Teksa e shohim nga ekrani portretin e saj të ëmbël dhe format perfekte fizike, kërshëria është e madhe për të ditur se çfarë bën për t’u kujdesur për veten gazetarja e Super Sport, Bora Zemani.
Ne kemi menduar tua shuajmë kuriozitetin dhe e pyetëm Borën, tashmë mami e Arborit dy vjeç e gjysmë, për disa sekrete të bukurisë së saj, edhe pse më së shumti bukuroshja e sportit e pranon se ka metabolizëm të mirë dhe nuk tregon ndonjë kujdes të madh për t’u dukur bukur.
Moderatorja rrëfen stilin e saj të jetesës, në ç’mënyrë fillon dhe si mbaron rutina ditore për bukuroshen e ekranit.
Cili është mëngjesi juaj i preferuar?
Në fakt për mua është vakt shumë i rëndësishëm. Nuk mjaftohem vetëm me një briosh si shumë njerëz që duan të hanë shëndetshëm. Nuk kam ushqim të preferuar që e kam patjetër çdo mëngjes, por e rëndësishme është që të dal nga shtëpia e ngopur. Sot p.sh kam konsumuar një copë kek me një gotë qumësht.
Cila është gjëja e parë që mendoni kur zgjoheni në mëngjes?
Mëngjesi ideal do ishte, një mëngjes i vonë, të shijoja kafenë dhe të mendoja qetësisht për punët që më presin gjatë ditës, por kjo ndodh shumë rrallë! Më duhet të zgjohem shpejt, të bëhem gati shpejt, të çoj djalin në kopsht dhe të nis ditën time.
Cila është rutina ditore e bukurisë tuaj?
Në fakt tani që më pyesni për këtë kuptoj që nuk bëj ndonjë gjë të madhe. Kremin ditor hidratant Lancome , një make up i lehtë nga Mac dhe jam gati!
Në ç’mënyrë përkujdesesh për flokët tuaj?
Për fat edhe me flokët nuk më duhet të merem shumë. Kam flokë të drejtë dhe jam ok, edhe vetëm me një tharje flokësh. Por sigurisht lyerja, prerja dhe maskat janë çdo 3-4 javë. Kam kohë që përdor vetëm shampon dhe maskën e flokëve Kerastas.
Cilat janë produktet që nuk mungojnë kurrë në çantën tuaj?
Krem hidratant, e urrej lëkurën e thatë, dhe sigurisht produket që nuk i mundojnë femrave si parfumi Tom Ford ose Amor Amor i Chasarel që kam vite që nuk i ndërroj, apo edhe çanta e vogël për tualetin e shpejtë të përditshëm. Këto ishin të mijat, ju duhen edhe produktet e çunit që mbaj gjithmonë me vete (Qesh)
Si relaksoheni përpara një takimi apo një ngjarje të rëndësishme. Çfarë bëni?
Sapo lexova pyetjen më doli përpara imazhi im në një dhomë me ndriçim të ulët, me fetat e kastravecit në sy etj.. .do të doja shumë por jo, nuk kam kohë për këtë. Mundohem të jem e çlodhur gjithsesi.
Si e mbani trupin në formë?
Nuk eci fare, nuk mbaj dot dieta, shpesh nuk ha gjëra të shëndetshme, nuk jam fare shembull për t’u ndjekur.
Ndiqni ndonjë klasë sporti?
Kam dy javë që kam filluar. Këtë herë po më pëlqen se po provoj crossfit dhe TRX. Palestra më duket e mërzitshme dhe nuk kam bërë kurrë më shumë se një muaj. Shpresoj këtë herë mos të ndaloj.
Cilat janë ushqimet që u jepni proritet në dietën tuaj ushqimore?
Mua më pëlqejnë shumë perimet e ziera me pak kripë. Këto janë gjërat e shëndetshme që ha më shpesh, por më pëlqejnë realisht, nuk i konsumoj vetëm se janë të shëndetshme.
Cili është mëkati i ëmbël?
Ka shumë në fakt, unë kam shumë pak ushqime që i them jo. Por ajo që nuk do refuzoja kurrë edhe nëse do të isha mbipeshë është sufleja.
Cili është stili i të veshurit në përditshmërinë tuaj?
Më duhet të jem komode. Shpesh dua të vishem edhe me fustan e taka, por kur kujtohem që duhet të vrapoj edhe pas djalit kthehem tek atletet.
Nëse shkoni në sallon kozmetik, çfarë trajtimesh bëni zakonisht?
Pastrim të thjeshtë fytyre ose ndonjë scrub trupi, jo shumë trajtime.
Çfarë mendoni kur shiheni në pasqyrë?
Sigurisht që të gjithë kur jemi vetëm përpara pasqyrës kemi momentin e së vërtetës. Kam gjëra që do doja t’i përmirësoja. Po edhe ndonjë kontroll për rrudhat e para nuk mungon. Megjithëse jam akoma herët gjithsesi.
Pas një dite të lodhshme dhe impenjative, çfarë bëni për t’u relaksuar?
Aq sa bëj përpara një ngjarje të rëndësishme.
Rutina e fytyrës, para se të shtriheni në shtrat?
Pastrim i grimit dhe krem hidratant, mjafton kaq për momentin.
“Bordo”