Aktivisti i mëhershëm i shoqërisë civile dhe ish-sekretari i partisë ‘Ora’, Fisnik Halimi, sot i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një postim të bërë në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Thaçi ka pranuar se ndonëse në të kaluarën i kanë takuar poleve të ndryshme të politikës, tani qëndrojnë bashkë, ngase sipas tij, të gjithë po e kuptojnë se duhet bashkuar forcat qytetare për zhvillimet që i presin.

“Sot Fisniku është edhe ndërmarrës i suksesshëm, por edhe është në përfundim të doktoratës në universitetin prestigjioz të Sorbonës në Francë. Fisniku më herët ka qenë edhe gazetar për medie të huaja si dhe ato vendore. Ka shërbyer edhe si Sekretar i partisë politike “Ora”,ka shkruar Thaçi.

Madje, sipas Thaçit secili kosovar duhet t’i bashkohet në këtë drejtim.

“Çdo kosovar duhet të na bashkohet në këtë drejtim. Prandaj, jam i hapur për çdokënd që beson në misionin e ri. Pas lirisë dhe shtet-formimit, i kemi bazat për ngritjen e hovshme të kualitetit të jetës të të gjithë qytetarëve tanë dhe në këto zhvillime kemi nevojë të jemi së bashku”, është shprehur ai.

Vetë Halimi, sipas Thaçit, ka shprehur besimin se shumë kolegë të tij do bëjnë të njëjtën sikur ai, ti bashkohen PDK-së.

“Besojë se me shumë kolegë dhe miq nga jeta publike, shoqëria civile, nga ish – organizata ime politike, do t’ia arrijmë të ju ndihmojmë, ti arrijmë caqet e përbashkëta në mënyrën më të mirë”, ka thënë ai. /Telegrafi/