LAJMI I FUNDIT:

Ata që sollën kaosin, vështirë se mund të sjellin shpresë tjetër – përveç kaosit

Ata që sollën kaosin, vështirë se mund të sjellin shpresë tjetër – përveç kaosit

Secila dukuri e shëmtuar ka një fajtor kryesor (përveç fajit kolektiv që ushqehet nga injoranca dhe papërgjegjësia masovike), dhe, për fatin e njerëzimit secila shëmti e ka një zgjidhje drejt së cilës mund të shkohet jo me pak sakrifica.

Këtyre ditëve po shohim një formë të dhimbshme të shprehjes së pakënaqësisë ndaj pushtetit me migrimet ilegale, kryesisht të të rinjve tanë, dhe, për ta rrëqethur edhe më fort zemrën njerëzore (nuk po flas këtu për ato të pushtetarëve), shohim fëmijë dhe gra tek marrin rrugët që nuk sigurojnë kurrfarë sigurie.

Për ata që jetesën njerëzore nuk e shohin vetëm nga këndi i kënaqjes së barkut, epsheve dhe pasurimin, por, e shohin edhe nga këndi i dinjitetit dhe respektit, është e lehtë të arrihet tek konkluzioni se nuk është vetëm lufta e armatosur e armikut ajo që ushtron terror psikologjik dhe fizik që e shtyn njeriun për të marrë rrugë, sikurse këto të ditëve të fundit nga bashkëkombësit tanë.


Ikjet masovike nuk janë të parat që i ka përjetuar populli ynë. Madje, emigrimi, përveç disa të mirave materiale që ka sjellë, ka prodhuar plot lot e dhimbje, ndarje e shkatërrime nga më të dhimbshmet. Si bir i një mërgimtari e kam përjetuar këtë që nga fëmijëria ime ku luksin për të qenë afër babait e shijoja vetëm gjatë pushimeve të tij të pakta, të cilat kalonin mes trajektores ardhje-gëzim-ndarje-dhimbje.

E kishim një pushtues mbi kokë i cili nuk donte vetëm emigrimin tonë, por, thjesht, zhdukjen tonë fizike. Dhe, emigrimi në ato kohë ishte edhe mjet mbijetese, sepse askush nuk ankohej tek pushtuesi se përse nuk siguronte mirëqenie dhe vende pune në Kosovë. Të gjithë e dinim se me atë pushtues s’mund të gjenim gjuhë të përbashkët asnjëherë, sepse në mendjen e tij kishte vdekjen ose largimin tonë nga atdheu.

Por, askush nuk e kishte menduar se edhe pasi që Kosova të bëhet shtet do të kemi ikje të tilla masovike. Dhe, kësaj radhe ata që mallkohen dhe shahen janë pushtetarët tanë të cilët vet i kemi zgjedhur, vet i mbajmë dhe vet u japim mundësinë për të sjellë tek ne këtë kaos që po përjetojmë.

Në shtetin tonë akoma as që ka hyrë në sistem llogaridhënia e përgjegjësve të cilët na e thonë edhe hapur se gjatë fushatave: “kemi premtuar gjëra që bëhen edhe s’bëhen”. Pra, gënjeshtarë të stërvitur që ikjet e bashkëkombësve i shohin si turizëm, sepse luksi i jetesës së tyre u ka verbuar të pamurit që duhet të burojë nga zemra.

Në veturat e tyre të shumëkushtueshme dhe nga restorantet e shtrenjta ata nuk mund ta përjetojnë dot se si ecët në këmbë nëpër malet e Suboticës dhe si duket etja dhe uria në Hungari. Për vite me radhë këta pushtetarë e lan Serbinë, që pasi u largua nga Kosova me luftë, të kthehet e ta gllabërojë ekonominë tonë me prodhimet e veta. Derisa unë shkruaj këtu, një Zot i Madh e di se sa para fiton pushtuesi ynë nga pazaret që bën me matrapazët që u prijnë bashkëkombësve tanë të varfër në rrugët drejt ikjes.

Derisa kamionët e këtij shteti hyjnë në Kosovë, serbët nuk do ta kenë nevojën që sikurse ne, të marrin rrugët e mërgimit, sepse kanë pushtetarët tanë që u sigurojnë mirëqenien e tyre duke ua siguruar shitjen e mallrave të tyre në Kosovë, dhe, në anën tjetër, për të siguruar që kjo gjendje do të jetë afatgjate, kanë marrë të gjitha masat që çdo fabrike apo punëtori vendase t’ia vështirësojë biznesin duke filluar prej politikave të tatimeve dhe doganave e deri tek ryshfetet dhe haraçet. Kjo është arma e fshehtë e Serbisë që nuk dëgjohet si eksploziv, por shpërthen në format që tashmë po i shohim përditë: jostabilitet, varfëri dhe humbje të shpresës.

Si qytetar i këtij shteti kam të drejtë të pyes: çfarë po ndërmerret për ta ndalur këtë fatkeqësi? Ata që po ikin, s’ka dyshim se ikin nga varfëria, humbja e shpresës dhe e ndiejnë vetën të parespektuar dhe të përbuzur. Ju ka vështirësuar jeta nga pamundësia për ta gjetur shtegdaljen prej varfërisë, prej injorimit të shtetit. Kush duhet t’u flas atyre? A ka mundësi që në këtë shtet të dal ndonjëherë ndonjë kryeministër dhe të shkojë te stacioni i autobusëve, të udhëtojë me këta qytetarë tanë jo deri në Hungari, por vetëm një kilometër pa mbërritur tek kufiri i Serbisë. Aty të dëgjojë rënkimet, vajin e fëmijëve dhe ta ndjejë pakëz në shpirt sa e dhimbshme është ta lëshosh atdheun dhe të nisesh në një rrugë që nuk di se nga të çon.

E them me guxim se po të ndodhte kjo, bashkë me kryeministrin do të ktheheshin gjysma e udhëtarëve, sepse do të shihnin pakëz shpresë.

Ikjet nuk kanë filluar vetëm këtë vit, por, ato, heshturazi kanë qenë aktive qe disa vite. Shpallja e pavarësisë vetëm sa i ka shpeshtuar, në vend që të ishte e kundërta. Tashmë nuk është sekret që të kuptohet se ëndrra e shumicës së të rinjve tanë është sigurimi i një jetese në Perëndim, apo edhe më larg. Këta të rinj pothuajse për çdo ditë postojnë porosi për pushtetarët e shtetit tonë nëpër rrjetet sociale, ku e thonë qartazi se shpresat e tyre për të jetuar në Kosovë ua kanë humbur pikërisht këta që sot udhëheqin me shtetin. Në vendin e tyre nuk shohin perspektivë dhe ankesat e tyre asnjëherë nuk kanë arritur nëpër zyrat komode të qeveritarëve.

Paraja publike dhe privilegji i mbrojtjes shtetërore mjerisht mbeti vetëm për një grusht njerëzish, qoftë këta militantë partiakë apo të afërm të pushtetarëve. Pothuajse për çdo ditë në mediat tona lajmërohen qytetarë që kërkojnë lëmoshë për shërim, sepse shteti më parë pajtohet me vdekjen e pacientëve sesa të sigurojë mbrojtje shëndetësore. Ndërsa, kërkimi i lëmoshës për bukën e gojës nuk ka qenë në traditën tonë shqiptare. Njeriu ynë më lehtë e përballon urinë sesa të bëhet lypsarë. Andaj, sot për të siguruar bukën e gojës dhe për të siguruar një jetë të dinjitetshme marrin rrugët me plot rreziqe dhe për të cilat pak ka gjasa që këto rrugë të kthehen në favorin e tyre.

Në mesin e të ikurve mund të gjejmë ish ushtarë të UÇK-së të cilët edhe kanë ardhur nga Perëndimi për t’iu bashkangjitur luftës për liri. Kanë ardhur sepse atë kohë kishin shpresa, dhe kjo është fuqia e shpresës që bën mrekulli.

Athua, a do të kemi ne ndonjëherë pushtet që do ta bindte një mërgimtar të Kosovës që të kthehej nga Perëndimi, jo për të luftuar në Kosovë tashmë, por thjesht për të jetuar?! Mbetet të shihet kjo në të ardhmen, ama personalisht e kam të vështirë ta besoj një gjë të tillë. Nuk e besoj për faktin e thjeshtë se besoj se ata që sollën kaos dhe varfëri nuk kanë forcë për të sjellë shpresë dhe dinjitet. Sjellësit e kaosit e kanë të vështirë t’i ndalin vjedhjet dhe korrupsionin, dhe, rendi, ligji dha barazia e qytetarëve në pjesëmarrjen e privilegjeve që duhet t’i ofrojë shteti është e paperceptueshme për ta.

Për qytetarin e thjeshtë shteti është larg, shumë larg halleve të tyre. Ata vetëm ne televizion e shohin shtetin dhe kur ai ua merr tatimin. Por, në jetën e tyre të përditshme shteti është shumë larg. Për ta nuk ka punë, sepse kanë ministrat më të zotët në Evropë, që janë në gjendje t’i mbajnë nga disa vende pune. Për qytetarin e thjeshtë nuk ka mbrojtje sociale, sepse politikanët e tyre nuk ngopen kurrë me paranë publike. Për qytetarin e thjeshtë nuk ka mbrojtje shëndetësore, sepse shërimi kushton para, dhe, për mentalitetin e pushtetit tonë paraja nuk bën të jepet për shpëtimin e jetëve të qytetarëve të thjeshtë që nuk kanë kurrfarë afërsie apo farefisnie me pushtetarët. Lista e këtyre marrëzive është e pafund, mjerisht…

Mundësia më e afërt është se shumica e të ikurve do të kthehen, apo, më saktë, Perëndimi do t’i detyrojë të kthehen. Mllefi i tyre vetëm sa do të shtohet, dhe, shpresa që kishin në Perëndimin do të venitet. Këta qytetarë do të shohin edhe anën tjetër të medaljes së Perëndimit. Do të kuptojnë se megjithatë është vend i huaj dhe krejt i ftohtë ndaj halleve të tyre. Do të përballen nga refuzimi dhe injorimi. Ndërsa, ata që do të jenë më të gjindshëm do të martohen, me dashuri e pa dashuri, me dëshirë e me para, vetëm e vetëm që të rregullojnë statusin për të qëndruar. Mbase do të përdorin edhe metoda tjera, por gjithsesi i pret një jetë e vështirë.

Për kohën sa do ta jetojnë statusin e emigrantit ilegal, për ta jeta do të jetë një ferr mbi tokë. Vitin e kaluar personalisht kam qëndruar në Gjermani për një vit të tërë dhe kam takuar shumë bashkëkombës që më rrëfenin tmerrin e misionit të tyre drejt rregullimit të statusit. Kam takuar edhe të tillë që më tregonin se kur ia kishte arritur që të sigurojë status të rregullt, i kishte përplasur dokumentet nga ajo që kishte parë prapa jetës së vet, vite e vite të rinisë së tyre me plot pritje, vuajtje, përmallim e punë të rëndë. Kam takuar bashkëmoshatarë të mi që qanin nga përmallimi për familjarët e tyre, ngase përpjekjet e tyre për rregullim statusi u kishin marrë vite e vite pa pasur mundësi të udhëtonin për në vendlindje, pastaj të tillë që kishin lënë fëmijët në atdhe dhe vet kishin bërë kurorëzim për përfitim statusi, dhe madje të tillë që vitet e rinisë u kishin ikur pa u martuar, të varur nga shpresa për të pasur një jetë më të mirë me “letra gjermanie”.

Kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e asaj çfarë kam parë personalisht dhe jam i sigurt se torturat psikologjike që përjetojnë njerëzit që detyrohen ta lëshojnë atdheun janë të papërshkrueshme. Shkronjat nuk e përballojnë dot të japin pamjen e shpirtit të tyre. Çfarëdo që t’u themi atyre është e vështirë, sepse kanë përjetuar rrëmujën më të madhe shpirtërore, atë rrëmujë që është edhe më e vështirë se sa lufta që kemi dalë prej saj.

E them këtë, sepse kjo rrëmujë na vjen së pari nga brenda, nga nuk e kemi pritur. Por, mbetet të shihet në të ardhmen se a do të kemi mundësi të gjejmë udhëheqës që do të heqin dorë nga vjedhja për hir të asaj që më të mos kemi të rinj që ikin nëpër rrugët e botës?!

A do të kemi mundësi që nga shteti ynë të gjithë të përfitojnë, të mirat e tij t’i ndajmë bashkë dhe kështu të gjithë të ndjehemi se kemi mbrojtje shtetërore?! Derisa resurse për jetë të dinjitetshme kemi, atëherë, a do të kemi mundësi që nga gjiri ynë të kemi pushtetarë që qytetarët e shtetit të vet t’i sheh sikur njerëz të familjes së vet, të punojë për ta dhe të heqë dorë që të bëhet milioner në kurrizin e tyre?!

Atëherë kur ta kemi këtë resurs njerëzor, nuk e besoj se më do të ketë njeri që do dëshironte të largohej nga atdheu i vet, por derisa s’do të kemi udhëheqje të drejtë, atëherë ambicia kryesore, me të drejtë, do të jetë emigrimi!

Në trend

Më shumë
Mandl në një linjë me kongresistin amerikan: Kosova nuk do të zhduket, është shembull i bashkëjetesës në Evropë

Mandl në një linjë me kongresistin amerikan: Kosova nuk do të zhduket, është shembull i bashkëjetesës në Evropë

Lajme
Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

Lajme
Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës në ndarjen e mandateve

Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës në ndarjen e mandateve

Lajme

"Kosova do të mbetet e pavarur", kongresisti demokrat Torres reagon ashpër ndaj zëvendës sekretares së shtypit Wilson

Lajme
Trump kabinetit të tij: A është dikush i pakënaqur me Elonin? Nëse po, do ta nxjerrim jashtë

Trump kabinetit të tij: A është dikush i pakënaqur me Elonin? Nëse po, do ta nxjerrim jashtë

Amerika
Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, kush janë pesë kandidatët më të votuar nga PDK?

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, kush janë pesë kandidatët më të votuar nga PDK?

Lajme
Kalo në kategori