Për herë të parë në Kosovë me organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës sot është mbajtur seminari ndërkombëtar i EERADOS me temën: Sporti i Pastër, me ç ‘rast është bërë e ditur se tanimë në Kosovë ka filluar implementimi i luftës kundër dopingut në sport.

I pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani në këtë seminar u shpreh se tanimë në Kosovë është formuar organizata kundër anti-dopingut, dhe sportistët do ti nënshtrohen testeve në një të ardhme shumë të shkurtër.

“Dje kemi punuar, po vazhdojmë edhe sot. Dje kryesisht është punuar me ata “DCO” i quajnë që ka të bëjë me njerëz më përgjegjës për anti-doping domethënë kontrollues dhe “qeprong” i quajshin që kishin të bëjnë me përcjellës dhe ishte shumë profesionale dhe me ne ishin studentët e fakultetit të mjekësisë, disa mjekë por ishin edhe nxënës të vitit të katërt të shkollës së mesme “Ali Sokoli”. Sot janë të ftuara edhe  federatat për të ju kumtuar lajmin se në Kosovë filloi implementimi i luftës kundër dopingut në sport, respektivisht themelimi i organizatës për anti-doping të Kosovës dhe po i bashkangjitemi 206 shteteve që e kanë këtë organizatë”, u shpreh Hasani.

Drejtori i organizatës EERADO, Tamar Svanishvili përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës për një punë të palodhshme për tu antarësuar në këtë kontratë, dhe tanimë sipas tij për Kosovën do të jetë shumë e lehtë lufta kundër dopingut.

“Dëshiroj të ju uroj mirëseardhje në këtë seminar gjithashtu, dhe ju përgëzoj që tanimë edhe Kosova është bashkangjitur në luftën kundër dopingut. Me përpjekjet e Komitetit Olimpik të Kosovës në krye me presidentin Besim Hasani janë barë përpjekje të mëdha që Kosova ti bashkëngjitet EERADO-s, dhe në këtë organizatë e kemi edhe përfaqësuesin e Kosovës i cili është tanimë i teti në këtë organizatë. Gjithashtu dua të shtoj se ju në Kosovë keni ekspertë, njerëz shumë të përgatitur në luftën kundër dopingut,“ tha Svanishvili.

I pranishëm gjithashtu në këtë seminar ishte edhe drejtori për sport nga Ministria e Kulturës, rinisë dhe sportit, Ibër Alaj, i cili u shpreh se këto seminare do të shërbejnë shumë në të mirë të sportistëve si dhe federatave do të ju lehtësohet puna për të identifikuar sportistët që përdorin substanca të palejuara.

“Aktivitetet sportive nuk kanë të ndaluar, organizimet apo seminaret janë ato që na mundësojnë ndarjen e eksperiencave por në të njëjtën kohë edhe marrjen e informatave të reja që ndodhin në zhvillimin e sportit në këtë rast në anti-doping, që është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fair-play në gara, sepse ata që dopignohen apo që marrin substanca ata mund të jenë më aktiv në aspektin e garimit dhe mund të ndikojnë në rezultat”, u shpreh Alaj.

Në këtë seminar të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shumtë të federatave sportive, studentë të fakultetit të shkencave sportive si dhe mjekë dhe sportistë të ndryshëm./KosovaPress/