Ministria e Shëndetësisë bën me dije se, 4 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa janë shënuar 83 raste të reja.

Dy prej viktimave janë 57 vjeçare, një nga Shkodra dhe një nga Dibra, një pacient 75 vjeç nga Durrësi dhe një tjetër 81 vjeçe nga Tirana.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar. Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde”, tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik. /Telegrafi/