Elvira Dones, shkrimtarja më e mirë shqiptare, në romanin “Luftë e vogël e përkorë” rrëfen një copë nga historia shumë e afërt e Kosovës. Në Itali, kritika dhe publiku e ka mirëpritur dhe pëlqyer shumë. Gjithashtu edhe lexuesi shqiptar por, kritika në Shqipëri e Kosovë, për çudi, ka heshtur!
Intervistoi: Flora Durmishi
Zonja Dones, cilat janë komentet që keni marrë në Itali, Shqipëri e sidomos në Kosovë?
Tregu shqiptar dhe ai kosovar janë krejt të ndryshme. Në këtë rast libri në Itali kishte dalur një vit e gjysmë përpara dhe eci jashtëzakonisht mirë. Eci mirë dhe unë jam shumë e lumtur për këtë. Eci mirë edhe për sa i përket kritikave letrare që janë shumë të nevojshme gjë që nuk ndodh në tokat tona. Në Shqipëri dhe Kosovë, kritika e mirëfilltë jo vetëm që nuk ekziston por për këtë libër ka pasur një heshtje të madhe. Është nga ata libra impenjativ, është nga ata libra angazhues që njeriu nuk e blen për ta lexuar nën çadër gjatë pushimeve në verë, përshembull. Pra, kush e merrte në dorë një libër si ai “Luftë e vogël e përkorë” duhet të ishte një lexues i mirëinformuar dhe i dëshiruar për të ditur më shumë.
Si e ndërtuat rrëfimin, personazhet? Ju keni hulumtuar shumë seriozisht këtu në Kosovë. A janë të vërteta ngjarjet dhe personazhet që përshkruani? A janë emra të përveçëm?
Mua m’u deshën vite, shumë vite përpara se vërtetë të vendosja ta shkruaja këtë libër edhe mbasi kisha akumuluar, mbasi kisha mbledhur gjithë materialin bazë, me hollësinë më të madhe, me ditë me javë, me orë madje se çfarë ndodhi në Kosovë në ato 87 ditë sidomos, të bombardimeve. Personazhet nuk janë të vërteta me emër dhe mbiemër. Ky është vërtetë një hulumtim gazetaresk, por ama pastaj është shkruar në formën e një romani të mirëfilltë kështu që, shumë personazhe janë të ngjizur. Është një copëz e këtij personazhi me një copëz të asaj ngjarjeje që ke vendosur ta fusësh si shkrimtar brenda rrjetit të tregimit tënd. Atëherë, në këtë kuptim mund të thuash që çdo personazh është një, njëqind, dhe askush!
Zonja Dones, më keni thënë në një rast që, gratë të cilat ju keni intervistuar, ju kanë rrëfyer në vetën e tretë. Një numër i tyre sot kanë filluar të flasin në vetën e parë! Si e shikoni ju këtë?
Fakti që shpesh herë viktimat tregojnë në vetën e tretë është e vërtetë, jo vetëm për hulumtimet e mia, për intervistat me viktimat gjatë shkruarjes së romanit, gjatë mbledhjes së materialit për romanin “Luftë e vogël e përkorë” flasin në vetën e tretë, por këtë e kam vënë re edhe kur kam shkruar për trafikimin e grave, për trafikimin njerëzor. Me një fjalë, shpesh herë viktima e largon atë që i ka ndodhur duke folur në vetën e tretë. Plagët do të jenë gjithmonë të freskëta sidomos për këtë brez viktimash që e ka hequr mbi lëkurë, që e ka hequr mbi shpirt, që i ka shkatërruar jetën, por edhe për fëmijët e tyre. Nuk është e lehtë për një fëmijë të jetojë pranë një nëne të traumatizuar sado që nëna të mundohet ta menaxhojë atë traumë që ka kaluar.
Unë jam shkëputur, ka disa vjet që nuk kam ardhur në Kosovë dhe nuk kam mundur të vij dhe kjo që ju më thoni, ju si gazetare, që sot po flasin në veten e parë lumturohem për këtë sepse është një hap i madh. Është një hap jashtëzakonisht i vështirë dhe është një hap i domosdoshëm. Ato gra, në momentin që fillojnë të flasin në vetën e parë dhe thonë: Mua më ka ndodhur kjo! Ato janë ngritur mbi plagën e tyre! Ato kanë ngritur në këmbë personalitetin e tyre, dinjitetin e tyre edhe sepse ai dinjitet do të jetë gjithmonë i gjymtuar. Por, ama ka gjymtim dhe gjymtim.
Përmes këtij romani, ju u keni dhënë zë atyre që nuk kishin zë për kohë të gjatë. Vetëm tani së fundi ka një nismë për mbështetjen e grave të dhunuara përmes një Ligji për të cilin ka shumë debate. Si e shihni ju këtë dhe a keni ndonjë këshillë, rekomandim?
Unë mendoj se Ligji për mbështetjen e grave të dhunuara duhet aprovuar dhe kaq! Duhet miratuar dhe kaq! Duhet të jetë i mbështetur nga çdo mekanizëm i shtetit dhe jo vetëm nga shoqëria civile. Është e domosdoshme për Kosovën, është e domosdoshme për ngritjen e dinjitetit të një vendi të tërë. Kjo është një plagë e madhe për gjithë shoqërinë! Gruaja është gjysma e shoqërisë. Nëse gruaja është e plagosur atëherë gjithë shoqëria është e plagosur.
Çfarë keni mësuar nga këto gra?
Nga këto gra, në radhë të pare, kam mësuar dinjitetin. Nga këto gra kam mësuar forcën. Pas luftës, këtyre grave, iu desh të kalonin mbi psikikën e tyre, mbi dhimbjen e tyre, mbi plagën e tyre të madhe. Dhe, ato gra që unë kam takuar, i kam ndjerë deri në shpirt. Kam ndjerë bukurinë e tyre, forcën e tyre.
A ka interesim që të bëhet film?
Po, në fakt ishte një grup filmi italian që deshi ta bënte një film. Gjërat avancuan përpara por me krizën ekonomike në këtë moment të bësh një film për një luftë dhe një luftë të vogël siç ishte ajo e Kosovës, në Itali ishte një mision pothuajse i pamundur. Nuk u bë filmi në këtë moment por u bë një pjesë teatrale e cila u vu në skenë në Teatro Stabile në Torino, në Itali dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Ishte në skenë për dy muaj të tërë me të njëjtin titull Picola Guerra Perfeta. Regjisor ishte Domenico Kataldo.
Ju keni vendosur të shkruani për tmerret që përjetuan motrat nga Kosova. Sa ka ndikuar emocionalisht te ju, gjatë kohës sa e keni shkruar romanin?
Nuk mund të mos ndikojë emocionalisht. Për respekt të asaj dhimbje, për respekt të asaj që ndodhi në Kosovë u informova edhe më tepër se ç’më duhej të isha e informuar. Hulumtimi për mua mbetet gjithmonë, gjithmonë një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por ama, në rastin e këtij romani, pikërisht për rëndesën psikologjike, për rëndesën emotive, ky proces ishte akoma edhe më i gjatë. Ishte akoma edhe më i vështirë.
Ju lutem më veçoni ndonjërin nga personazhet që nuk ju hiqet dot nga mendja!
Një nga personazhet që nuk më hiqet dot nga mendja është Blerime, një personazh gjysmë i vërtetë. Po ju them një gjë që ndoshta nuk e kam thënë në ndonjë intervistë apo ndoshta askush nuk ma ka bërë këtë pyetje sidoqoftë personazhi i Blerimes është marrë nga disa personazhe të tjerë ose është i marrë më shumë nga kronika e dhunës, e përdhunimit të grave, e shumë vajzave të tilla. Është një shkëputje në një farë mënyre e shumë personazheve të tjerë. Mirëpo, ndërrimi i emrit, ngatërrimi i emrit të saj nga mediet është diçka që ka ndodhur vërtetë dhe ka qenë një lajm që është publikuar në Corriere de la serra në fund të luftës, në kampet e refugjatëve. Prandaj ajo Blerime nuk më hiqet dot nga mendja sepse pas gjithë asaj që kishte ndodhur edhe emrin ia ngatërruan.
Komunikimi ke personazhet, reagimi i tyre cili ka qenë?
Libri ka dalë në Kosovë prej një viti, por nuk më kanë thënë se çfarë mendonin personalisht. Nuk e kanë komentuar ndoshta se brenda vetës së tyre u dhemb akoma ajo pjesë lufte edhe, sepse në qoftë se nuk e kanë përjetuar në vetë të parë tmerrin e llahtarshëm të përdhunimit, sido që të jetë, e kanë marrë me gjak, e kanë marrë me ajër, e kanë thithur nga gjithë ajo që ndodhi nëpërmjet motrave të tjera, shoqeve të tjera, nëpërmjet të gjithë asaj që i ndodhi shoqërisë kosovare. Por ajo që më ka pëlqyer shumë dhe më ka dhënë një paqe brenda vetes ka qenë komunikimi me lexues të thjeshtë, me disa gra kosovare të cilat kanë gjetur veten, kanë qenë gra të dhunuara dhe nuk kanë pasur guximin ta firmosin veten e tyre. Janë firmosur dy tri gra si anonime por më kanë shkruar letra të mrekullueshme
Ju jeni duke punuar në një roman tjetër. A mund të na zbuloni se për çfarë bëhet fjalë dhe në ç’gjuhë po e shkruani?
Jo! Parapëlqej të mos flas për romanin që kam në duar. Po shkruhet në gjuhë italiane. Titulli i romanit është “Ndoshta sonte”. Ngjarjet e këtij romani zhvillohen këtu ku unë jetoj. Zhvillohen në mes të San Franciskos dhe burgut San Quentin prison. Personazhet janë amerikanë, por ka një personazh të fortë dhe kontrovers shqiptar. Pra ky është libri që po shkruaj por ndërkohë kam një vëllim me tregime të cilin jam pakashumë në mbarim e sipër dhe po e shkruaj në gjuhën shqipe.
Tema të forta vazhdojnë të mbeten për ju temat sociale. Nuk jeni lodhur? Aty ka dhimbje, ka emocione të forta. Si e përballoni? Unë ju njoh si një grua sa e fortë aq edhe e ndjeshme dhe suptile.
Është pyetje e mirë që më bënë Florë e dashur, mikja ime. Por ja edhe ju merreni me tema sociale, a nuk jeni lodhur? Dhe shume gra të tjera kosovare që merren me shoqërinë civile, gazetare, aktiviste merren me çështjet më të rëndësishme të grave kosovare sot dhe të gjithë shoqërisë kosovare. A jeni lodhur ju? Jo sigurisht. Ose ndoshta lodheni aty këtu, por ama vazhdoni punën tuaj sepse këtë kemi vendosur të bëjmë. Kështu edhe kjo puna ime. Ndoshta janë tema që më shumë më përshtaten. Kam nevojë të prek më dorë atë pjesë të njerëzimit që është i shtyrë, i pështyrë, i pavështruar, i gjykuar keq, i paragjykuar, i marrë nëpër këmbë, i vrarë, i dëmtuar…
Ju punoni me ndërprerje sa në roman sa në dokumentar. Si e zini fillin më pas? Në raste të tilla personazhet ka mundësi të ju dalin dorësh, të marrin vetë rrugën që duan!
Është pyetje shumë e mirë kjo që më bëni. Siç e dimë të gjithë, me letërsi nuk jetohet. Nuk paguhet qiraja, nuk paguhet universiteti i vajzës, kështu që gazetaria po më merr një pjesë të madhe të punës. Kjo është e vështirë për mua në këtë moment. Do të doja shumë të ulesha në këtë moment dhe të merresha vetëm me romanin “Ndoshta sonte”, por me sa duket nuk është e mundur. Ja hyri në mes dokumentari kështu që përsëri do hidhem si pelivani përmbi tel. Por jeta ka gjëra më të vështira por jo, ka edhe gjëra shumë më tragjike, ka dhe gjëra shumë më dramatike kështu që të ankohesh për kaq do të ishte mëkat i madh. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë
"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë