LAJMI I FUNDIT:

Shfaqje dhe efekte të konkurrencës në politikë

Dihet se sistemi demokratik ngrihet dhe funksionon mbi pluri-partizmin, mbi garën konkurruese mes forcave të ndryshme politike për ta marrë pushtetin, pra për ta marrë drejtimin e shtetit. Për këtë arsye në këtë shkrim nuk do të flas për këtë dukuri që njihet, por për shfaqje të konkurrencës brenda një koalicioni partish dhe mes koalicioneve partiake. Meqë kjo dukuri shfaqet më hapur mes forcave politike në koalicion dhe në ballafaqimin mes aleancave politike konkurruese për pushtet, do ta kufizoj arsyetimin vetëm në efektet e konkurrencës në rrafshin e aleancave politike.

Koalicionet partiake duket sikur, përgjithësisht, u ngjajnë shoqërive aksionare, por me një ndryshim thelbësor: aksionarët e një shoqërie nuk konkurrojnë kurrsesi dukshëm mes tyre, kurse partitë e një koalicioni qeverisës nuk mundohen t’i fshehin përpjekjet në funksion të shtimit të “kapitalit” të vet elektoral, gjë që mendoj se është e përligjur. Përpjekja e çdo anëtari të koalicionit për të realizuar e mbrojtur interesat e programin e vet partiak është e pranueshme kur zhvillohet brenda në kuadër të realizimit të programit qeverisës. Por, kur përfaqësuesit partiakë të koalicionit në qeverisje bëjnë rolin e protagonistit për arritjen e ndonjë objektivi të programit të Qeverisë, kjo jo vetëm nuk është e nevojshme, por nuk është as e mirë, për të mos thënë që është e dëmshme.

E bëra trajtesën e mësipërme i nxitur kryesisht nga njoftimet mediatike rreth synimit dhe rezultateve të veprimeve të qeveritarëve tanë, në të cilat vihet në dukje, herë hapur dhe herë me nënkuptim, kontributi personal, por edhe përkatësia partiake. Mendoj se nuk është e nevojshme parashtrimi i shembujve, sepse gjithashtu mund të risjell në vëmendje raste të amplifikimit, përforcimit mediatik të “qëllimit të veprimtarive” të këtij apo atij personaliteti të lartë politik të shtetit tonë. Media është rruga dhe arma më e fuqishme për krijimin dhe fuqizimin e figurave politike të spikatura, sikurse është e tillë edhe për vlerësimin e rrënimin e personaliteteve politike. Mazhoranca politike, që qeveris vendin, e ka më të lehtë menaxhimin e raportit me mediat në interes të vet (mendoj se s’janë të nevojshme arsyet, që e mundësojnë këtë). Por, kur një mazhorancë qeverisëse, që është, sikurse në Kosovë, një koalicion i brishtë me parti të vogla, pavarësisht marrëveshjes me to, ekziston dhe mbetet vazhdimisht nën trysninë e konkurrencës së aleatëve.


Protagonizmi i krerëve të forcave politike në kuadër të një elite politike në pushtet dhe me pushtet është, në rrafshin socio-filozofik, kundërshtia në bashkësi. E thënë thjesht, partitë, “grindja në miqësi?!”, sa mund të thuhet “jemi apo s’jemi miq?!”, gjë që vështirë të kuptohet. Dhe vështirësia qëndron te çështja: partitë përbërëse të një koalicioni qeverisës më shumë bashkëpunojnë apo konkurrojnë?! Jam në mëdyshje në raport me zgjidhjen e këtij problemi. Sepse ecuria historiko-politike e koalicionit të krijuar për qeverisjen aktuale të Kosovës ende nuk më jep argument dhe, rrjedhimisht, edhe mundësi të arsyetoj dhe të dal në një përfundim. Përpjekjet e krerëve politikë për t’u evidentuar në favor të interesave “të shtëpisë së vet” nuk i konsideroj dhe nuk mund t’i quaj tradhti ndaj koalicionit politik, sikurse nuk jam dakord me “mallkimet” e partisë së madhe ndaj të vegjëlve, që si të gjithë të vegjlit, kanë prirjen dhe dëshirën të duken. U mora gjatë me këtë çështje me predispozitën për t’i kontribuar situatës aktuale në Kosovë, kur: kërkohet dhe pritet të rifillojnë bisedimet me Serbinë.

Z. Mustafa kërkon në mënyrë ultimative zbatimin e marrëveshjes politike tripalëshe për zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe afatin e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Kryetarë partish, titullarë në qeverinë aktuale po përpiqen ta bëjnë rolin e protagonistit “në favor” të së sotmes dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës. Opozita “nacionaliste” i kundërqëndron në sallën e Kuvendit, por edhe në gjithë mjediset e territorit të Kosovës çdo veprimi të qeverisë për të zgjidhur në rrugë paqësore (bisedime) konfliktet e derisotme antagoniste Kosovë – Serbi.

Përfaqësuesi politik i AAK-së, bashkëveprues dhe kontribuues në gjithçka, ka arritur deri tashmë në përfundimin që Kosova të mënjanohet nga ushtrimi i pushteteve dhe të pikëzohet në “shërimin e tumorit kanceroz”, atë të Mitrovicës së veriut, për të cilën, kryetari i LDK-së deklaron se e ka “një zgjidhje” që do ta bëjë të njohur pasi ta fitojë pushtetin. Historikisht ka qenë e vështirë për të ndarë të drejtën nga e padrejta.

Ndaj, në mbyllje të shkrimit dëshiroj të kërkoj nga të gjithë grupimet dhe partitë politike, në pushtet dhe në opozitë, të jenë sinqerisht realiste dhe të shpallen e të kontribuojnë në arritjen e objektivave në interes të shtetit të Kosovës: për njohjen e padiskutueshme ndërkombëtarisht të pavarësisë së Kosovës; për anëtarësimin e saj në OKB; për heqjen e vizave, që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së; Për nisjen e proceseve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO dhe BE. Dhe, në përmbyllje: Njohja dhe pranimi, jo vetëm rajonal dhe kontinental, por ndërkombëtar i shtetit të Kosovës si anëtar i OKB-së, është fillimi, synimi dhe zgjidhja finalizuese e gjithë objektivave tona. Politika partiake kulmon dhe realizohet me shtetin, kur nëpërmjet votës demokratike fiton pushtetin. Por, kur brenda kësaj rregullsie, bashkëkontribuuesit e fitores përpiqen të përfitojnë, nisin moskuptimet dhe keqkuptimet. Kjo prirje, që është shfaqur dukshëm në koalicionet aktuale politike në Republikën e Kosovës.

Jam e do të jem i mendimit që janë në disfavor të së sotmes dhe së ardhmes së Kosovës shtet. Kosova, në këto çaste, kur nga Ban Ki Mun e deri në figurat qendrore të BE-së i mëshojnë rifillimit të bisedimeve politike Prishtinë – Beograd për “shërimin e tumorit kanceroz” në Mitrovicën e veriut, ka më shumë se kurrë nevojë për mirëkuptim dhe bashkëpunimin mes subjekteve politike. Partitë tona, nëse vërtet janë përkushtuar shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të jenë më shumë se kurrë mirëkuptuese dhe bashkëpunuese mes tyre. Qëllimi justifikon bashkëpunimin politik!

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)