LAJMI I FUNDIT:

Është momenti që të garantojnë

Bisedimet Kosovë-Serbi u kërkuan, u organizuan dhe pritet të vazhdonin me insistimin e BE-së. Dihen arritjet e nëntë raundeve të këtyre bisedimeve dhe ecuria e shtatë marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, siç dihen edhe rezultatet e derisotme të veprimeve të ndërmarra nga EULEX-i dhe UMNIK-u në Kosovë për zbatimin realisht të marrëveshjeve të arritura.

Jo vetëm mendoj, por edhe besoj se gjithë zhvillimet në bisedimet e Brukselit kanë qenë të hapura për t’u monitoruar e gjykuar nga opinioni qytetar e politik në Kosovë, në Serbi, në rajon, në BE dhe më gjerë. Kjo është arsyeja që jo vetëm akterët e bisedimeve, por edhe faktorët nxitës, garantues e miratues të marrëveshjeve të arritura të jenë bashkëpunues e efektivisht veprues në zbatimin e tyre.

U kërkua nga garantuesit që shtatë marrëveshjet të fillonin të zbatoheshin. U kërkua heqja e menjëhershme e barrikadave bllokuese të rrugëve, që edhe kur u arritën të shmangeshin, u rivendosën. U kërkua me një urdhër nga komanda e NATO-s në Napoli mbyllja e të gjitha rrugëve alternative në kufijtë Kosovë-Serbi, por nuk u realizua. Dhe, u duk sikur kjo u organizua nga “kërcënimi” publik i kryetarit ilegal serb të Mitrovicës me ridaljen në barrikada dhe në bllokim të të gjitha rrugëve – jo vetëm për autoritetet shtetërore të Kosovës dhe për EULEX-in, por edhe për KFOR-in.


Zbatimi i marrëveshjeve të arritura vazhdon të mbetet havadanë. Garantuesit e Brukselit nuk “harrojnë” të bëjnë herë pas here veprime e deklarime si presion diplomatik ndaj Serbisë për zbatimin e tyre. Ndërkohë, dy policë dhe pesë qytetarë të Kosovës u arrestuan nga serbët në kufij. Ndërsa, ruhen të paprekura – madje Bogdanoviq u kërkon qytetarëve kosovarë të etnisë serbe të heqin dorë nga kërkesa për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Serbi me “argumentin” që strukturat e pushtetit lokal serb në Kosovë vazhdojnë dhe premtojnë të jenë të qëndrueshme dhe vepruese.

Gjatë ndërprerjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, për arsye të zgjedhjeve të trefishta në Serbi ( të zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale), Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për Integrimin Evropian të Kosovës përkrah vendeve të tjera ballkanike, ku bëhet thirrje edhe pesë vendeve të BE-së – që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – për ta njohur atë. Miratimi i kësaj rezolute me 475 vota pro është treguesi më domethënës i mbështetjes së BE-së për Kosovën shtet. me prirjen e pashmangshme për t’u bërë pjesë e Evropës.

Këtë prirje, të shfaqur qartë nga rezoluta, BE-ja u “nxitua” të na e konfirmonte përmes përfaqësuesit të vet në Prishtinë. Ky konfirmimin u pasua shumë më shpejt nga deklarimi i z. Stefan Fyle gjatë vizitës së dytë të tij në Kosovë, ku u shpreh se ishte i lumtur që në mënyrë formale po shpallte nisjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Serbisë i jepet zyrtarisht statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE, kurse Kosovës i ofrohet nisja e studimit të fizibilitetit për MSA-në.

U pajtuam përgjithësisht me diferencën e thellë vlerësuese mes dy shteteve – nisur nga historia shtetërore e Serbisë, për hatër të secilës, së paku në dukje, ku filloi Lufta e Parë Botërore. Por, e kemi të vështirë të përballemi dhe të pranojmë zhvillimet pasuese.

Serbia jo vetëm ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por vazhdon, madje nxitë tensionimin e situatës në veri. Sulmet e ditëve të fundit nga strukturat paralele në Mitrovicë kundër shqiptarëve nuk janë bërë kaq hapur as në kohën e Milosheviçit, siç nuk janë bërë as në atë kohë edhe deklarata anti-Kosovë, si ajo e Koshtunicës më 17 prill në Mitrovicën e veriut.

Pushteti dhe strukturat politike serbe, të angazhuara edhe për zgjedhjet e 6 majit, po manifestojnë me forcë me të gjitha rrugët dhe mjetet anti-kosovë. Sot nuk mund të dallosh nacionalizmin serb të Nikoliqit nga estetizimi i këtij nacionalizmi prej Koshtunicës dhe nga liberalizimi i tij prej Tadiqit. Të tërë shfaqen nacionalistë, ndërkohë që shteti i Kosovës përballet çdo ditë në veri me provokacionet e shtetit serb dhe duhet të respektojne dhe t’u përmbahet marrëveshjeve të arritura nën garantimin e BE-së.

Në këto kushte, të krijuara edhe nga fushata e trefishtë zgjedhore në Serbi, opinioni dhe politika shqiptare në Kosovë po përballet me një situatë të vështirë. Ato po përballen me “vrullin” ekspansionist nacionalist serb, “pafuqinë“ shtetërore të Prishtinës dhe “mosveprimin efektiv” të EULEX-it dhe KFOR-it. Kemi besuar dhe besojmë te euroatlantikët, te BE-ja dhe SHBA-ja.

Kemi hyrë me besim te BE-ja si garantë në bisedime me Serbinë; kemi arritur dhe nënshkruar marrëveshje edhe të rëndësishme me ta, kemi besuar se ato do të zbatoheshin nën trysninë e garantuesve, që deri tani, kur situata është tensionuar në veri, po mjaftohen me deklarata “përkrahëse”. Këto mund të përligjen në kuadër të diplomacisë dhe politikës për një farë kohe, por kurrsesi kur vihet në diskutim raporti Kosovë-Serbi dhe stabiliteti në Ballkan. Në këtë moment garantët në bisedimet Kosovë-Serbi duhet të garantojnë.