LAJMI I FUNDIT:

Përplasja e hipokrizive

Përplasja e hipokrizive

Forca e Charlie Hebdo ishte denoncimi i hipokrizive, përdorimi i sarkazmës kundër të gjithë të pushtetshmëve. Për këtë arsye ishte ironike të shihje mbi pesëdhjetë krerë shtetesh, mes të cilëve shumë flamurmbajtës të autoritarizmit, që kishin ardhur të nderonin gazetarë të cilët vinin në pjesën më të madhe nga e majta radikale, anarkiste dhe libertare, e cila është armiqësore ndaj të gjithë formave të autoritetit.

Sikur të mos kish ekzistuar asnjëherë çështja Salman Rushdie, Irani ka dënuar “radikalizmin e mendimit”. Edhe Arabia Saudite ka denoncuar “burracakërinë” e vrasësve, pak përpara se të niste ndëshkimi shumë më kurajoz i bloggerit saudit Raif Badavi, i dënuar me një mijë goditje për shkak se ka kritikuar klerin vehabit. Ndërkohë që kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu, përpiqej të shfrytëzonte politikisht tragjedinë e Parisit, avokati Alan Dershoviq, propagandist i zellshëm i shtetit të Izraelit, pyeste nëse Franca i kishte merituar atentatet duke qenë se ajo kishte njohur shtetin palestinez, e si pasojë kishte “shpërblyer terroristët”. Ishin edhe autoritetet e Turqisë, vendi që ka më shumë gazetarë në burg, dhe të Rusisë që ka miratuar ligje kundër blasfemisë, të krahasueshëm me ata të disa vendeve myslimanq.

Përtej këtyre hipokrizive të vogla, debati për lirinë e shprehjes që shpërtheu përreth Charlie Hebdosë në dhjetë vitet e fundit, ka qenë i karakterizuar nga përplasja mes dy hipokrizive paralele monumentale, të dyja të paafta për të dalë prej paqartësisë dhe indinjatës selektive. Krejt papritur sheh persona që nuk kanë qenë kurrë laikë, të cilët lëvdojnë “laicizmin alla frëng”, si armë kundër islamit. Kjo fobi ndaj fesë ka më shumë të bëjë me urrejtjen, se sa me humanizmin laik. Në botën arabe, nga ana tjetër, hipokrizia e disa intelektualëve ishte e dukshme që në vitet nëntëdhjetë, kur shumë prej tyre mbështetën “të drejtën e lirisë së shprehjes” të negacionistit Roger Garaudy, ndonëse kishin bërë të heshtnin mijëra të burgosur politikë që marshonin në burgjet e vendeve arabë. E njëjta hipokrizi e intelektualëve perëndimorë që lartësonin pamfletet e Oriana Fallacit dhe ngriheshin kundër antisemitizmit të supozuar të arabëve.


Bota islamike do të ishte më e besueshme në protestat e saj kundër islamofobisë perëndimore, nëse do të përballej me antisemitizmin dhe negacionizmin brenda vetes. Dhe, do të ishte më e lehtë të merrej seriozisht dënimi i antisemitizmit në Perëndim, nëse ky do të kish dhënë prova të indinjatës së vet kur rabini izraelit Ovadia Yosef bënte thirrje të “çrrënjoseshin arabët”, apo kur ish kryeministri izraelit, Menachem Begin, i quante “kafshë me dy këmbë”. Aq më shumë që ideologjia konkretizohet në një pushtim brutal të Palestinës, i cili vazhdon prej 48 vitesh. Nëse refleksi ynë i parë ka qenë pohimi i shenjtësisë së lirisë së shprehjes, do të japim prova topitjeje nëse nuk analizojmë frikën e fiksuar nga islami, që përhapet në të gjithë Perëndimin dhe që të kujton antisemitizmin e shekullit që kaloi.

I ngathtësuar prej vuajtjeve të veta, secili komunitet shfaqet i paaftë për të kuptuar vuajtjet e të tjerëve. E, megjithatë, është demonstruar se antisemitizmi dhe orientalizmi bazohen mbi të njëjtën traditë intelektuale. Për një kohë të gjatë, hebrenjtë janë përshkruar në letërsinë perëndimore si “orientalë”, dhe u janë atribuar të njëjtat tipare që sot u atribuohen myslimanëve. Konsideroheshin të ndryshëm, dinakë, të pa-asimilueshëm si dhe broçkulla të tjera si këto. Antisemitizmi u diskreditua në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore, por disa vazhdojnë t’i konsiderojnë simpatike karikaturat e të njëjtit lloj, që vënë në shënjestër myslimanët.

Debati për lirinë e shprehjes nuk është i thjeshtë. Problemi qëndron në mungesën e koherencës së atyre që duan të mbrojnë disa mendime, dhe të kriminalizojnë të tjerët. Nuk ka asgjë më të kollajtë se sa të mbrosh lirinë e mendimit, kur mendimet në fjalë janë edhe tanët. Bernard-Henri Lévy ka mbrojtur Rushdien përballë radikalëve të Saint-Germain-des-Près; gazetari pakistanez Ekbal Ahmad e ka mbrojtur përballë bashkëkombësve të tij të zemëruar: cili prej të dyve ka qenë më kurajoz? Pjesa më e madhe e intelektualëve perëndimorë dhe myslimanë kënaqen duke predikuar në terrenin e tyre. Të gjithë i harrojnë ato që ka shkruajtur Montaigne për autokritikën dhe ftesën e Theodor Adorno për “të menduar kundër vetvetes”.

Sot, perëndimorët, rreshtohen kundër myslimanëve që konsiderohen të paaftë për të kuptuar lirinë e shprehjes së karikaturistëve, ndërkohë që të tjerët rreshtohen kundër një Perëndimi i cili perceptohet si një tërësi homogjene, raciste dhe imperialiste. A nuk qëndron kurajoja e një intelektuali, mbi të gjitha në përballjen me paragjykimet? A nuk është më mirë që të pastrosh pragun e derës tënde, përpara se të ankohesh për pisllëkun tek porta e fqinjit? /L’Orient Le Jour/bota.al/

(autori është politolog libanez që punon në institutin IRIS në Paris)

Në trend

Më shumë
Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Lajme
Lista Serbe do t'i dërgojë 500 njerëz në Beograd për ta mbrojtur Vuçiqin

Lista Serbe do t'i dërgojë 500 njerëz në Beograd për ta mbrojtur Vuçiqin

Serbia
Mandl në një linjë me kongresistin amerikan: Kosova nuk do të zhduket, është shembull i bashkëjetesës në Evropë

Mandl në një linjë me kongresistin amerikan: Kosova nuk do të zhduket, është shembull i bashkëjetesës në Evropë

Lajme
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

Votat e diasporës, pesë kandidatët më të votuar deri tani nga LVV

Lajme

"Kosova do të mbetet e pavarur", kongresisti demokrat Torres reagon ashpër ndaj zëvendës sekretares së shtypit Wilson

Lajme
Kalo në kategori