LAJMI I FUNDIT:

Rona: E fshehta e “Suus”

Rona: E fshehta e “Suus”

Këtë të herë, ishte ajo që triumfoi në skenën e Festivalit të ‘50 të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me këngën që mban titullin “Suus”, kompozuar nga Florent Boshnjaku, me tekst nga vetë ajo. Njëkohësisht, Rona ishte fituese edhe e çmimit “Interpretuesja më e mirë”.

Kënga “Suus”, është pëlqyer shumë nga publiku shqiptar dhe me votat e jurisë Rona Nishliu arriti ta fitonte çmimin e madh që i jep mundësi asaj të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin më të madh te muzikës evropiane, në Eurovizion, i cili këtë vit zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
Rona Nishliu rrëfen për emocionet e çmimit, por edhe të rejat që e presin atë në skenën evropiane…

Intervistoi: Sava Lena


Rona, ky çmim mendon se ka ardhur falë vokalit tënd apo falë këngës në tërësi?
Mund të jem vlerësuar vetëm për hir të vokalit, për interpretimin, madhështinë e orkestrës dhe përsosmërinë e lojës së tyre apo pamjes, etj., etj. Mendoj se janë shumë komponentë që e ndërtuan, e krijuan atë këngë, ashtu siç ajo u paraqit te publiku. Secili në veçanti, por edhe të kombinuar me njëri-tjetrin, e bënë këngën të jetë fituese. Në këtë festival, solla një material j jashtëzakonisht personal për të cilin kam punuar me kompozitorin Florent Boshnjaku, me sinqeritetin më të madh, deri në detajin më të vogël. Fatmirësisht, na ka ndihmuar shumë edhe Shpëtim Saraçi me orkestrimin e këngës, për ta sjellë sa më bukur edhe me formacionin muzikor. Këtë herë, ndjehej një frymë e re në festival, një frymë shumë pozitive si e orkestrës, ashtu edhe e gjithë organizatorëve, gjë që rrallë ndodh në festivalet tona. Unë kam qenë edhe më herët pjesë e festivaleve në Shqipëri dhe kam përjetuar shumë gjëra … Këtë herë, kisha një përshtypje shumë të mirë, por edhe pas gjithë kësaj ndjenje pozitive, nuk e prisja çmimin. Nuk e mendoja që një ekip nga Kosova do ta fitonte çmimin e parë të këtij festivali.

Po, në fakt, është hera e parë që një ekip i tërë nga Kosova fiton Festivalin e RTSH-së dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion: Ç’do të thotë kjo për ty?
Kjo është e veçanta këtë herë, pasi artistët nga Kosova nuk kanë patur mundësinë deri më tani për t’u vlerësuar. Duke qenë se këtë herë të gjithë komponentët e këngë “Suus” janë nga Kosova, kjo përbën një rëndësi tepër të veçantë. Gjithsesi, mendoj se veprat vlejnë më shumë sesa çmimet…

Ti je autore e tekstit të këngës “Suus”, por edhe e shumë këngëve të tjera. Kjo do të thotë se beson më tepër te vetja sesa te një autor i njohur?
Që në fillimet e mia kam filluar të shkruaj për veten. Tekstin e këngës sime të parë, “Të lashë”, e kam shkruar vetë, tekstin tim sa i takon këngës “Eja”, në bashkëpunim me Bim Bimma & Nr, e kam shkruar vetë, vargjet e “Zonja vdekje” mbajnë firmën time, etj. Kohë pas kohe, shkruaj. Shumë rrallë ndodh të marr tekste të autorëve të tjerë, për vetë faktin se nëse do të këndoja vargje të shkruara nga dikush tjetër, nuk do të isha vetvetja. Dua të shkruaj gjithmonë atë që ndjej dhe kjo më mjafton.

Çfarë impresionesh more në rrethin artistik apo nga publiku, pas çmimit?
Në të vërtetë, jam befasuar nga reagimet pozitive, që nuk i prisja, madje kur e kemi punuar këngën “Suus” me kompozitorin, ishim të bindur që kjo këngë nuk do të pëlqehej nga masa e gjerë dhe jemi habitur vërtet që kemi patur një përkrahje të tillë edhe nga publiku në sallë. Përgjatë kohës së qëndrimit në Tiranë, në provat e festivalit, por edhe në netët e konkurrimit, kam bërë një “burg” le të themi, sa i takon botës virtuale, internetit; nuk kam marrë asnjë lloj komenti, doja të përqendrohesha vetëm te festivali. Më pas mësova që kisha përkrahjen edhe të kolegëve dhe jam shumë e lumtur për këtë, madje mund të them me bindje se nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh e mbështetur prej kolegëve, edhe nga kolegët konkurrentë në të njëjtin festival, si: Hersiana Matmuja, Elton Deda, etj.

Titulli i këngës tënde është shumë i veçantë… Çfarë ka shprehur vetë Rona me të?
Te prezantimi i parë, prezantuesja u shpreh gabim kur tha: “Rona do t’ju tregojë disa gjëra personale”, pasi në këtë mënyrë, zvogëlohet mesazhi i këngës. “Suus”, në latinisht, vërtet do të thotë “Personale”, por personale nuk është vetëm një histori dashurie. Fabula e këngës “Suus”, në disa momente, tingëllon si një histori dashurie, ndërsa më pas, në strofë të dytë, zbërthehet fabula e cila ndryshon drejtim dhe shihet mjaft qartë që nuk ka të bëjë tamam me një histori dashurie. Ky tekst vjen si pasojë e disa përjetimeve që kam patur kohët e fundit, që i ka kaluar çdo njeri në jetën e tij më pak apo më shumë, kur në një moment të caktuar ka kërkuar ndihmë apo ka trokitur në dyert e dikujt dhe më pas ka mbetur i zhgënjyer. Njëkohësisht, jam befasuar nga mirësia apo mbështetja e disa personave që nuk i kam besuar për atë që janë në të vërtetë. Ky është një lloj keqkuptimi i vetes dhe njëkohësisht, i të tjerëve, që deri në një moment të caktuar nuk ke se si e rregullon dhe e vetmja mënyrë për ta shprehur zhgënjimin është të qash. Kjo është edhe ajo çka kam dashur të shpreh nëpërmjet këngës “Suus” …

Ke filluar të mendosh për paraqitjen tënde në Eurovision?
Momentalisht, jemi duke dhënë idetë fillestare; pra, gjithçka është në fazën e propozimit. Shpresojmë që edhe publiku ta përkrahë këtë vendim tonin. Deri më tani kam kuptuar se si do të ecë puna, cilat janë datat, etj. Janë për t’u realizuar videoklipi, promocioni dhe shumë të tjera të cilat ndikojnë për një paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze në Eurovizion. Në muajin maj do të zhvendosem në Tiranë dhe kjo më gëzon shumë. Sa i takon këngës, dëshira ime dhe e disa personave të ekipit është të paraqitemi në versionin shqip, por kemi ende kohë për të vendosur. Kemi shumë punë për të bërë deri në fund të muajit maj…Publikut i premtoj se do të jap maksimumin tim dhe do të mundohemi për një performancë sa më të mirë. Nga natyra, unë jam jashtëzakonisht autokritike, jam shumë e përgjegjshme për punën që bëj, e shoh çdo gjë deri në detajin më të vogël dhe nuk besoj se do të më largohet diçka nga vëmendja.

Ju keni studiuar për Administrim Biznesi, ndërsa merreni me gazetarinë; muzikën, por keni marrë pjesë edhe në një shfaqje teatrale…Çfarë të përbashkët kanë këto profesione?
Jam një natyrë shumë komplekse dhe kam dëshirë që veten ta plotësoj në shumë dimensione, ndoshta edhe sepse kam shumë pasione. Kam mbaruar studimet për Administrim Biznesi dhe kam punuar në shoqërinë civile në Kosovë, kam qenë edhe menaxhere në disa projekte në organizata joqeveritare në Prishtinë, por në të njëjtën kohë, punoj edhe si moderatore në radion Blu Sky, që është pjesë e familjes së madhe të Radio Televizionit të Kosovës. Më pëlqen të komunikoj drejtpërdrejt me dëgjuesit, jam adhuruese shumë e madhe e kulturës, ndjek pothuajse çdo gjë dhe mundohem ta përcjell. Njëkohësisht, mundohem t’u jap hapësirë në emisionin tim edhe krijuesve apo talenteve të reja që nuk kanë mundësinë ta shfaqin diku tjetër talentin e tyre. Një hapësirë për ta është në emisionin “Blu Bizz”. Realizoj edhe një tjetër emision, “Nata Blu”, që transmetohet çdo të hënë, nga ora 23.00-01.00, pas mesnate …
Sa i përket aktrimit, do t’ju tregoj diçka interesante. Kur kisha koncertin tim të parë solistik bashkë me Genti Rushin i cili luante në piano, kishim një koncert “duo” vokal dhe piano. Aty patëm përzgjedhur këngë nga të gjitha trevat mbarëshqiptare. Në këtë koncert ishte e pranishme një regjisore e cila po përgatiste një shfaqje që u dedikohej grave-viktima të luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë, në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë; ishin tre tregime të bazuara në ngjatje të vërteta. Një prej pjesëve të koncertit, asaj i ngjasoi me një vajtim dhe mendoi menjëherë se mund të isha unë që mund ta plotësoja perfomancën e aktorëve në skenë. Kështu, më erdhi oferta për të qenë vokal ishte në skenë bashkë me aktorët, në shfaqjen “Lugina e vuajtjeve të saj”. Edhe unë isha shumë e interesuar për këtë…Një vit e gjysmë kam punuar për një projekt i cili kishte për qëllim sigurimin e një mirëqenieje më të mirë të viktimave të luftës në Kosovë, por edhe në rajonin e ish-Jugosllavisë.

Do të provoje edhe të aktroje nëse do të ta kërkonin këtë gjë?
Jo, sepse mua më pëlqen të jem vetvetja në skenë, më pëlqen të transmetoj te publiku atë që ndjej, pa u munduar të futem në karakter. Më pëlqen të jem artiste, të jem këngëtare, por jo aktore në skenë.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Analiza e

Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride

Siguri

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Kalo në kategori