LAJMI I FUNDIT:

“Jam ndarë nga luftimet, por jo nga boksi e sporti”

“Jam ndarë nga luftimet, por jo nga boksi e sporti”

Boksieri më i suksesshëm shqiptar në historinë e deritashme të boksit profesionist, Luan Krasniqi, pas shkëlqimit të tij për disa vjet radhazi, përvojën e tij po e vë në shërbim të këshillimit, mbështetjes së talentëve të rinj dhe komentimeve në mediumet më të njohura gjermane.

Por, cili ishte Luani jashtë ringut, atëherë kur i paloste dorëzat, fshinte djersët, dilte nga ëndrrat dhe i kthehej jetës reale.

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Z.Krasniqi, kaluan disa muaj që përfundimisht u larguat nga boksi aktiv. Na thoni, si e morët këtë vendim?
Të marrësh një vendim në momentin e duhur dhe të veprosh atëherë kur është e nevojshme, kjo është një vlerë e respektit të vetes dhe të njerëzve që të respektojnë. Prandaj, këtë e kam planifikuar me kohë dhe si tejet normale.


E kishit vështirë të vendosni që të mos jeni më në ring?
Por unë nuk jam larguar nga ringu. Atë e kam në kujtime të përhershme dhe me të shoqërohem në vazhdimësi. Shpeshherë jam pranë ringut, në manifestimet e sportit të boksit, në ushtrimet që i zhvilloj për vetveten në sallën time, pastaj edhe me kolegët e mi që janë aktiv në këtë sport. Shumë herë paraqitem edhe para kamerave televizive ku bisedohet për boksin dhe ngjarjet që zhvillohen në ring.

Me kë ke dashur të boksosh gjatë karrierës suaj, por nuk të është dhënë mundësia?
Ndonjë dëshirë të veçantë nuk kam pasur asnjëherë. Unë kam boksuar me më të mirët dhe kjo më trimëron. Secili kundërshtar imi, ka qenë i njohur në sportin e boksit, ose të them se kundërshtarët e mi janë zgjedhur si më të mirët dhe fitoreve të shumta ndaj tyre u jam gëzuar unë së bashku me tifozët e mi.

Ju nuk arritët të bëheni kampion bote në kategorinë e rëndë, por në boksin amator dhe profesionist keni lënë gjurmë si asnjë shqiptar tjetër deri tani.
Në jetë, mbase është e pamundur të realizohen të gjitha ëndrrat, por, të them të drejtën unë në sport kam realizuar shumë, shumë ëndrra dhe planifikime. Të tjerët le të vazhdojnë. Uroj të jenë të shkëlqyeshëm. Më gëzon interesimi i mëtejshëm i tifozëve të mi dhe të gjithëve, edhe kësaj here, u shprehi mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme.

Viti 1996 ka qenë vit i sukseseve që hapën horizontin e karrierës suaj. Në lojërat olimpike të vitit 1996 në Atlanta të SHBA-së, fitove medaljen e bronztë. Ndërsa në kampionatin botëror për amator, një vit më parë, keni rrahur edhe kampionin aktual të botës në boksin profesionist, Vlladimir Kliçko nga Ukraina.
Viti 1996 ka qenë vit i sukseseve të mia që më hapën horizontin e karrierës dhe më bënë të jam ky që jam. Medalja e fituar në Atlanta, është nga më të dashurat që kam. Ndërkaq, fitoren e atëhershme ndaj Kliçkos pothuaj se e kam harruar fare, sepse pastaj kam patur fitore shumë më të rëndësishme. Ndoshta, kundërshtarit tim të atëhershëm i ka mbetur merak që nuk ka pasur rastin të më takoj edhe njëherë në ring. Përndryshe me vëllezërit Kliçko, jemi shokë të mirë.

Ju ka ngelur ndonjë merak që nuk e keni arritur gjatë karrierës suaj?
Në sportin e boksit i kam arritur të gjitha përveç titullit të kampionit botëror, prandaj merak, si thoni ju, nuk më ka mbetur asgjë.

Cili dyluftim ka qenë më i vështiri?
Mendoj se secila punë është e vështirë, por e lehtë bëhet vetëm nëse njeriu i rreket me dëshirë e vullnet. Kur angazhimit njeriu i qaset mbi këtë bazë, atëherë obligimi që ka bëhet i lehtë. Kështu ka qenë boksi për mua dhe kështu duhet të jetë secila punë për secilin.

Je edhe komentues i disa meçeve që janë zhvilluar në Gjermani në televizionet e njohura gjermane. Cili nga meçet ka qenë më i miri për ty?
Mendoj se secili dyluftim që e kam parë ka qenë interesant. Unë nuk e dalloj meçin në të mirë dhe të keq. Është nganjëherë ndoshta më pak interesant, më pak tërheqës, por secili boksier jep maksimumin për të ngadhënjyer dhe unë këtë angazhim e respektoj. Ndoshta lufta përshkohet me dobësi si mungesa e përgatitjes, pastaj taktika e gabuar, por vet fakti se boksierët ndodhen në ring, është një akt interesant. Ndaj, për mua, të gjitha duelet më duken interesante.

Disa sportistë të huaj, janë kyçur edhe në politikë, si për shembull Kliçko etj. Cilat janë në të vërtetë meditimet politike të Luan Krasniqit…?
Të merresh me atë që dëshiron, është vendim personal. Unë jam angazhuar dhe angazhohem në vazhdimësi për politikë të mirëfilltë dhe avancim të së mirave për njerëzit. Insistoj dhe këtë e bëj sa herë që më jepet mundësia edhe për avancimin e çështjes së Kosovës. Por, që secili ta bëjë punën e vet për së mbari, kjo është më shumë se e rëndësishme. Politikës duhet ndihmuar që ta realizoj misionin për të mirën e njeriut. Disa, mendoj se nuk e kanë vendin në politikë.
Sporti në përgjithësi meriton kujdes më të madh, për ta pasur njeriun e shëndoshë.

Si i shihni gjeneratat e reja të boksit qoftë në Kosovë apo diasporë?
Ishte dikur një periudhë që në sipërfaqe nxori talent të shumtë të boksit. Pastaj një grusht i rëndë si për të gjitha sportet dhe sferat e jetës në Kosovë, e ngulfati këtë sport dhe të gjitha vlerat njerëzore. E tash, mundësitë janë të gjithanshme dhe kjo më gëzon. Sporti në përgjithësi meriton kujdes më të madh, për ta pasur njeriun e shëndoshë. Në radhët e rinisë ka talent për të gjitha llojet e sporteve dhe energjia e tyre, vullneti dhe dëshira për të arritur suksese, më fascinon. Shihni sa sportisti ynë është inkuadruar në sportin e futbollit, gjithandej. Kjo është mrekulli.

Në meçet tua, gjithmonë është mbushur salla me sportdashës e në mesin e tyre ka pasur gjithmonë shqiptarë. A të kanë motivuar brohoritjet e bashkatdhetarëve tanë që të dalësh fitues?
Gjithsesi. Kur e dija se ata luftonin bashkë me mua: unë në ring e ata me brohoritje në salla, energjia më shtohej dhe në vazhdimësi më shtohej obligimi që ndija për të ngadhënjyer. Këtë e konsideroja dhuratë për ata. Natyrisht që në pak raste nga salla kanë dalë të zhgënjyer, por duke shfaqur mirëkuptim edhe për humbjen time, sepse, si më shkruanin në mijëra letra, angazhimi im për të kënaqur pritjet e tifozëve nuk ka munguar asnjëherë.

Po tani që jeni jashtë boksit…?
Unë vetëm që jam ndarë nga luftimet, por nuk jam ndarë nga boksi e sporti dhe se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Tash kam më shumë kohë për vetveten, familjen, shokët, miqtë e dashamirët e shumtë. Por, u përgjigjem edhe ftesave për organizime të ndryshme, për takime, ngjarje sportive, për të komentuar në TV etj. Më gëzon interesimi i institucioneve në Gjermani për mendimin tim për shumë çështje që kanë të bëjnë me boksin e sportin, por edhe për tejkalimin e dukurive negative në mesin e rinisë e të shoqërisë, për aspektet e mundësisë së integrimit të të huajve në të gjitha sferat e jetës etj.

Sigurisht, Luan Krasniqi, një ditë, do të mbajë ndonjë spektakël boksi në Kosovë…
Në Kosovë ndodhem shpeshherë dhe ndiej kënaqësi kur takohem me njerëzit, bisedojmë për boksin dhe preokupimet tjera. Por, po të më jepet mundësia, natyrisht që do të ishte mirë të organizohet edhe diç e tillë.

Kur pritet që sporti kosovar do të njihet në arenën ndërkombëtare?
Gjërat duhet të rregullohen si tërësi dhe se në arenën ndërkombëtare duhet të njihet i gjithë sporti kosovar. Padrejtësitë e deritashme do të mënjanohen shpejtë. Për këtë, unë dhe të gjithë sportistët, miqtë tanë dhe disa mekanizma me rëndësi për vendimmarrje, angazhohen vazhdimisht. Për sportin e Kosovës në përgjithësi, po vijnë ditë të mira.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Analiza e

Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride

Siguri

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Kalo në kategori