LAJMI I FUNDIT:

Partitë t’i nënshtrohen atdhetarizmit

Kosova dhe Serbia gjendjen në një situatë të re, pas vizitës së përbashkët të sekretares amerikane të shtetit, Hilary Clinton me shefen e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton në Beograd dhe Prishtinë. Kërkesat e parashtruara prej kryediplomatëve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë dhe Kosovës tashmë dihen. E, megjithatë, mendoj se e vlen të përsëris thelbësoren e këtyre kërkesave; tejkalimin e dallimeve të hidhura mes dy shteteve dhe integrimin plotësisht të tyre në BE dhe në NATO. U mbajt gjithashtu edhe takimi i kryeministrit të Kosovës me kryeministrin serb më 7 nëntor në Bruksel nën kujdesin e në praninë e znj. Ashton. Rezultatet e këtij takimi u paragjykuan dhe u kundërshtuan nga forca politike dhe media në Kosovë, por edhe në Serbi. Kjo tashmë dihet siç dihen edhe epitet etikuese të ndonjë force politike për z. Thaçi, që e cilësuan deri “tradhtar” për arsye të takimeve të tij me Daçiqin.

Nuk ia vlen të përmendësh gjëra që dihen. Unë e di këtë, por detyrohem ta bëj, kur politikanë e parti bëjnë të pa diturinë dhe kundërshtojnë ecurinë dhe vlerësimin kombëtar dhe ndërkombëtar të rezultateve të derisotme të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pra, mes dy shteteve fqinjë. Kam bindjen se edhe këta kundërshtues e dinë që këto bisedime u kërkuan, u nxitën dhe u realizuan nën këmbënguljen e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së. Kam bindjen që ata e dinë se këta dy faktorë kanë dhënë një kontribut vendimtar për çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë, për shpalljen e pavarësisë e për njohjen ndërkombëtarisht të shtetit të Kosovës. Kam bindjen se kundërshtuesit e bisedimeve e dinë se rruga e vetme e mundshme e tejkalimit të raporteve konfliktuale të dy dekadave të fundit mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu mes tyre, sepse askush nuk “guxon” të flasë për një zgjedhje tjetër (luftën?!).

Në takimin e 7 nëntorit në Bruksel, që u bë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, u vlerësua dhe u përjetua në mënyra të ndryshme nga politika dhe një pjesë e opinionit mediatik në Prishtinë dhe Beograd. Në këtë proces “anti-dialog” është i dukshëm përfundimi: secili ndihet humbës?! Dukuri e ngjashme u shfaq edhe në vlerësimin e ndërkombëtarëve. Mbështetësit “miq” të shtetit të Kosovës përshëndetën dhe vlerësuan rezultatin e takimit, si hap të rëndësishëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, miqtë dhe tutorët historikë të serbëve, rusët, e “anatemuan” këtë akt të Serbisë, sepse, sipas logjikës politike dhe gjeostrategjike të Rusisë, ky akt i jep fund një “konflikti të ngrirë” në Ballkan.


Siç e përmenda edhe më lartë takimit të Brukselit i parapriu vizita e dy figurave më të pushtetshme në politikën e jashtme botërore, znj. Clinton dhe znj. Ashton në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë. Mesazhi që sekretarja amerikane e shtetit dha në Prishtinë ishte: “sovraniteti dhe kufijtë e Kosovës nuk vihen në diskutim”. Mesa duket, kryediplomatja i dha përgjigje shqetësimit tonë të madh. Dashamirëse dhe e angazhuar për ta ndihmuar shtetin e Kosovës, znj. Clinton e përcolli këtë mesazh nga Tirana: “partitë t’i nënshtrohen atdhetarizmit”!

Mesazhi është i qartë. Megjithëse ky mesazh u tha në Tiranë mendoj se ka patur parasysh edhe politikën në Prishtinë. Politika në Shqipëri po “grindet” për miratimin e tre ligjeve në Kuvend me shumicë të cilësuar për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, kurse ne po “grindemi” për nismën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është e ndjeshme në të përditshmen e jetesës së qytetarëve të të dy shteteve, që përshpejton anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, BE …, që përmbyll konfliktet dhe garanton paqen, sigurinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin mirëbesues në rajonin e Ballkanit. Jemi në një fazë përmbyllëse të normalizimit të raporteve me Serbinë. Është shumë e rëndësishme, shumë e vështirë dhe, për më tepër rruga e vetme. Është sikurse Rambuje e dytë, por, unë mendoj edhe më e rëndësishme. Në Francë politika e Kosovës, jo pak konfliktuoze në kohën e vet, u shfaq dhe veproi e bashkuar. Tash, politikanët kosovarë, me më shumë përvojë se sa në Rambuje, duhet të kuptojnë dhe të manifestojnë: atdhetarizmin para interesave të ngushta partiake!

Pjesëmarrja dhe kontributi ideor i çdo partie parlamentare për përballjen dhe finalizimin e bisedimeve me Serbinë, është në favor të Kosovës. Bisedimet janë të domosdoshme, e të pashmangshme. Nuk mund t’i ikim. Por edhe pse jemi në të drejtën tonë, të njohur botërisht, mund të mos arrijmë atë që na takon nëse politikanët e Kosovës nuk shfaqen të bashkuar.

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)