LAJMI I FUNDIT:

​Limaj: Shumë është më rendësi që më 6 tetor të fitojë shteti i Kosovës dhe jo individi

​Limaj: Shumë është më rendësi që më 6 tetor të fitojë shteti i Kosovës dhe jo individi

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendit më shumë se kurrë i duhet bashkimi në tema të mëdha.

Ai tha se gjithmonë si Nismë kanë ditur ta nxjerrin interesin e shtetit para interesit të partisë e interesit personal.

Limaj para qytetarëve të Lipjanit tha se ka shumë mundësi që qeveria e ardhshme të jetë ajo që vendos për marrëveshjen me shtetin e Serbisë, andaj sipas tij është e rëndësishme që të dihet se cilët deputetë do të votojnë për atë marrëveshje.

“Kam parë me sytë e mi njerëzit se si gabojnë politikisht, kam pa me sytë e mi deputet që e dinë që është keq, e kanë votuar. Kam pa me sytë e mi deputet, të cilëve u ka zbehur fytyra, e kanë ditur që me atë votë të tyre janë duke e dëmtuar Kosovën, po nuk kanë pasur mundësi me e pas dinjitetin e mjaftueshëm me thënë ‘jo nuk votoj kurrë kundër interesit të vendit tim’. Kthehuni, shikoni seancën si kanë votuar për Gjykatën speciale. Ai njeri që një herë i qet çmim vetes gjithmonë ka me pas dikush që ka me e ble”, tha ai.

Limaj tha se janë bërë bashkë për shtetin, ekonominë, rininë, shëndetësinë, pensionistët dhe familjet në asistencë sociale.

“Më 6 tetor t’i hapim një mundësi bashkimit të Kosovës. Kosova e ka një mundësi të jashtëzakonshme me 6 tetor për të zgjedhur a do një shtet të bashkuar, një qeveri të fortë, e cila zgjidh problemet, apo do Kosova më 6 tetor me provuar, e kur futemi me e provuar asnjë këtu në sallë nuk e di çka mund të vijë. Shumë ka mundësi më 6 tetor që Kosova të dalë e bashkuar, sikur që ka mundësi Kosova shumë me dal shumë e polarizuar. Refuzojini Lipjan, Kosovë çfarëdo intelektuali qoftë, çfarëdo qytetari qoftë, i cili pështyn dhe nuk i beson shtetit të Kosovës”, tha Limaj.

Kandidati për deputet nga Nisma, njëherësh afaristi i suksesshëm në diasporë Bekim Brestovci, ka prezantuar planin e tij për zhvillim ekonomik.

“Programi ynë për zhvillim ekonomik ka të bëjë kryesisht me krijimin e parqeve industriale të bizneseve të diasporës shqiptare, të cilat do të jenë formati më i ri dhe më premtues për një zhvillim ekonomik të shpejtë të vendit. Ka të bëjë edhe me krijimin e fondeve investuese, shoqërive të ndryshme aksionare, të cilat po ashtu janë premtuese për një zhvillim të hovshëm të vendit tonë”, tha ai.

Brestovci tha se nuk mund të pajtohet që te jetë pjesë e një shteti ku pacientët në spitale gjejnë vetëm shtratin dhe çdo gjë tjetër duhet ta blejnë. Ai i ka ftuar qytetarët e Komunës së Lipjanit të votojnë për Nismën.

Kandidat për deputetë të Nismës nga Lipjani janë Bekim Brestovci, Heset Sahiti dhe Valentina Shala-Bajrami./kp/Telegrafi/