LAJMI I FUNDIT:

Terrorizmi kërcënon edhe shqiptarët

Terrorizmi kërcënon edhe shqiptarët

Teoria e Samuel Huntingtonit mbi “Përplasjen e Civilizimeve” duket si një hipotezë e vërtetuar me zhvillimet e fundit globale të një epoke shumë të rrezikshme, të pasluftës së ftohtë, ku skena e politikës ndërkombëtare është kthyer në një kakofoni interesash e qëllimesh të një bote multipolare. Lindja e një shteti teokrat duket më shumë si një tumor me epiqendër në Lindjen e Mesme dhe me metastaza të përhapura në të gjitha kontinentet.

Pjesëmarrja e individëve të etnisë shqiptare në krah të forcave të ISIS-it përbën një problem shumë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare dhe asaj rajonale. Aksionet e ndërmarra deri më sot në Shqipëri, por sidomos në Kosovë, kanë qenë shumë të dobëta dhe kundër principeve të luftës kundër terrorizmit. Sipas Walter Laqueurit, media është miku më i mirë i terroristëve.

Në Kosovë, arrestimet me bujë të madhe, nuk kanë arritur asnjë gjë tjetër përveçse polarizimit të shoqërisë, krijimin e një imazhi negativ shumë të dëmshëm për shtetin e ri të formuar nga një komb i vjetër, si dhe viktimizimin nëpërmjet teorive konspirative të terroristëve. Nëse kthehemi pak në të shkuarën, mund të vëmë re se problemet mbi lëvizjet vehabiste dhe ato neoselefiste, janë vënë në dukje më së shumti gjatë luftës së Kosovës, ku makineria e propagandës së Millosheviqit u mundua në çdo mënyrë ta ngjyroste luftën e filluar nga nacionalizmi serb në një luftë me baza ekstremiste fetare.


Precedenti i mëparshëm i konfliktit të përgjakshëm në Bosnje-Hercegovinë, ku si kisha ortodokse serbe, ashtu edhe shumë lëvizje të nacionalizmit panarab arritën të ngjyrosin konfliktin midis serbëve dhe boshnjakëve në një përplasje të mirëfilltë fetare, nuk pati baza as faktike e as hipotetike në konfliktin e Kosovës.

Situata e komuniteteve të përkatësisë islame në Ballkan, është komplekse dhe e ndryshme nga shteti në shtet. Bosnje-Hercegovina ka një lidhje të forte me identitetin e saj fetar, i përdorur si një mekanizëm dallues kundrejt etnisë sllave. Në Maqedoni mjafton një vizitë e shpejtë në Shkup dhe kuptohet lehtësisht trajtimi i komunitetit mysliman si qytetarë të dorës së dytë, bazuar kjo edhe në identitetin etnik të myslimanëve në vend.

Kosova është pre e dikotomizmit të shoqërisë me tendenca shumë të forta properëndimore, por edhe me manovra efektive të aplikuara nga lëvizje fetare me prejardhje nga vendet e Lindjes së Mesme. Elitat politike në Kosovë, të frikësuara nga identiteti fetar si rrjedhojë e zhvillimeve globale, po mundohen me çdo mënyrë të tregojnë qëndrimet properëndimore duke e thelluar më shumë krizën në vend.

Kjo logjikë po çon edhe në tentativën për ta mbuluar problemin, duke mos i identifikuar shkaqet e vërteta të cilat po favorizojnë lëvizje të rrezikshme në vend. I vetmi vend shpresëdhënës në rajon duket Shqipëria, ku bashkëjetesa dhe harmonia fetare është një traditë e cila ka mbijetuar në breza e shekuj, pavarësisht ndërmarrjeve të shumta për të gjeneruar konflikte me baza fetare.

Duke u bazuar në teoritë kontemporane mbi terrorizmin ndërkombëtar, analizimin e profilit të militantëve të ISIS-it dhe historikun e zhvillimit të rrymave ekstremiste në Kosovë e Shqipëri, konkluzioni mbi një menaxhim të gabuar të situatës do të ishte shumë i qartë, qoftë në kuadrin akademik dhe në atë politik. Feja midis shqiptarëve s’ka përbërë kurrë një mekanizëm përçarës.

Që mbas konvertimeve masive të përfunduara në fundshekullin XVIII, feja ka zënë më shumë vend në sferën individuale sesa në atë politike. Kjo frymë vazhdon ende sot, dhe mund të shihet qartazi në ndasitë e thella midis jetës politike e asaj fetare. Edhe pse disa parti me sfond fetar janë formuar në Kosovën e pasluftës, vendi karakterizohet nga një frymë sekulariste, ku pjesa më e madhe e popullatës përzgjedh përfaqësues nga parti laike.

Fryma e tolerancës dhe e respektit ndërfetar ka një histori pozitive shumë shekullore, e cila ka edhe histori shpresëdhënëse të ndryshme që nga i famshmi Pashko Vasa, strehimi dhe mbrojtja e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe ndodhi të ditëve të sotme, ku myslimanë e katolikë bashkohen në ndërtimin e objekteve të kultit dhe mikpritjen e treguar në vizitat e klerikëve të ndryshëm fetarë.

Problemet me ekstremizmin fetar në Shqipëri, e kanë pikënisjen e tyre mbas ringjalljes së fesë në vend në vitin 1990, ku si rrjedhojë e përfundimit të Luftës së Ftohtë, kalimit nga një botë bipolare në atë multipolare, lëvizje me agjendë politike ndërkombëtare të veshura në petkun fetar, arritën të futen dhe në Shqipëri në një masë jo të madhe, por sidoqoftë të rrezikshme.

Pak më ndryshe është historia e këtyre lëvizjeve në Kosovë. Problematikat me lëvizje të kësaj natyre në Kosovë datojnë pas përfundimit të luftës, ku njësoj si në Shqipëri, implikimi i disa shoqatave të mbuluara nën petkun fetar arritën të implementojnë vizionin e tyre në vend duke përfituar nga mungesa e qeverisjes dhe legjislacionit specifik mbi operimin e tyre në këtë rajon.

Mungesa e formimit të klerikëve në Shqipëri apo Kosovë ka sjellë dhe probleme me zhvillimin e jetës fetare në këto vende. Studentët e teologjisë, të formuar në Lindjen e Mesme, kanë sjellë një aplikim të ndryshëm të islamit nga ai çfarë është hasur gjatë shekujve të kaluar ne këto troje. Evidentimi i rekrutuesve është i thjeshtë.

Ata nuk bazohen në shtyllat themeltare të fesë (feve të familjes abrahamike në përgjithësi), të cilat kanë të bëjnë me humanizmin logjikën dhe harmoninë në shoqëri, por hipnotizojnë turmat nëpërmjet teorive të konspiracionit duke manipuluar mendjet. Profili i militantëve të rrymave ekstremiste në rajon dallohet lehtësisht nga shtresa shoqërore së cilës ata i përkasin.

Kjo në kontradiktë dhe me shumë dispozicione të vetë fesë islame, ku përkatësia etnike, përveçse të qenit element dallues është dhe fakt, i cili kërkon impenjimin e individit kundrejt vendit të tij. Debatet bëhen akoma më të nxehta në rrjetet sociale ku konfliktualiteti arrin një kulm të rrezikshëm për mbajtjen e ekuilibrave si dhe cenon ndjeshëm tolerancën ndërfetare në vendet përkatëse.

Laiciteti, edhe pse është një model korrekt i qeverisjes, favorizon lëvizjet ekstremiste. Laiciteti ne vetvete, duke tentuar ndarjen e sferës politike me atë fetare, krijon vakume në rrolin e shtetit si rregullator duke lejuar shumë pseudo-klerikë të rekrutojnë në masë individë në mbështetje të interesave të tyre.

Nga ana tjetër, arrestimet e realizuara nga forcat speciale në prezencën e kamerave të çdo stacioni të mundshëm televiziv, vetëm se i kanë përforcuar pozitat e rekrutuesve në shoqëri. Ky imazh ka shkuar dhe më tutje duke e paraqitur Kosovën si një vend i cili mbart një potencial të fortë terrorist dhe duke e njollosur vendin në arenën ndërkombëtare, e duke mjegulluar orientimin proeuropian e proamerikan të shqiptarëve.

E thënë me pak fjalë: një autogol fatkeq dhe i turpshëm i paaftësisë së politikës në vend. Mungesa e analizës së thelluar mbi mbështetjen që gëzojnë në popull shumë nga të arrestuarit, i bën këto arrestime aq sa të pavlefshme dhe të rrezikshme.

Sigurisht që shumë nga të arrestuarit përbëjnë rrezik mbi mbarëvajtjen e jetës fetare në vend, por kjo nuk justifikon përdorimin e forcave speciale, kur një fletë thirrje për t’u paraqitur në postat e policisë do t’i kishte sjellë këta individë përpara hetuesve, të cilët lehtësisht do të kryenin punën e tyre investigative ne lidhje me qëllimet e këtyre klerikëve, pa i martirizuar në sytë e grupeve, të cilat minimalisht një here në jave dëgjojnë predikimet e tyre në objektet e kultit.

Nëse do të bënim një krahasim midis marrëdhënieve midis besimtarëve (xhematet), të cilët të paktën një here në jave marrin pjesë dhe dëgjojnë pa kundërshtuar apo pyetur Imamin e xhamisë ku janë pjesë, me takimet gjatë fushatave elektorale të politikanëve me elektoratin, do të kuptojmë më mire formën e marrëdhënies si dhe fuqinë e klerikëve në popull.

Gjithashtu ligji mbi arrestimin e militantëve të ISIS-it është një ndërmarrje e pamjaftueshme. Individët të cilët nisen në këtë luftë të përgjakshme, nuk kanë frikë nga vdekja. Për më tepër ata nisen me shpresën e martirizimit. Një psikoze të rrënjosur nëpërmjet manipulimit të mendjes burgu nuk i bën përshtypje. Në këtë logjikë hapat e ndërmarra deri më sot janë jo efektivë dhe të paplotësuar.

Krijimi i mekanizmave parandalues nëpërmjet këshilluesve socialë, mundësimi i edukimit te klerikëve në vend, operimi funksional e pa shumë zhurmë i shërbimeve të inteligjencës me forcat antiterror si dhe sinkronizimi (brenda kornizës së sekularizmit) të institucioneve qeverisëse me ato fetare do të ishte një zgjidhje më racionale.

Në trend

Më shumë
Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Lajme
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Kroacia
Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Magazina
Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Boks
Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Magazina
Kalo në kategori