Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës me anë të një deklarate të përbashkët, kanë shprehur ngushëllimet për vrasjen e fëmijës 9 vjeçar më 17 korrik në Fushë Kosovë.

Në njoftimin për media ata sqarojnë se i dyshuari për vrasjen e të miturit është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim.

“Më 17 korrik, një djalosh i vogël nëntë vjeç u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë.

Vrasësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim. Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme. Do të punojmë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë.

I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda”, thuhet në deklaratën e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

Ndryshe dje (e enjte), një grup i aktivistëve të Fushë Kosovës mbajtën një aksion simbolik para stacionit policor të kësaj komune pas vrasjes së 9-vjeçarit.

E pas këtij aksioni për sot është paralajmëruar protestë. Ata protestojnë për siç thonë neglizhencën institucionale të policisë dhe gjyqësisë për vrasjen e 9-vjeçarit që ndodhi javën e kaluar./Telegrafi/