LAJMI I FUNDIT:

Rama për Al Jazeera: Zhbërja e dekretit për zgjedhjet e paprecedentë

Rama për Al Jazeera: Zhbërja e dekretit për zgjedhjet e paprecedentë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një interviste për ‘Al Jazeera’ ka theksuar se qëllimi kryesor është që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nëse e kthej kokën pesë vjet e gjysmë më parë dhe e shoh nga ku vijmë, ne kemi bërë përparësi që lënë përshtypje. Por nëse shoh përpara, ku duam të shkojmë dhe ku unë mendoj për të çuar vendin, ka shumë më tepër për të bërë”, është shprehur Kreu i Ekzekutivit.

Në intervistën për Al Jazeera, Rama ka folur lidhur edhe me vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. ” Kjo nuk është ajo që Shqipëria meriton dhe kjo nuk ka të bëjë me të ardhmen. Sepse nëse ne krijojmë precedentin që një parti, dy parti, tri parti, një palë vendos të imponojë përçarje dhe kushtet e zgjedhjeve mund të vendosen mbi këto përçarje atëherë ne do t’i kemi këto edhe për shumë vite më pas. Kjo parti sot, ajo parti nesër, një tjetër… Nuk është kjo ajo për të cilën ne po luftojmë. Ne po luftojmë për një shtet ku të ketë sundim të ligjit, ku politikanët të jenë të barabartë përpara ligjit si çdo qytetar dhe jo mbi ligjin. Në fund të fundit zgjedhjet nuk janë bërë që të vendosin politikanët, zgjedhjet janë bërë për popullin që të vendosin për politikanët”, deklaron kryeministri.

Ai thekson se “Kushtetuta jonë dhe Kushtetutat e të gjithë botës thonë se presidenti zgjedh një datë, por asnjë nuk thotë se presidenti mund ta zhbëjë këtë datë. Prandaj, zhbërja e dekretit të lëshuar nga vetë presidenti është një risi në historinë e republikave parlamentare”.

Më poshtë intervista e plotë e kryeministrit Rama:

AJ: A është Shqipëria gati për të hyrë në BE?

Rama: Jo, Shqipëria nuk është gati për të hyrë në BE. Kemi akoma një rrugë të gjatë për të bërë. Por, natyrisht ne jemi gati të fillojmë negociatat me BE-në. Bazuar në raportin e Komisionit Europian, ne jemi të angazhuar dhe i kemi përmbushur kërkesat për të hapur negociatat. Komisioni Europian i ka rekomanduar shteteve anëtare të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

AJ: Çfarë i ofron Shqipëria BE-së?

Rama: Nuk jam i sigurt nëse shumica e europianëve të cilët merren më çështje politike janë në dijeni të faktit se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë vende në kufi me BE-në. Me fjalë të tjera, ne jemi si një organ i trupit që kërkon të dalë nga trupi, por që nuk ikën dhe ngelet aty. Zgjidhja në këtë rast është e thjeshtë. A ta lëmë këtë organ të pikojë gjak dhe t’i krijojë probleme të gjithë trupit, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, (madje edhe dy luftërat botërore e kanë pasur një shkak që filluan në Ballkan) apo ta ndihmojmë këtë organ të integrohet dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë edhe trupin. Nuk është zgjerim, por përmbushje, një pjesë shumë e rëndësishme e enigmës. BE-ja nuk duhet lënë si një hapësirë e hapur për aktorë të tjerë të cilët mund të mos jeni shumë të interesuar për ta parë BE-në të bëhet edhe më e begatë.

AJ: Dua t’ju pyes mbi debatin tuaj me presidentin Ilir Meta për datën e zgjedhjeve. Në Kushtetutë thuhet se presidenti, jo ju, e cakton datën e zgjedhjeve? Prandaj, përse mendon se keni të drejtë?

Rama: Gjëja e fundit që dua është të hyj në debate për çështje ligjore sepse këto janë të komplikuara dhe për to ka opinione të ndryshme. Me fjalë të thjeshta, ka një tregues të qartë sipas të cilit presidenti cakton datën për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, në ligjin tonë elektoral ka një kornizë sipas të cilës presidenti ka një hapësirë të përcaktuar qartë manovrimi për zgjedhjen e datave. Më tej, Kushtetuta jonë dhe Kushtetutat e të gjithë botës thonë se presidenti zgjedh një datë, por asnjë nuk thotë se presidenti mund ta zhbëjë këtë datë. Prandaj, zhbërja e dekretit të lëshuar nga vetë presidenti është një risi në historinë e republikave parlamentare.

AJ: Por, presidenti në argumentet e tij përmend tre raste të zhbërjes së datës së zgjedhjeve. Pra, ka pasur precedent.

Rama: Ky rast nuk ka precedent. Kur zgjedhjet lokale janë shtyrë më përpara, ne nuk kemi pasur të njëjtën kornizë ligjore. Kjo kornizë ligjore është konsoliduar pikërisht për faktin për të shmangur një rast të tillë. Dhe kur zgjedhjet e përgjithshme u shtynë dy vjet më parë të bazuar në një marrëveshje mes partive politike, kjo shtyrje ka qenë vetëm për një javë, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore dhe ishte bazuar në konsensusin e të gjitha partive politike. Dhe atëherë, paraardhësi i presidentit aktual e kërkoi një gjë të tillë me shkrim sepse ndryshe ai nuk mund ta zhbënte.

AJ: Çfarë ju bëri të kërkoni shkarkimin e presidentit. Kushtetuta thotë se presidenti shkarkohet për shkelje serioze të Kushtetutës. A ishte ndryshimi i datës një shkelje kaq serioze?

Rama: Kjo nuk është e saktë. Jetojmë në një mjedis ku lajmet dalin shumë shpejt pa pasur kohën e mjaftueshme për gjurmimin e fakteve. Ne nuk kemi thënë se të enjten do të fillonim procedurat e padisë kundër presidentit. Ne themi se do t’i fillojmë këto procedura, por ka hapa për t’u ndjekur. Hap i parë ishte të shënojmë këtë fakt dhe të dalim me një rezolutë ku të theksohet se Kushtetuta është shkelur rëndë sepse nuk ka ndodhur që në momentin kur ka filluar fushata elektorale, presidenti të thotë “Më falni, por më duhet ta zhbëj datën e zgjedhjeve”. Pra, kjo është shkelje e habitshme e Kushtetutës.

AJ: Çfarë mund të ndodhë nëse ju do të vazhdoni me zgjedhjet e 30 qershorit?

Rama: Nuk di nëse është me interes për publikun të hyjë në hollësi. Por, së pari, Kushtetuta nuk e lejon presidentin të përdorë zyrën e tij për shqetësime për situatën apo për gjëra të imagjinuara. Kushtetuta është e qartë. Presidenti nuk merret me zgjidhjen e shqetësimeve. Por, nga ana tjetër është e rëndësishme që auditori të kuptojë çfarë po ndodh në Shqipëri. Gjatë tre muajve të fundit bota ka parë protesta gjatë të cilave janë hedhur bomba Molotov apo janë bërë përpjekje për të sulmuar institucionet. Kjo është shqetësuese. Por, nga larg kjo është thjesht një kryengritje. Ky nuk është populli, por një politikë e vjetër dhe e errët. Janë një grup njerëzish të cilët janë të shqetësuar për reformën në drejtësi. Ata janë të shqetësuar me hapjen e negociatave me BE-në sepse dy kapitujt e parë të këtyre negociatave kanë të bëjnë më drejtësinë. Shqipëria duhet të tregojë se është shtet i së drejtës. Jo vetëm për të qenë në rregull me letra, por edhe për të pasur kapacitetin për të paditur dhe dënuar. Vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve është në proces. Shumë prej tyre janë larguar nga sistemi i drejtësisë sepse nuk kanë mundur të justifikojnë legjitimitetin e pasurisë se tyre. Më pas, ne do të kemi një sistem drejtësie me gjykatës të pastër. Pas 30 vjetësh, do të kemi një sistem ku gjykatësit të mos mund të manovrohen nga politikanët.

AJ: A mendoni se Shqipëria ka problem me krimin e organizuar?

Rama: Natyrisht, Shqipëria ka problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin ashtu si çdo vend tjetër qe nuk është akoma një shtet që funksionon në mënyrë modern. Prandaj, i jemi futur këtij procesi. Prandaj, nuk jemi anëtarë të BE-së. Prandaj, unë nuk e quaj padrejtësi faktin se nuk jemi anëtarë. Kemi nevojë të përgatitemi, të modernizohemi, të luftojmë korrupsionin. Krimi i organizuar nuk është vetëm çështje vullneti, por duhen edhe institucione shumë të forta  dhe mekanizma që të funksionojnë në çdo drejtim. Nëse kthej kokën pas, rreth pese vite e gjysmë më parë, atëherë them se kemi ecur në mënyrë impresionuese. Por, nëse shoh përpara, aty ku unë dua të shkoj dhe ta çoj vendin, atëherë them se ka ende shumë më tepër për të bërë.

AJ: Rreth 50 mijë shqiptarë largohen nga vendi në vit, sipas disa vlerësimeve. Si e gjykoni faktin se pas gjithë këtyre vitesh përpjekje të ardhurat për frymë mbeten 4 500 dollarë në vit dhe niveli i papunësisë 12% dhe për të rinjtë 22%?

Rama: Po ju përgjigjem me një pyetje retorike. Si e shpjegoni ju që vitin e kaluar në Gjermani kishin shkuar 100 mijë kroatë. Dhe Kroacia është vend i BE-së dhe shumë më mirë se ne. Këto janë të regjistruar në zyrat e punës. Si e shpjegoni që Portugalia ka pasur një periudhë mbresëlënëse reformash, ka pasur rezultate dhe përsëri 50 mije njerëz largohen nga vendi? Si e shpjegoni që jugu i Italisë po boshatiset duke shkuar në veri, ndërsa veriu nuk ka mjekë? Italia ka ndër sistemet më të shkëlqyera shëndetësore në Europë dhe prapë thonë se nuk kanë mjekë. Kjo ndodh në çdo vend.  Jetojmë në një fshat të madh global. Nuk është siç ishte dhjetë apo njëzet vjet më parë. Njerëzit shohin më shumë mundësi dhe unë kuptoj se sa më mirë të arrish, aq më shume kërkon. Njerëzit të cilët jetojnë në varfëri humbin madje edhe aftësinë për të pasur ambicie. Por, ata të cilët dalin nga varfëria kërkojnë më shumë. Nuk zgjidhet me magji. Pritshmëritë janë armiku më i madh i çdo qeverie që vjen me shumë mbështetje. Por, ne nuk duhet të lëmë brezin e ri të fëmijëve tanë të humbasë.

AJ: Si e luftoni ju perceptimin se e vetmja mënyrë për të bërë biznes në Shqipëri është duke ndjekur rrugë të paligjshme?

Rama: Ka një farë të vërtetë në këtë perceptim. Nuk ka gënjeshtër më të madhe se gjysmë e vërteta. Por, ju mund të pyesni kompaninë ”Shell”, TAP-in dhe investitorë të tjerë në këtë vend dhe dëgjoni mendimin e tyre nëse ky perceptim përkon më punën e tyre. Së dyti, sipas Bankës Botërore vitin e kaluar Shqipëria hapi më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës në rajon. Së treti, vitin e kaluar ne arritëm në nivelin e dytë më të lartë të investimeve të huaja në rajon. Pra, është një përpjekje e madhe. Dhe ky perceptim është një problem i madh për ta luftuar. Por, nëse kthej kokën pesë vjet e gjysmë pas kur ne erdhëm në pushtet, atëherë them se kemi ndryshuar shumë duke bëra gjëra që askush nuk i imagjinonte më parë. Nëse shoh realitetin, them se ka të vërteta në ato që thatë ju sipas perceptimeve. Por, lajmi i mirë është se ne luftojmë çdo ditë për t’u përmirësuar.

AJ: Keni përpara zgjedhje lokale për të cilat ka shumë debat, për të cilat ju keni thënë se do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës. Dua t’ju pyes, a nuk do të ishte më mirë të takoheshit me presidentin i cili ju ka ftuar juve dhe partitë e tjera për të biseduar për një datë konsensuale, që do të ishte e pakontestueshme, apo do të zhvilloni zgjedhje të cilat mund të sjellin surpriza të pakëndshme. A do të takoheni me presidentin si udhëheqës i partisë?

Rama: Para së gjithash, ne nuk jemi vetëm në këtë proces elektoral sepse kemi përjashtuar opozitën. Ne jemi vetëm në këtë proces elektoral sepse opozita u vetëpërjashtua, kështu pra, opozita përjashtoi veten, bazuar mbi strategjinë e saj. Ata kanë dalë jashtë parlamentit, ata kanë djegur mandatet, ata kanë marrë molotovët, ata e kanë transformuar veten e tyre në jelekverdhë dhe janë përfshirë në krijimin e një imazhi për Shqipërinë që nuk është rezultat i një proteste popullore, por është rezultat i një sajese. Tani, duket sikur rruga më e arsyeshme do të ishte ‘’dakord djema, ju nuk dukeni normal, le t’i japim zgjidhje dhe le t’i shtyjmë zgjedhjet’’.  Kjo nuk është ajo që Shqipëria meriton dhe kjo nuk ka të bëjë me të ardhmen. Sepse nëse ne krijojmë precedentin që një parti, dy parti, tri parti, një palë vendos të imponojë përçarje dhe kushtet e zgjedhjeve mund të vendosen mbi këto përçarje atëherë ne do t’i kemi këto edhe për shumë vite më pas. Kjo parti sot, ajo parti nesër, një tjetër… Nuk është kjo ajo për të cilën ne po luftojmë. Ne po luftojmë për një shtet ku të ketë sundim të ligjit, ku politikanët të jenë të barabartë përpara ligjit si çdo qytetar dhe jo mbi ligjin. Në fund të fundit zgjedhjet nuk janë bërë që të vendosin politikanët, zgjedhjet janë bërë për popullin që të vendosin për politikanët. Kështu që ne kemi detyrimin të shkojmë te njerëzit dhe njerëzit kanë të drejtën të na gjykojnë neve. T’i largohesh këtij gjykimi apo ta transformosh këtë element thelbësor të jetës sonë demokratike, nënkupton të shkosh në një drejtim që nuk është e ardhmja jonë, por e shkuara.

AJ: Zoti kryeministër faleminderit që folët për Al Jazeera.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori