LAJMI I FUNDIT:

ÇIFTI TRANSPARENT!

ÇIFTI TRANSPARENT!

Pikërisht, me 25 prill në teatrin Dodona, është vënë në skenë premiera e shfaqjes “Çifti i Hapur” me tekst të autorëve Dario Fo & Franca Rame, e me regji të Kushtrim Koliqit. Në këtë shfaqje me mjaft sukses luajtën aktorët Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku. Ata dëshmuan edhe një herë afinitetin për teatër duke ofruar kreacione të cilat u pëlqyen nga publiku dhe kritika teatrore.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Lidhur me këtë shfaqje ne biseduam me bartësit e roleve të vetme, të cilët shpalosën emocionet, përshtypjet, por edhe planet e tyre për të ardhmen teatrore.


Kjo shfaqje ndonëse e shkruar me vitet “80 është një tekst që i kushtohet jetës në çift. Sa keni arritur të mishëroheni me tekstin, aq më parë që është dashur të transformoheni në një çift të paqenë?
E. Reshitaj: Kjo është puna jonë (si aktorë) të misherohemi me tekstin e secilës shfaqje që ne pranojmë ta luajmë, pavarësisht jemi apo nuk jemi te ngjashëm me rolet dhe situatat e krijuara.

B. Sllamniku: Si çdo shfaqje tjetër edhe kjo është proces i arritjeve të kritereve të cilat unë si aktor kam patur për qellim që t’i arrijë. Edhepse i ri në moshë, dhe i pa përvojë (këtë e them kushtimisht) në jetën e çiftit, mendoj se duke i përmbledhur të gjitha informatat të cilat më nevojiteshin dhe të cilat janë të domosdoshme dhe në përkushtim me punën karshi tekstit, raportet me partnerin dhe regjisorin, rrethanat e dhëna nga vepra, kanë dhënë rezultate për krijimin e një personazhi/karakteri të fortë dhe interesant.

Duket se autorët e tekstit duke qenë bashkëshortë, ia kanë hapur letrat njëri-tjetrit, prandaj, ‘Çifti i hapur’, del shumë ‘çift’ transparent. Sa keni arritur ta barni në mënyrë besnike në skenë transparencën e këtij çifti?
E. Reshitaj: Duke mos pasur rezerva dhe botëkuptime të ngurta ndaj tekstit, mendoj dhe besoj që në mënyrë shumë besnike e kemi bartur transparencën e këtij çifti.

B. Sllamniku: Siç e thash edhe më lartë, unë jam i ri, dhe çdo gjë personale nëse do ta kisha bartë në këtë shfaqje, dyshoj që kishte me funksionuar, por si detyrë e një aktori është e padiskutueshme që të arrihet emocioni ose rrethanat e kanë kërkuar nga autori dhe koncepti regjisorial. Mund të ndodh në jetë që të ofrohet një rol i cili asgjë të përbashkët nuk ka me jetën, karakterin dhe rrethanën e paraqitur në vepër, por me mjeshtri duhet t’i margjinalizosh elementet të cilat e formojnë atë personash, apo karakter.

Edona, çfarë do të bënit poqese partneri juaj (Besarti) befas hap mendjen dhe bën një flirt me një femër tjetër?
E. Reshitaj: Hmmm… Nuk e di, por në asnjë mënyrë nuk do t’ia propozoja çiftin e hapur.

Po ju Besart, sikur të ndodhte e kundërta?
B. Sllamniku: Do te flirtoja dyfish me partneren time.

Si e vlerësoni ju propozimin e gruas për eliminimin e konceptit të besnikërisë bashkëshortore dhe krijimin e një raporti të hapur në jetë?
B. Sllamniku: Sinqerisht? As nuk dua ta mendoj atë propozim të dalë nga goja ose mendja e një gruaje. Dario Fo dhe Franca Rame nuk janë të këtij planeti!

Edona, gruaja zakonisht kundërshton me forcë që në nismë, por tevona, ajo ta pranojë ofertën e burrit të saj, sepse kësisoj gjen zgjidhjen e vetme për të qenë e martuar. Si e vlerësoni këtë hap të saj, është i qëlluar apo i gabuar?
E. Reshitaj: Nëse për një femër është e rëndësishme vetëm të jetë e martuar pavarësisht çfarë është ajo martesë, atëherë ky do të ishte hapi ideal. Unë, personalisht mendoj që nuk do ta kisha bërë një zgjedhje të tillë, sepse për mua është shumë më e rëndësishme raporti në çift, se sa martesa, si koncept.

Ndërkaq, Besart, duket se burri mban një krenari të lumtur dhe deridiku të stisur, madje ai nuk ka nevojë t’i fshehë simpatitë e tij duke u çliruar kësisoj nga ndjenja e fajit. Është faj, mëkat, mallkim apo madhështi të dashurosh?
B. Sllamniku: Aq sa unë e ndjej, dashuria është e papërshkueshme, është e pa prekshme dhe deri diku jo reale. Me vetë faktin që nuk ka definicion e as shpjegim ajo ndjenjë, atëherë është e mbinatyrshme, por rastësisht na është dhënë fati që ta shijojmë pakëz. Për mua, më e përafërta e atyre qe përmendet është madhështia. Mendoj që sado reale dhe e kapshme të duket shfaqja që reflekton tek audienca, asgjë nuk është reale, dhe për mua nuk do të funksiononte në çift.

Edona, megjithatë martesat moderne po kanë plasaritje të mëdha, sepse gruaja në këtë rast, nuk po arrin të pajtohet me dashurinë e parë, kurse burri modern, nuk mund ta pranojë një grua që ngarend pas dashurive të shumta. Çka po ndodh me çiftet, pse i kanë lidhjet kaq të qelqta dhe sikur po mjafton një zënkë e vogël për të rrënuar tërë atë që është krijuar me vite ndërmjet tyre?
E. Reshitaj: Liria e të shprehurit të asaj se çfarë ndjen është më e madhe sot sesa në kohërat e prindërve tanë apo edhe me herët, kur edhe nëse nuk ka funksionuar martesa dhe nëse ka pasur shumë probleme ndërmjet çifteve ata nuk i kanë dhënë fund, sepse nuk e kanë pasur lirinë ta bëjnë atë çfarë e ndiejnë. Kanë qenë zakonet, traditat, jeta më konservative e shumë faktorë të tjerë. Ndërsa te femrat, një fuqi edhe më e madhe për të mos u dëshpëruar shumë edhe nëse i jep fund një lidhjeje e veçanërisht një martese është pavarësia e saj ekonomike. Ajo sot nuk mbetet e vetme, pa përkrahje dhe pa moral nëse ndahet nga burri. Kjo edhe shumë arsye dhe rrethana të tjera bëjnë që lidhjet të jenë të qelqta dhe të rrënohen me lehtë se dikur.

Nobelisti, Paolo Coelho, në një rast thotë, ‘nevojiten vite të tëra për të ndërtuar diçka dhe vetëm një sekondë, për ta rrënuar”. A pajtoheni ju me këtë konstatim?

E. Reshitaj: Sigurisht. Pothuajse në të gjitha sferat e jetës (jo vetëm në lidhje, në çift) nevojiten vite të tëra për të ndërtuar dhe vetëm pak për ta rrënuar.

B. Sllamniku: Unë mendoj se diçka që ndërtohet me vite nuk mund të shkatërrohet për pak sekonda, kuptohet e kam fjalën për diçka shpirtërore dhe njerëzore, sepse një objekt mund të shkatërrohet për 5 sekonda e të ndërtohet për 3 vjet.

Sa jeni të kënaqur me lojën tuaj, regjinë, kostumet dhe skenografinë?
E. Reshitaj: Sa i përket lojës tonë mëse paku do të na takonte neve të flasim, sepse gjithmonë ka vend për përmirësime, por mund të them se jam ndjerë shumë mirë dhe komod në këtë rol. Ndërsa, me regjinë, kostumet dhe skenografinë jam shumë e kënaqur. Më pëlqen mënyra e regjisorit Koliqi se si e ka vënë në skenë këtë tekst, veçanërisht përdorimi i të gjitha zhanreve në inskenim. Kostumet janë shumë të bukura, ndërsa skenografia shumë e veçantë dhe me pak elemente.

B. Sllamniku: Në aktrim nuk ka kufi të së mirës, poaq sa s’ka kufi të së keqes. Poashtu, nuk mund të thuash që është gabim një mënyrë e lojës aktoreske, poaq sa nuk mund të thuhet se është perfekte. Loja e aktorit, dhe qasjet e tij ndaj një roli janë një fushe shumë e madhe zgjidhjesh. Keshtuqë, ne kurrë nuk ndalemi së kërkuari arsye, e arsye të tjera për finale sa më të mirë të rolit. Kostumet dhe skenografia janë dizajnim ideal nga Njomza Luci për këtë lloj të shfaqjes, gjithashtu edhe muzika origjinale e kompozuar nga Trimor Dhomi është një plotësim krucial. Koncepti regjisorial është i veçantë dhe shumëllojshmëria e zhanreve, si pjesë e kësaj shfaqjeje kanë bërë që puna ndërmjet nesh (aktorëve) dhe regjisorit të jenë speciale.

Edona, ju në jetë por edhe në skenë dukeni një femër e hapur, kurse partneri juaj duket shumë i mbyllur? A është vërejtur dallimi në karaktere në këtë shfaqje?
E. Reshitaj: Nuk e di se si dukemi në sytë e të tjerëve, por pavarësisht asaj ne nuk i japim karaktereve të personazheve karakteristika tona private nëse ato nuk korrespondojnë, natyrshme ndërmjet vete.

Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe poqese do t’iu jepej rasti, a do të bashkëpunonit sërish?
E. Reshitaj: Bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm, kemi pasur zënkat e vogla (sidomos me Besartin), por prapë se prapë, jo sërish, por gjithmonë do të bashkëpunoja.

B. Sllamniku: Gjithsesi.

Shfaqja “Çifti i hapur” është mjaft aktuale dhe kjo ka bërë që regjisori ta vejë në skenë. Sa keni qenë të hapur ju ndaj njëri-tjetrit dhe sa keni qenë të mbyllur?
B. Sllamniku: Kam qenë i hapur aq sa ka qenë “nevoja”. Por, në këtë shfaqje “nevoja” ka qenë më e madhe se sa zakonisht. Për ta reflektuar thelbin e kësaj vepre nuk ke qare pa qenë i hapur dhe i zhveshur dhe totalisht i sinqertë ndaj kornizave interpretuese të një aktori. Jo vetëm për këtë shfaqje, por aktrimi është sinqeriteti mbi të gjitha, nëse t’i nuk beson në atë që e jep, atëherë as publiku nuk do të besoj.

A duhet që në jetë, nganjëherë, të mbetet e mbyllur dhe jo e hapur, sepse njohja e një sekreti mund të ta ndryshojë jetën përgjithmonë.
E. Reshitaj: Derisa ne jemi individë, edhe pse në çift, prapë se prapë përfaqësojmë personalitete secili në vete, kjo do të thotë që mund të kemi disa gjëra që i ndajmë vetëm me veten tonë dhe me askënd tjetër. Nëse ekziston një sekret që mund ta ndryshoj jetën (për të keq ), më mirë është të qëndrojë i mbyllur.

B. Sllamniku: Unë besoj se sekretet nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë përkohësisht, nuk mund të mbeten për jetë, për këtë edhe besoj se ndodhin ndryshimet në jetë, tekefundit çka të duhet një jetë pa ndryshime.

Në skenë vëreheshin emocione, pastaj momente të nxehta dhe, natyrisht, reagime të ndryshme të publikut. Si i prisnit ju këto reagime dhe sa arrini ta ruani koncentrimin në skenë edhe kur ballafaqoheni me ndonjë gjuajtje fjalësh nga publiku?
E. Reshitaj: Kur na rrëmbejnë emocionet e shfaqjes në skenë, nuk ka asgjë që mund të na e humbë koncentrimin. Edhe reagimet,edhe ndonjë gjuajtje e fjalëve nga publiku janë gjëra që ne jemi mësuar me to dhe nuk janë arsye të forta për pengesa ose për ndonjë doze nervozizmi..

B. Sllamniku: Si çdo profesion tjetër edhe i joni ka një të veçantë dhe magjike. Teatri është magjik. Je i gjallë dhe je i zhveshur para publikut, dhe çdo reagim i tij është i natyrshëm. Teatri është jete, ose një copëz e një copëze jete, dhe është e kuptueshme kur kemi reagime ndaj publikut. Ato mundohemi t’i abstraktojmë dhe të vazhdojmë punën tonë, për këtë jemi, dhe për këtë quhemi aktorë profesionist.

Kur jemi te publiku, sa është ai serioz dhe si e ka pritur “Çiftin e hapur?
B. Sllamniku: Pikërisht ashtu sikur e kam parashikuar dhe e kam pritur që ata ta presin. Shumë mirë!

A po kalon koha e shfaqjeve me shumë aktorë, apo po ndihet mungesa e mbushjes së skenës me aktorë.
E. Reshitaj: As e para, as e dyta. I gjithë sekreti gjendet në përzgjedhjen e tekstit dhe mënyra e inskenimit.

B. Sllamniku: Jo nuk ka kohë për teatrin dhe shfaqjet, gjithmonë është i shenjtë. Nuk mund t’i bëjmë ato ndaras. Nuk ka limite të aktoreve në shfaqje, vetëm poqese ka aq shumë saqë nuk i zë skena.

Për fund, a do të mbeteni të hapur për njëri-tjetrin edhe për ndonjë shfaqje tjetër?
E. Reshitaj: Gjithmonë do te mbetemi te hapur … Ne shfaqje.

B. Sllamniku: Deri sa të jem gjallë!

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori