LAJMI I FUNDIT:

​Afaristët e Gjilanit bëjnë thirrje për forcim dhe unifikim të komunitetit te biznesit

​Afaristët e Gjilanit bëjnë thirrje për forcim dhe unifikim të komunitetit te biznesit

Oda e Afarizmit të Kosovës ka vazhduar aktivitetin e saj “Kafja e mëngjesit”, në qytetin e Gjilanit. Afaristë nga ky qytet janë pajtuar se duhet të jenë më të zëshëm në kërkesat e tyre në mënyrë që ato të mos mbeten vetëm në letër.

Bizneset shprehën shqetësim se ekziston një tendencë që bizneset të keqtrajtohen, pronarët e bizneseve janë gjithmonë të paragjykuar dhe ekziston prirja që bizneset të dëmtohen nga shteti.

Gjithashtu ata janë dakorduar që duhet motivuar punëtorët e sektorit privat në mënyrë që ata të qëndrojnë në Kosovë.

Sipas një komunikate të OAK, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi gjatë këtij takimi ka shpalosur aktivitetet e Odës dhe kërkesat që i ka bërë kjo e fundit drejtuar qeverisë në ardhje, përfshirë këtu kërkesat për ndryshimin e disa prej udhëzimeve administrative që dëmtojnë bizneset, të miratuara nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ai ka thënë se disa nga ligjet që duhet ndryshuar për të cilat Oda ka ardhur në përfundim se janë të dëmshme për bizneset në Kosovë janë: Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji mbi TVSH, Ligji për Falimentim.

Gjithashtu, ai ka rekomanduar që të krijohet Ligji për tregti të brendshme, të funksionalizohet Ligji për Investime Strategjike, me ç’rast do të krijoheshin oferta për bizneset, të lobohet që Kosova të jetë anëtare e “International Transport Routes” – TIR, të hiqet taksa e dyfishtë për bizneset e peshkut, të largohet kamata prej 5% e bankave komerciale për para të imëta, Kosova të largohet nga CEFTA si “UNMIK- Kosovo” dhe të prezantohet si “Republika e Kosovës”, të kthehet Gjykata Ekonomike në Kosovë.

Ai po ashtu kërkoi që të bëhet lirimi i lëndës së parë për bizneset prodhuese, Kosova të bëhet pjesë e “ATA CARNET”,  të kompletohen parqet industriale me infrastrukturë të duhur për të zhvilluar biznes, të krijohet Ligji për Lobim dhe të largohet taksa ekologjike për rimorkio.