LAJMI I FUNDIT:

Kundërvëniet e pjesshme shqiptare përballë pushteteve monolite

Në Ballkan, edhe pas tri luftërave për të drejta njerëzore, politike dhe kombëtare, shqiptarëve vazhdon t’u cenohet prejardhja e tyre historike, t’u cenohet e drejta e luftës së tyre për liri si dhe t’u cenohet e drejta e tyre për ta mbrojtur nga cenimet e vazhdueshme që i bëhen të ardhmes së tyre.

Qenia e së djeshmes, qenia e së sotmes dhe qenia e së nesërmes shqiptare në Ballkan vazhdon të cenohet prej politikave hegjemoniste, por që zbatohen në hapësira të ndryshme pushtetesh: brenda hapësirës së pushtetit të dijes së shtrembëruar (rasti i Enciklopedisë maqedonase), pushtetit politik që aktualizohet nëpërmjet fuqisë gjyqësore brenda sistemit të Drejtësisë së Serbisë, brenda sistemit të drejtësisë së Maqedonisë dhe brenda sistemit të drejtësisë së EULEX-it në Kosovë.

Në Serbi, në Maqedoni dhe në Kosovë u bëhen veç e veç gjyqe luftëtarëve të UÇK-së, luftëtarëve të UÇPMB-së, dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kështu, në Beograd po zhvillohet gjykimi ndaj të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, në Prishtinë tashmë iu shqiptua dënimi me burg të ashtuquajturit “Grup i Llapit”, ndërsa 22 pjesëtarë të Lëvizje Vetëvendosje! kanë hyrë në muajin e dytë të mbajtjes së dënimit si të paraburgosur, për shkak të kundërshtimit që ata i bënë nënshkrimit të protokolleve të EULEX-it me Serbinë.


Në Ballkan, ashtu sikur në ish-Jugosllavinë avnojane, shqiptarët vazhdojnë të mbeten në top listën e popujve që kanë të burgosur politik dhe me numrin më të madh të tyre. Nuk e dimë me saktësi se me çfarë akuze do të dënohen, por siç po na akuzojnë kolektivisht bilbordet e EULEX-it gjithandej, së paku në Kosovë do të jenë edhe 467 të dënuar të tjerë.

Fuqitë e gjyqësorëve të administruara nga politika e Serbisë; të administruara nga politika e EULEX-it në Kosovë, si dhe fuqia politike maqedonase e materializuar në sferën pushtetit të dijes së shtrembëruar (Enciklopedia), përbëjnë veprimet e brendshme, të cilat, më e pakta që mund të thuhet, shërbejnë për legjitimimin e veprimeve të jashtme ekspansioniste tashmë të kryera ose për mobilizmin e atyre forcave që nevojiten për kryerjen e veprimeve ekspansioniste në të ardhmen.
Me rastin e Enciklopedisë maqedonase u dëshmua se rezistenca shqiptare jep fryte. Por, kur padrejtësitë vijnë nga pushtetet si një bllok monolit, a mjafton kundërpërgjigjja dhe rezistenca e shpërndarë në mënyrë singulare? A është i mjaftueshëm reagimi profesional shkencor (sado që edhe ky në jetën tonë kulturore, shoqërore e politike është tejet i mungueshëm) kur padrejtësitë burojnë prej natyrës së pushteteve monolite antidemokratike (Kosovë dhe Shqipëri), shoviniste e raciste (Serbi e Maqedoni)?

Pa dyshim se nuk është i mjaftueshëm. Pse? Sepse duke u përqendruar në padrejtësitë sekondare (të cilat janë pasoja të thelbit të padrejtësive të mëdha) kundërshtimet dhe rezistencat singulare drejtohen ndaj padrejtësive të pjesshme dhe i anashkalojnë padrejtësitë thelbësore që na shkaktohen për dhe rreth çështjeve themelore të qenies dhe ekzistencës sonë kombëtare.

Na propagandohen të drejtat e fëmijëve të garave, grupeve etnike, e grupeve të tjera sociale, por na mohohet e drejta thelbësore, prej së cilës përcaktohen të gjitha këto të drejtat veç e veç dhe të gjitha bashkërisht – e drejta për të vetëvendosur. Në të vërtetë na propagandohen të parat, fillimisht për ta amortizuar, e më pas, mundësisht, edhe për ta zhbërë në tërësi nevojën imediate për të dytën – të drejtën për të vetëvendosur.

Duke reaguar ndaj padrejtësive të pjesshme ne i ndihmojmë mirëmbajtjes së tërësisë së sistemit të padrejtë që është mbi ne e që prodhon akte padrejtësie në sfera të ndryshme të ekzistencës dhe qenies sonë si komb. Inteligjencia dhe institucionet shkencore shqiptare në Ballkan reagojnë kundër Enciklopedisë maqedonase, por jo edhe kundër Planit të Ahtisarit, i cili ia siguron Maqedonisë 2.500 hektarë toke nga tërësia e Kosovës; reagojnë ndaj mohimit që i bëhet figurave, objekteve të kulteve iliro-shqiptare nga pala maqedonase në Maqedoni, por heshtin për tjetërsimin që i bëhet objekteve të kultit të besimit ortodoks në Kosovë me Planin e Ahtisarit, me ç’rast pronar i tyre bëhet Kisha Ortodokse e Serbisë.

Inteligjencia dhe institucionet shkencore shqiptare reagojnë kundër mohimit të historisë që na bëhet në Enciklopedinë maqedonase, ndërsa në emër të shtetit pa sovranitet, në emër të vlerave të demokracisë liberale dhe idealit për një “shoqëri kosovare multietnike” (artificialisht të krijuar!), me heshtjen e tyre heqin dorë lehtësisht nga flamuri kombëtar, domethënë prej atij simboli i cili, për çdo komb, mishëron tërësinë e ndjenjave, pikëpamjeve, kujtesës dhe vizioneve për të djeshmen e përbashkët kolektive, si dhe tërësinë e ndjenjave, pikëpamjeve dhe vizioneve për të ardhmen kolektive të përbashkët të tij.

Ne reagojmë ndaj deklaratave të këtij apo atij lideri, por i mbyllim sytë para krimit të shkaktuar në Gërdec; reagojmë ndaj deklaratave te këtij apo atij lideri, por heshtim për Paktin e Kufirit Ujor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, i cili tash kërkohet të ratifikohet në Parlamentin Shqiptar, larg popullit dhe fshehtas tij, Pakt ky, i cili e cenon rëndë sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar e shtetëror shqiptar.

Kur padrejtësitë vijnë prej Subjektit pushtetar monolit, kundërshtimi dhe rezistenca ndaj tyre duhet të vijë prej një Subjekti të madh të rezistencës, gjithashtu monolit. Do të doja që bartës i subjektivitetit dhe i forcë tërheqëse të të gjitha sferave të tjera që do të përbënin tërësinë e këtij Subjekti të madh të kundërshtimit e të rezistencës, të ishte inteligjencia dhe institucionet shkencore.

Spinoza thotë: “do të rezistojnë jo lakmitarët, hipokritët dhe njerëzit e tjerë pa forcë morale, për të cilët qëllimi më i lartë është të sodisin paratë në një arkë dhe të kenë barkun plot, por ata që në saje e të një edukate të mirë, pastërtisë së sjelljeve dhe virtytit arrijnë të kenë pak liri”.

Realiteti ynë i djeshëm ashtu si edhe ky i sotmi gjithnjë e më fuqishëm na provon se tipari i pastërtisë së virtytit dhe sjelljes, si kusht i rezistencës, rrjedhimisht dhe si mundësi e lirisë, ka qenë dhe është mëshiruar jo në elitat e institucioneve shkencore akademike, por te brezat e rinj. Prandaj, bartës të subjektivitetit të Subjektit të së drejtës dhe drejtësisë kolektive shqiptare, e drejtë kjo e cila përbën substancën e lirisë, vazhdojnë të mbeten ata të cilëve, ashtu sikur edhe dje në mbrojtje të rendit ekzistues kushtetutaro-juridik jugosllav, sot vazhdojnë t’u shqiptohen dënime.

Dhe le të shqiptohen dënime!
Dënimet e tyre, në të vërtetë, janë masa me të cilën matet përmasa e mungesës së lirisë sonë!

(Fjalë e mbajtur në tryezën shkencore me titull:“Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase: konteksti i Enciklopedisë” organizuar nga Instituti Alb-Shkenca, mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës me 7.09.2009)