LAJMI I FUNDIT:

​Jashari: E kemi borxh që të bëjmë më të mirën e mundshme

​Jashari: E kemi borxh që të bëjmë më të mirën e mundshme

Në 20 vjetorin e çlirimit së qytetit të Skenderajt, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se është fakt historik se dita e çlirimit të kombit tonë nuk ka filluar as me 12 dhe as 18 qershor, po ka nisur me UÇK-në dhe komandantin legjendar, Adem Jashari.

Këto komente ai i bëri në koncertin festiv të organizuar nga Komuna e Skenderajt, i cili u mbajt sot në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.


Kryeparlamentari teksa i ka uruar qytetarët e Skenderajt për Ditën e Çlirimit, tha se duhet të punohet për një Kosovë të sigurt dhe që ofron jetë më të mirë për qytetarët e saj.

Ndërsa i pari i Komunës se Skenderajt, Bekim Jashari tha se kryefjala e historisë së lavdishme, e cila i vuri kurorë sakrificave shekullore, është Shaban, Adem e Hamëz Jashari, e shumë burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai po ashtu tha se për lirinë e Kosovës kontribuuan edhe shumë shtete mike të Kosovë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleanca e NATO-s që ndaluan spastrimin etnik.

Kryetari i Skenderajt u zotua se do vazhdojë të punojë për mirëqenien e secilës familje, në veçanti për të rinjtë që ata të gjejnë hapësirën, gjasat dhe mundësitë e barabarta, për të gëzuar gjithë të mirat që ofron liria, që ofron Skenderaj.

“Skenderaj ynë sot me krenari po vazhdon të zhvillojë jetën e re. Gjithsesi gjatë qeverisjes time, kam dhënë zotimin se do të bëj më të mirën e mundshme, e them edhe sot, me rastin e përvjetorit të 20 të çlirimit të Skenderajt. E kemi borxh para më të dashurve tanë, që na shohin nga lart, se si sillemi. E kemi borxh para fëmijëve tanë, që na shohin nga poshtë se si veprojmë. Kemi bërë aq sa ishte mundësia, jo sa ishte dëshira. Por ju e dini se nuk do të ndalem për të bërë më të mirën për Skenderajn tonë”, tha ai.

I pranishëm në këtë koncert festiv ishte edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se sot festojnë fal gjakut të dëshmorëve dhe ushtarëve të UÇK-së. /kp/Telegrafi/