LAJMI I FUNDIT:

Agim Selimi dhe teatri që shëron

Agim Selimi dhe teatri që shëron

Është psikiatër dhe regjisor. Ka ligjëruar në Universitetin e Tiranës, ndërsa pas lufte vazhdon të ligjërojë në Universitetin e Prishtinës. Ka mbi 30 shfaqje të inskenuara dhe shumë çmime të fituara. Është ky Agim Selimi, një prej regjisorëve më të njohur shqiptar, dhe një prej pedagogëve më të dashur të gjeneratave të reja të artistëve në Kosovë.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Për të, çdo fat njerëzor ka një skenar, por jetës duhet t’i shtohet edhe komponenti regjisorial, për ta bërë më të pranueshme e më të lehtë, e jo me përfundim tragjik. Prandaj, mu për këtë thotë se edhe psikiatria është art, siç është shërues edhe teatri.

Studentëve u thotë se nga fama nuk jetohet, por nga puna dhe djersa e përditshme. Ndërsa, si problem më të madh të artit skenik në Kosovë i sheh klanet që kanë shkatërruar kritikën për teatrin dhe që kanë ndikuar në krijimin e shijes së keqe për kulturën.


Për fillim, me cilin Agim preferoni të flasim? Me Agimin psikiatër, apo me Agimin regjisor?

Nuk mund të ndahen Agimi psikiatër dhe Agimi regjisor, sepse është një tërësi që kompleton njëri-tjetrin. Prandaj, fillojmë nga të doni.

Çka ndodhi në rrugëtimin e jetës tënde? Keni studiuar mjekësinë (neuropsikiatrinë), në ndërkohë që nuk i jeni “shkoqur” artit dramatik?

Me artin skenik jam marr që në fëmijëri, fillimisht si aktor e pastaj edhe si regjisor. Sukseset e atëhershme më kanë bërë që të jem këmbëngulës në kompletimin tim profesional në këtë drejtim. Mirëpo, meqë mundësitë për të studiuar diçka nga kjo sferë kanë qenë të vogla në Kosovë, vazhdova fillimisht vetëm me mjekësi. Posa mbarova Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, u krijua një mundësi ideale për të studiuar regjinë e teatrit në Tiranë. Kështu u përmbush një dëshirë e imja e kamotshme. Pastaj, pas përfundimit të regjisë, specializova Psikiatrinë në Tiranë, sepse ishte një sintezë e mjekësisë dhe regjisë.

A keni lindur mjek dhe jeni bërë artist, apo keni lindur artist dhe jeni shkolluar për mjekësi?

Siç e ceka më lartë, mendoj që një mjek është në esencë artist. Por, edhe artisti është një lloj mjeku që duhet të shërojë me artin e tij. Pra, mund të themi se njeriu lindë me artin dhe duke qenë artist mund të bëhet edhe shërues – mjek.

Çka shëron mjekësia (përveç sëmundjeve) dhe çka shëron arti (përveç shërimit të shpirtit)? 

Mjekësia është e domosdoshme. Por, gama e ndikimit është më e vogël sesa fuqia shëruese e artit. Arti mund të shërojë masa. Ndërsa, mjekësia mund të shërojë individët. Psikiatria bën ndërlidhjen e këtyre dy rrymave, sepse psikiatria shëron edhe individualisht, edhe në masë. Seancat mund të jenë shëruese dhe ndihmuese për individin. Por, psikiatria ka fuqinë edhe të shërimit kolektiv, nëpërmes terapisë grupore dhe masave parandaluese, njëjtë siç mund ta ketë edhe arti. Bashkëdyzimi i artit dhe psikiatrisë krijon një kualitet të ri shërues dhe estetik, që mund të quhet psikodramë, metodë kjo e njohur në botën civilizuese e cila ka dhënë shumë rezultate në trajtimin e shumë problemeve dhe çrregullimeve mendore.

Sot, a e mendoni se regjia është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Po për qetësinë shpirtërore, sepse të ndihmon shumë për zbrazjen e akumulimeve psikike të cilat vijnë si pasojë e punës me klientët. Regjia mund të quhet edhe metodë e vetshërimit përmes ventilimit të ngarkesave që vijnë nga klientët. Regjia psikiatrit ia jep një kualitet të ri, sepse klienti analizohet dhe ndihmohet përmes syrit artistik dhe përmes një depërtimi më të thellë në botën e tij psikike. Sa i përket të ardhurave, regjia si të gjitha profesionet tjera artistike, është jofalënderuese, sepse të tillë e bëjnë kushtet dhe shoqëria në të cilën jetojmë. Por, e mira e kësaj është që të jep satisfaksion moral.

Regjisori thonë se i jep shpirt një drame. Sa është vështirë për një regjisor që ta bëjë të gjallë, t’i jap shpirt një drame “pa shpirt”, pa syzhe, pa ngjarje, pa porosi?

Regjisori është autori i shfaqjes teatrale. Duke qenë autor, ai duhet të gjejë mjetet me të cilat një gjë të vdekur duhet ta ringjallë. Prandaj, mund të themi se roli i regjisorit është i ngjashëm me rolin e inkarnuesit. E them këtë pasi ai duhet ta shpirtëzojë një gjë që është e pashpirt dhe të japë produktin final që s’është asgjë tjetër përveçse shpirtit. Prandaj, regjisori nuk bën asgjë tjetër vetëm se personazheve ua falë shpirtin e tyre. Dhe, nëse regjisori nuk ka shpirt, atëherë edhe personazhet janë të pashpirta.

Në rrugëtimin tuaj në teatër keni kaluar nëpër shumë sfida. A jeni “dorëzuar” ndonjëherë? A i keni “quar duart”: shfaqja ka përfunduar ende pa filluar, artistët janë rrëzuar për toke, ndërkaq regjisori Agim Selimi ka kapur kokën me dy duart dhe ka “fluturuar” nga teatri duke bërtitur?

Sfidat në teatër janë të mëdha, për shkak se çdo gjë që bëhet në teatër është punë kolektive. Për të gjetur emëruesin e përbashkët duhet të kesh shumë takt dhe durim. Mund të thuhet që ka shumë dilema, mirëpo duke i zgjidhur dilemat i afrohesh zgjidhjes së sfidave. Asnjëherë, përkundër shumë dilemave, nuk mund të them që kam mbetur pa e zgjidhur sfidën e madhe të quajtur teatër. Ka momente kur në një shfaqje ndihesh më mirë dhe në tjetrën më me ankth. Por, ndodhë që në shfaqjet që ndihesh më me ankth, rezultati përfundimtar të jetë shpeshherë më i mirë. Teatri nuk e pranon dorëzimin.

A keni qeshur në ndonjë shfaqje, a keni qarë, apo a jeni dëshpëruar në fund të një shfaqjeje tuaj?

Zakonisht shfaqjet e mia kur i shoh, i shoh me sy kritik. Dhe, e vetmja gjë që mendoj gjatë shikimit të shfaqjeve të mia janë vetëm gabimet e mia. Prandaj, kur i shoh ato as nuk qaj e as nuk qeshi. Por, nxjerri përfundim se çfarë kisha mundur të bëj më mirë.

Si është ndjenja e një regjisori në fund të shfaqjes, kur duartroket publiku dhe kur artistët e ftojnë regjisorin në skenë?

Është një ndjenjë e çuditshme, të cilën mezi e pret regjisori, për arsye se gjatë tërë kohës sa luhet shfaqja, regjisori është në një stres të madh dhe momenti i përfundimit të shfaqjes është moment i çlirimit emocional e i një relaksi ku mbetet i zbrazët dhe i lirë plotësisht.

Çka ndryshon regjisori prej aktorit? A duhet të jetë edhe regjisori aktor i mirë, apo a mund të jetë një aktor i keq, por një regjisor i mirë?

Regjisori e aktori kanë dallime të mëdha, edhe pse që të dy janë krijues. Dallimi ekziston në mënyrën e perceptimit të kohës së shfaqjes. Aktori ka tremë para se të futet në skenë, por sa futet në skenë stresi mënjanohet si me dorë. Ndërsa, regjisori fillon të stresohet kur fillon shfaqja, e derisa përfundon. Natyrisht që regjisori dhe aktori kanë edhe të përbashkëta, e kjo nuk do të thotë që regjisori duhet të jetë aktor shumë i mirë. Por, duhet të jetë aktor në mënyrë që të kuptojë sfidat me të cilat përballet aktori. Regjisori i mirë duhet që të krijojë kushte, raporte, të tilla që të mundësojë aktorin të shpreh tërë potencialin e tij, e assesi të përpiqet që t’ia bëjë rolin aktorit. Sepse, vetëm aktori mund të bëjë rol të mirë nëse i krijohen këto parakushte nga regjisori. Këto parakushte krijohen gjatë provave, por kryesisht pas provove duke krijuar raporte të afërta me ekipin, duke biseduar për problemet private të tyre. Kjo qasje krijon një raport mbështetës për aktorin. Çdo aktor tek regjisori sheh prindin – drejtuesin e tij. Dhe, jeta pas prove ndihmon në cementimin e këtij raporti dhe reflektimin për karakterin dhe pengesat personale të cilat mund ta vështirësojnë realizimin e karakterit të caktuar.

A është jeta dramë apo regji?

Sipas psikologjisë, çdo fat njerëzor ka një skenar. Por, nëse mbesim vetëm në këtë, atëherë do të përfundonim si persona tragjik. Prandaj, jetës (dramës) duhet t’i shtohet edhe komponenti regjisorial për ta ndryshuar, modifikuar, e për ta bërë më të pranueshme e më të lehtë.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në aktrim dhe regjisurë që ju kanë paraprirë në jetë?

Pa dyshim, meqë kam filluar me aktrim, idhull ka qenë Bekim Fehmiu, aktori i përmasave botërore. Pastaj, ka qenë edhe Faruk Begolli, aktor ndër më të sinqertët që kam njohur. E kam admiruar talentin dhe guximin e Teki Dërvishit, si dramaturg dhe si estet i teatrit. Natyrisht, çmoj shumë intelektualizmin dhe racionalizmin e profesorit tim, Agim Qiriaqi; shpirtin e pavdekshëm të aktrimit në Shqipëri, të ndjerit Vangjush Furxhiu, që po ashtu e kam pas pedagog; njohuritë enciklopedike të profesorit të nderuar Rikard Larja; dhe, energjinë e Drita Pelingut – pedagoges së mjeshtërisë të aktorit. Çmoj, po ashtu, njeriun i cili i theu tabutë e tekstit dramatik e që regjisorit i dha epitetin e autorit të shfaqjes. Ky është i madhi Muharrem Qena. Jam shumë i pasur me faktin që këta emra të mëdhenj ishin jo vetëm mësues, në mënyrë direkte apo indirekte, por edhe fat që i kam pasur miq.

Jeni pedagog në Fakultetin e Arteve, punë të cilën e vazhdoni duke dhënë lëndën e regjisë së teatrit, psikologjisë së personalitetit dhe karaktereve, psikanalizës së rolit, aktorit dhe spektatorit….Por, çfarë ju thoni studentëve për rrugën e kinemasë dhe të teatrit?

Ju them që nuk jetohet nga historia, se për të bërë diçka të vlefshme duhet të qëndrojmë në të tanishmen, sepse vetëm e tashmja prodhon art. Ju them po ashtu që nga fama nuk jetohet, por nga puna dhe djersa e përditshme.

Si e shikoni teatrin në vlerat që ai sjell sot dhe çfarë mendoni për publikun e teatrit, sa i pranishëm është ai?

Mendoj që teatri bashkëjeton me artet tjera. Bile, mund të themi se qëndron në një stad më të mirë. Natyrisht që me këtë nuk duhet të jemi të kënaqur. Por, për ta ndryshuar këtë gjendje të teatrit, sidomos në raport me publikun, duhet të ndryshohet tretmani që ka teatri nga shoqëria (pushteti). Teatri duhet të shihet si një vlerë e cila nuk i jep frutat menjëherë, por në një kohë pak më të largët dhe pa të cilin nuk mund të mendojmë krijimin e një shoqërie të shëndetshme.

Njiheni si pedagog liberal me studentët tuaj. Cili është rezultati i këtij modeli?

Mendoj që pedagogu duhet të jetë liberal, sidomos në arte, sepse në këtë mënyrë stimulohet liria krijuese e studentit dhe krijimi i individualiteteve krijuese. Detyrë e pedagogut është që të hulumtojë ngacmimet krijuese individuale të studentëve, dhe këto ngacmime krijuese të formësohen mbi tabanin personal të studentëve.

Çfarë ju ka mësuar teatri?

Teatri është një mësues i madh. Të mëson për historinë njerëzore, të mëson ta jetosh të tashmen më mirë, ta mëson vizionin e së ardhmes, të bën më praktik, të bën të kesh shumë zgjidhje për një problem…Po ashtu, të bën të kesh ndjenjë estetike për gjërat që të rrethojnë.

Çfarë ndjesish të pashfaqura apo merake keni ju?

Mendoj që të gjitha ato që njeriu nuk mund t’i thotë, mund të pasqyrohen në skenën e teatrit. Ndjesitë e pashfaqura për një regjisor, nga një vëzhgues i kujdesshëm nuk janë më ndjesi të pashfaqura. Sa i përket merakut, mendoj që meraku më i madh është krijimi i një lloj teatri i cili pasqyron problemet e thella psikike të shoqërisë sonë dhe krijimin e një vizioni më të mirë për të ardhmen.

Flitet për familje artistësh, për familje këngëtarësh, për familje regjisorësh. Familja juaj është familje mjekësh apo artistësh më shumë?

Artistësh.

Kush ia jep fizionominë familjes suaj, marrëdhënieve familjare: ju apo gruaja?

Të dy bashkë, sepse pa koordinimin e të dyve, nuk mund të flitet për familje. Natyrisht, ka gjëra në të cilat tonalitetin ia jep njëri apo tjetri, varësisht prej problematikave. Sepse, ka diçka që shpeshherë unë nuk kam zgjidhje, nuk di t’i zgjidhi, por ndodhë edhe e kundërta. Dhe, kjo e bën në familjen time e bën atë simbiozë të qëndrueshme dhe harmonike.

A mund të ketë tek njeriu më shumë se një herë, më shumë se një fillim dashurie? Pra, a ka ripërtëritje për dashurinë?

Dashuria është si fëmija. Fëmija kërkon kujdes, në mënyrë që të rritet dhe të piqet. Po ashtu, edhe dashuria kërkon kujdes në mënyrë që të rritet edhe ajo.

A është në krizë kultura apo shoqëria në Kosovë?

Që të dyja, sepse janë procese dinamike që ndikojnë tek njëra-tjetra. Kemi krizë kulture dhe kjo ndikon në krijimin edhe të krizës së vlerave në shoqëri. E, kjo e fundit ndikon në krijimin e krizës kulturore.

Sa është politizuar kultura në Kosovë?

Shumë. Por, nuk do të thosha se është vetëm e politizuar. Problem më të madh e shoh klanizimin. Kjo ka ndikuar në shkatërrimin e kritikës për teatrin dhe kjo ndikon në krijimin e pasqyrave të rrejshme dhe në krijimin e shijes së keqe për teatrin dhe kulturën.

Edhe sa kohë duhet të presim që në Prishtinë të shfaqet një premierë teatrore në të cilën biletat shiten një muaj më herët?

Besoj që do të presim gjatë, aq sa zgjasin këto politika negative teatrore. Do të presim aq sa të krijohet ndjenja e teatrit si kult në shoqëri. Kjo nuk mund të vijë shpejtë. Kjo kërkon kohë dhe punë të madhe, e të sinqertë, të bërësve të politikave teatrore dhe të krijuesve të artit skenik.

A dallohen për nga cilësia arti i krijuar në Tiranë nga ai në Prishtinë?

Mendoj që arti i krijuar në Tiranë dhe në Prishtinë janë të një cilësie artistike. Natyrisht që dallime ka, por sa ka dallime aq ka edhe pikëtakime. Nuk mund të pretendojmë për dominim në cilësi të njërës hapësirë ndaj tjetrës. Por, është një trend i keq që antivlerat e të dy hapësirave komunikojnë më lehtë sesa vlerat. Prandaj, është detyrë e të dy qeverive që këto dy hapësira të komunikojnë përmes vlerave e jo përmes zëdhënësve të klaneve.

Çka keni vënë në skenë ditëve të fundit, çka keni në plan?

Në Teatrin e Qytetit të Prishtinës – “Dodona”, jam duke përgatitur monodramën “Njeriu i shpellës”, të aktorit dhe dramaturgut të njohur amerikan, Rob Becker. “Njeriu i shpellës” është komedia me jetën më të gjatë në Broadway. Është inskenuar në mbi 30 gjuhë të botës, ndërsa e kanë parë mbi tetë milionë shikues. Prandaj, kemi fat që Kosova e ka të drejtën për ta inskenuar një tekst të tillë. Në këtë komedi, që në thelb është psikologjike, është duke u bërë një punë e madhe, për çka duhet ta ceku edhe angazhimin dhe përkushtimin e aktorit të mirënjohur Veton Osmani. Po ashtu, jam në pritje për të filluar inskenimin e dramës “Vorbulla” të Besim Rexhajt, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Bundesliga
Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia po zhvillon një raketë balistike hipersonike me rreze veprimi prej 1000 kilometrave

Turqia
Kalo në kategori