LAJMI I FUNDIT:

Viti jubilar i Theofan Nolit dhe kontributi i tij për Kishën

Viti jubilar i Theofan Nolit dhe kontributi i tij për Kishën

Theofan S. Noli lindi më 6 janar 1882 dhe ndërroi jetë më 13 mars të vitit 1965. Në këtë vit jubilar Kisha Ortodokse në Durrës kreu një përshpirtje mes besimtarëve të shumtë dhe personave të pushtetit vendor. Gjithashtu u zhvillua një veprimtari me referate, poezi dhe himne të përkthyera prej tij që i dëgjojmë në shërbesat fetare.

Në këtë përvjetor të tij u bë edhe inaugurimi e një rruge me emrin e tij, në bashkëpunim me pushtetin vendor të qytetit, pas kërkesës së kishës ortodokse dhe disa qytetarëve. Sigurisht, ai meriton të kujtohet me një vëmendje të veçantë në një rreth edhe më të gjerë. Kjo për arsye të rëndësisë së figurës së tij dinamike brenda historisë sonë.

Noli ka hyrë tashmë në histori si një personalitet i shquar në botën shqiptare, si një njeri i ditur, klerik i lartë, kryeministër, poet, shkrimtar, përkthyes, diplomat, themelues i së parës kishë ortodokse shqiptare në SHBA më 1908, me dorëzimin (shugurimin) e tij prift më 8 mars. Kjo ngjarje është nisja e lëvizjes së gjithë energjive të tij në veprimtarinë publike, si në sferën fetare ashtu edhe në atë sekulare.


Dorëzimi i tij nuk ishte një rastësi. Kjo vjen prej formimit të tij nga një familje me tradita fetare, me një arsim fetar prej gjimnazit, përjetimit të besimit, të angazhimeve të tij në funksionin e këndonjësit në kishë (psalt), të mësuesit të fesë edhe muzikës kishtare bizantine kudo ku shkonte në Greqi, Egjipt etj. Dëshira e tij për besimin shihet që në moshë të re me frekuentimin e tij të kishës, në lice në degën e teologjisë dhe natyrisht më vonë me angazhime në përgjegjësi kishtare. Arrin kulmin me ofrimin e vetvetes në dispozicion të komunitetit të krishterë ortodoks në Amerikë, duke u dorëzuar klerik. Por angazhimi më i madh ishte përkushtimi ndaj literaturës fetare me përkthimet e tij dhe kjo, si “arritjen më të madhe dhe më të rëndësishme për të”, si rrjedhim, nga kjo pikëpamje mund të flasim për një thirrje hyjnore.

Kështu, ai ka pasur një ndërgjegje të thellë për shërbesën e zgjedhur prej tij, e cila kërkon, sakrifica, kufizime dhe privime prej vetes. Sidoqoftë, për veprën e tij politike dhe sociale janë shkruar faqe të panumërta. Edhe në aspektin fetar janë shkruar shkrime të ndryshme, të cilat e cilësojnë si një nga personat kryesorë që hodhi themelet e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri. Nga ana tjetër, persona të ndryshëm të indoktrinuar nga sistemi komunist kanë trajtuar Imzot Th. Nolin në lidhje me Kishën, si një përpjekje nacionaliste të tij dhe jo si një rrjedhojë e një njeriu besimtar që besonte në Zot, duke e cilësuar afetar. Është e mundur që një vepër kaq e madhe fetare e shpirtërore të mos ketë lidhje reale dhe spirituale me besimin dhe me Kishën? Vetë, lindja në një familje besimtare, rritja, arsimimi, edukimi, formimi janë argumente, të cilat nuk favorizojnë mendime të tilla të disave, të ndikuar nga idetë ateisto-komuniste.

Jeta aktive në Kishë, angazhimi dhe impenjimi gjatë gjithë jetës së tij me përgjegjësitë fetare, përkthimet e tij të shërbesave dhe librave më të rëndësishëm liturgjikë të kishës, përbëjnë argumente të cilat nuk është e lehtë t’i hedhin poshtë, veҫ ata të cilët nuk njohin një dimension tjetër të misterit të jetës.

Mendime të tilla janë tregues i varfërisë së tyre shpirtërore, rrjedhojë e errësimit prej ideologjive materialiste. Jeta e tij është e mbushur me përpjekje, mundime dhe privime duke ofruar veten shpirtërisht dhe trupërisht për t’i dhënë popullit të tij rilindjen shpirtërore, vizion, shpresë dhe kulturë në një periudhë të lindjes, ngritjes së Shtetit Shqiptar dhe ridimensionimit të shoqërisë shqiptare. Për herë të parë vjen në Durrës në fund të gushtit të viti 1913 dhe do qëndronte për pak kohë duke zhvilluar vizita të ndryshme me personalitet e qytetit, përfshirë edhe kryetarët e komuniteteve fetare, me hoxhë Hysenin (Alushin), me priftin katolik, Frano Gjini, dhe mitropolitin e Durrësit, Jakovin. Kjo u mirëprit nga populli i Durrësit, duke krijuar tek ata një përshtypje mbresëlënëse (Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, vëll. I. fq. 287). Për herë të dytë do të vinte në Durrës më 9 mars 1914, ku mban edhe një shërbesë para pallatit mbretëror, duke qëndruar për pak javë në Shqipëri. Ardhjes së dytë të tij në Durrës i paraprin mbërritja më 7 mars e princ W. Wied. Është pikërisht kjo ndërthurje që na tregon se Shqipëria gjendej në një përpjekje për stabilitet politik, por dhe kishtar.

Për herë të tretë vjen në Durrës me emërimin e tij si mitropolit i Durrësit më 1924, pasi më parë u dorëzua peshkop në Korçë më 4 dhjetor 1923 prej peshkopëve Hiertheu me origjinë nga Ҫarshova e Përmetit si eksark patriarkal dhe Kristofor Kisi, që do të bëhej më vonë krypeshkopi i parë kanonik i KOASH-it. Kujtojmë se në këtë periudhë ai ishte dedikuar pothuajse tërësisht politikës dhe situatës kaotike në vend.

Ai përjeton ngjarjet dhe është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ishte Kisha Ortodokse. Një fakt i rëndësishëm i përjetimit të tij është kërkimi me insistim i marrjes së statusit të Autoqefalisë. Është e vështirë të thuash nëse arritjet e tij të shumta për ngritjen e Kishës janë të lidhura me frymën nacionaliste.

Sipas vetë Atë Arthur Liolin, pasardhësi i tij thekson se: “nacionalizmi i tij nuk lejoi kurrë t’i verbonte vizionin për Kishën dhe të ardhmen e saj”(Mehmet Gëzhilli, Fan S. Noli, 6 janar 1882-13 mars 2003) 120 vjet jetë dhe veprimtari, fq. 16). Në një moment tjetër ai thotë se: “ka njerëz të ndryshëm që keqpërdorin emrin, veprat dhe imazhin e tij për të justifikuar qëndrimet e tyre” (Gazeta “Koha Jonë”13. 03. 2001). Ndërsa kryepeshkopi Anastas me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, në fjalimin e tij e cilëson si: “një personalitet që jetonte me shqetësimet e kohës… një personalitet dinamik me horizont të gjerë, ide krijuese dhe nisma të guximshme për përparimin e popullit” (Gazeta “Ngjallja” nr. 1, janar 2012). Pavarësisht roleve në momente të ndryshme të historisë së kohës së tij, ai i qëndroi deri në fund kishës. Gjithë jeta e tij dëshmon se ai kishte lindur për t’i shërbyer kishës, por edhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

Nga ana sociologjike, shoqëria shqiptare ka zhveshur jetën e personaliteteve të caktuara nga jeta fetare, madje duke e veçuar, në atë fetare dhe atë sekulare, duke i paraqitur këto dy sfera të ndryshme në shoqëri, si kontradiktore. Si rrjedhim njërën tenton ta margjinalizojë dhe tjetrën ta paraqesë si moderne dhe të vlefshme deri në promovim. Por Noli dhe pse në thelb mbetet njeriu i fesë, nuk izolohet brenda tempullit, por parimet e fesë i jetëson në problemet e shoqërisë. Veshja klerikale nuk do të bëhej pengesë për të folur dhe shkruar për situata të ndryshme, duke iu përgjigjur nevojave të kohës në shërbim të popullit dhe atdheut. Ofrimi është rrjedhojë e formimit familjar, fetar, shoqëror dhe arsimor. Njeriu i fesë nuk është indiferent ndaj problemeve të shoqërisë dhe përpiqet të kontribuojë për njeriun në tërësi.

Për këto arsye, Noli tregon veten si një udhëheqës shpirtëror me ndjesinë për rolin e tij, i frymëzuar sipas Krishtit për t’i shërbyer me devocion njeriut, por gjithashtu i lejon vetes të frymëzohet edhe prej dy figurave të tjera me përmasa të jashtëzakonshme, të Skënderbeut dhe të N. Bonapartit. Në shumë vendime decizive të tij, do reflektonte mbi këto personazhe. Ai e tregoi veten mjaft energjik në Shqipëri në kohën e ngjarjeve të ndërlikuara, në kohën e ngjarjeve të mëdha që kërkonin përkushtim për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, duke iu përgjigjur shqetësimeve dhe problemeve politiko-shoqërore të kohës. Për këtë arsye ai vë në shërbim energjitë e tij shpirtërore dhe intelektuale në dobi të çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Pikërisht nga ana politike kjo konsiderohet si vepra më e rëndësishme e tij, përfaqësimit që i bën Shqipërisë, duke u bërë shteti anëtar i 48-të i Lidhjes, në Gjenevë, në dhjetor të 1920. Është një kontribut i paçmuar, që vinte në një kohë kur statusi i Shqipërisë nuk ishte përcaktuar ende, ndërkohë nevojitej angazhimi i personave të cilët e ndienin veten bij të këtij vendi. Ndoshta Noli ishte i vetmi, i cili me dhurata të jashtëzakonshme, me formimin e tij prej universitetit me emër, siç ishte ai Harvardit, që mund të përfaqësonte drejt interesat e vendit. Veprimtaria e Nolit është dinamike, e një personaliteti me vlera të shquara intelektuale.

Megjithatë, ai do të ballafaqohej me një mentalitet të vështirë të krijuar nga pushteti i gjatë që kishte ushtruar një trysni mbi lirinë dhe mbi besimin, por në mënyrë të veçantë mbi gjuhën, duke penguar zhvillimin e saj. Ai u përpoq të nxirrte në pah vlerat shpirtërore të këtij populli duke synuar që para së gjithash të mishërohej Ungjilli në gjuhën e tij dhe të zhvillohej kultura e këtij populli. Kontributi në vendosjen një herë e mirë të gjuhës shqipe në adhurim nëpërmjet përkthimeve sistematike të tij është i paçmuar. Librat e shumtë liturgjikë të përkthyer prej tij, që përbëjnë një thesar të çmuar për kulturën tonë fetare dhe trashëgiminë shpirtërore përdoren gjerësisht në Kishën Ortodokse në Shqipëri. Për të gjitha këto ai nuk është vetëm një figurë e ortodoksisë, por i gjithë kombit, ashtu si në të vërtetë është natyra e një besimtari të vërtetë ortodoks, i hapur përballë çdo njeriu dhe çdo problematike njerëzore. Prandaj si një person dinamik me shumë dhurata, veproi me zell dhe këmbëngulje, duke ofruar veten me devocion dhe përkushtim për kishën dhe vendin.

Në veprën biblike të Sirah 49, 14-15 theksohet me të drejtë se: njerëzit që konsumuan veten me dashuri në shërbim të Zotit dhe të shoqërisë, rrethohen me lavdi të përjetshme, kujtimi u mbetet gjithnjë midis njerëzve dhe veprat e tyre kanë vlera të përjetshme. Mendoj se këto mendime hyjspiruese të cituara më lart, i përshtaten plotësisht personalitetit, i cili me besim, zell dhe dituri, me tërë veprën e tij monumentale ka konsumuar veten me dashuri, në dobi të Kishës sonë Ortodokse dhe të Kombit. /Gazeta Shqip/

Në trend

Më shumë
Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Kronika e Zezë
Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Lajme
MKRS del me sqarim: Nuk janë anuluar tenderët për stadiumin në Pejë, Gjilan e Mitrovicë

MKRS del me sqarim: Nuk janë anuluar tenderët për stadiumin në Pejë, Gjilan e Mitrovicë

Sport vendor
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

Afrika
Fenomeni i rrallë që habiti peshkatarët në Turqi, shfaqen para tyre dallgët katrore

Fenomeni i rrallë që habiti peshkatarët në Turqi, shfaqen para tyre dallgët katrore

Interesante
Kalo në kategori