë ngjarjeve historike globale. Është shumë e dobishme që ne jemi të vetëdijshëm për rolin tonë që kemi në politikën globale dhe ta dimë vendin tonë duke vepruar dhe duke u deklaruar mu aty.

Po për Erdoganin dhe skandalet e përgjimit e të korrupsionit, çfarë mendimi keni?

Ju siguroj të gjithëve se Partia e Fortë nuk është e lidhur as në mënyrë direkte e as indirekte me ato që dolën publike pas përgjimeve. PF-ja është e pastër këtu.

Këto skandale në Turqi shpërthyen pasi ju, gjatë vizitës së fundit të Erdoganit në Kosovë, nuk patët kohë ta takoni! Sa i dëmshëm ka qenë për Turqinë, Kosovën, rajonin, refuzimi që ia keni bëtë atij?

Partia e Fortë i ka prioritetet të qarta. Më vjen keq që nuk patëm kohë ta takojmë Erdoganin në Kosovë. Ne vazhdojmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë dhe nuk i përfillim këto trazira minore që nuk vlejnë as të përmenden. Pushteti është gjithmonë në krahun tonë.

Të kthehemi prapë te temat vendore. Çka mendon për shahirët dhe pse nuk ta kanë kushtuar ata një këngë?

Ne mundohemi që politikën ta mbajmë sa më larg këngëve dhe t’u lëmë atyre hapësirë të plotë në punën kreative. Nuk është mirë për asnjërën palë që t’i hyjë tjetrit në profesion.

Bob Dylan është i limituar për mungesë të ndikimit të Dervish Shaqës

Bob Dylani e ka imituar Woody Guthrien apo Dervish Shaqën?

Bobi ishte i limituar sa i përket ekspozimit të kulturave të ndryshme muzikore, andaj edhe vërehet mungesa e ndikimit potencial nga Dervish Shaqa.

Po lojërat tona tradicionale shqiptare, pse nuk ishin të pranishme në Lojërat e sivjetme Olimpike në Sochi?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Lojërat Olimpike tashmë janë kryesisht lojëra tradicionale të paraardhësve tanë indoevropianë. Ajo që dallon është vetëm stina.

Kur do të ngrihet lapidari yt dhe kush do ta fitojë tenderin për këtë? Si do të duket statuja jote?

Është vetëm çështje kohe. Dizajni dhe fituesi i tenderit tashmë janë vendosur. Besoj që nuk do të jetë befasi për askënd. Lapidari do të ngrihet në “Lakërishte”, pranë aksit rrugor. Do të jetë i kthyer kah presidenti Bill Clinton dhe duke ia kthyer përshëndetjen me dorë.

Keni kritikuar protestat e studentëve, me të drejtë, sepse ishin kundër suksesit të Kosovës që ka më së shumti doktorë shkencash për kokë banori në botë. Cili është sot qëndrimi i juaj për UP-në?

Unë jam i bindur që Universiteti i Prishtinës ofron mundësitë më të favorshme për një student në këtë kohë kaq dinamike. Plagjiatura dhe kontrolli jo edhe aq i shtrënguar në punimet shkencore, i liron studiuesit që të merren më shumë me punë praktike dhe të mos humbin kohë në teknikalitete akademike.

A ndiheni mirë me nivelin e lartë të plagjiaturës në Kosovë dhe pse plagjiatura nuk u përfshi në Ligjin për amnisti?

Plagjiatura nuk duhet të konsiderohet si diçka e jashtëligjshme dhe si e tillë as nuk do të duhej të përfshihej në Ligjin për amnisti.

Shkencëtarët e Partisë së Fortë e kanë zbuluar pozicionin e loçkës. Pse ende nuk është publikuar ky studim? Apo mbase origjinaliteti është i dëmshëm për shoqërinë?

Loçka nuk ekziston. Është vetëm shprehje e materializimit të kënaqësisë. Zakonisht përdoret në momente kur njerëzit janë në afekt të kënaqësisë së lartë.

A jeni Lexhendar vetëm në politikë apo edhe në jetën private?

Natyrisht që jeta private duhet të jetë shumim më i afërt me realitetin dhe në atë mënyrë edhe lexhendariteti mund të vijë varësisht prej nevojës. Pra, aty duhet të jemi njeri normal dhe t’i respektojmë edhe vetë ligjet e natyrës.

A ekziston Lexhendarja, ajo që ta ka marrë “shpirtin në grusht“?

Ekzistenca e lexhendares duhet të mbetet në suaza, ndoshta të lexhendaritetit. Pra, të mbetet në atë nivelin i cili nuk bazohet aspak në realitet, por vetëm në imagjinatën e ndjekësve të bashkësisë së fortë dhe se si ata e shohin më adekuate.

Shtrirja e PF-së anembanë globit tokësor

Çfarë tipi femrash do? Dhe, a është më mirë që femra të jetë inteligjente apo me gjoks të madh?

Inteligjenca është shumë e dëmshme, por jo edhe aq e rrezikshme nëse nuk kombinohet edhe me njohuri. Kjo do t’i shtynte më shumë femra që të luftonin për barazi dhe të mos e toleronin diskriminimin në shoqëri. Që t’i ikim sa më larg kësaj situate është më se e nevojshme që me çdo kusht vlerësimin e një femre ta kufizojmë vetëm tek madhësia e gjoksit.

A e konsideron veten seks simbol?

Më shumë e konsideroj vetën simbol të progresit.

A duhet ta mbrojmë artin nga ata artistët e Kosovës?

Arti gjithsesi duhet mbrojtur nga artistët. Vetëm mbetet që fillimisht të identifikohet se cili është arti në shoqërinë tonë.

Kur do të realizohet projekti hapësinor i Partisë së Fortë?

Të hënën.

Si vizionar që jeni, si do të duket e ardhmja e shqiptarëve?

Për afro katër miliardë vjet parashihet që galaktika jonë, Rruga e Qumështit (Kashta e Kumtrit) do të ndeshet me galaktikën Andromeda. Kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në Sistemin Diellor, i cili ndoshta vetëm se do të largohet nga qendra e galaktikës. Nuk kemi pse të brengosemi shumë pasi që deri atëherë, temperaturat në Tokë do të jenë shumë të larta që të ekzistojë uji në formë të lëngët për shkak të ngritjes graduale të rrezatimit diellor, duke e pamundësuar kështu jetën në Tokë. Mirëpo, deri atëherë, kemi mjaft kohë…

Dhe për fund, cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Përveç shtrirjes së pushtetit në tërë globin, jo diçka të veçantë… /Telegrafi/

Video: Robert Bacaj & Përparim Namani

Në trend

Më shumë

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Lajme
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Lajme
Kalo në kategori