Kandidatja për deputete nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Natyra Kuçi e cila ditë më parë është njoftuar nga KQZ si fituese e zgjedhjeve, ka deklaruar se nëse hyn Nisma në Kuvend, ajo nuk do të mund të bëhet deputete.

Kuçi në një postim në faqen zyrtare në Facebok ka shkruar se asnjëherë, nuk do t’i mbështet votat e Vuçiqit veç për t’u bërë vet deputete.

“Nese hyn NISMA në Kuvend, unë s’do të bëhem deputete. Por asnjëherë, as për këtë çmim, nuk do t’i mbështes votat e Vuçiqit veç për t’u bërë vetë deputete. Kjo na dallon nga VV-ja, e cila për pak më shumë pushtet i pranon edhe votat e Serbisë – që i kundërshtonte zëshëm dikur. Votat e Serbisë në Kosovë nuk duhet të pranohen. Ky është qëndrim parimor pavarësisht çmimeve partiake”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe pas vendimit të PZAP-it për përjashtim nga rezultati zgjedhor votat e ardhura nga Serbia, koalicioni NISMA-AKR-PD kalon pragun.

Nisur nga kjo Lëvizja Vetëvendosje do t’i humb 3 ulëse. Derisa LDK, PDK e koalicioni AAK-PSD, nga një ulëse./Telegrafi/