Kompania rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” njofton të gjithë konsumatorët se uji i pijshëm është i cilësisë së lartë dhe i dëshmuar sipas analizave edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

KRU “Gjakova” thotë se cilësia e ujit të këtij ujësjellësi  gjithnjë ka qenë dhe është shembull në Kosovë dhe rajon.

“Me vërejtjen e disa konsumatorëve tanë, të cilët i kemi të shenjtë, ne gjithmonë mundohemi maksimalisht që t’iu kthejmë përgjigje në kërkesat e tyre. Ata këtë herë kanë kërkuar sqarime përse në disa lokale në Gjakovë, kualiteti i ujit nuk është i cilësisë së lartë. Ne ishin në ato lokale, dhe i bëmë analizat, ku konstatuam që uji që ato lokale përdorin nuk është ujë nga rrjeti jonë i ujësjellësit por nga puset e tyre vetanake”, thuhet në njoftim.

KRU Gjakova për këtë e kanë njoftuar Inspektorati sanitar, ndërsa lusin konsumatorët që të bëjnë mirë përzgjedhjen e lokaleve, ose të pyesin për burimin e tyre të furnizimit me ujë,  sepse në të kundërtën kompania nuk mban  përgjegjësi për ujin që nuk është nën kontrollën e tyre.