Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn ka thënë se, hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe refuzimi i kandidaturës së Shqipërisë do të ishte një gabim i madh politik.

Hahn deklaroi sot për agjencinë italiane të lajmeve ANSA se ai do të tentojë të gjejë zgjidhje për këtë.

“Unë do të bëj gjithçka për ta shmangur këtë”, ka theksuar Hahn.

Kjo deklaratë vie vetëm një javë përpara samitit të liderëve të BE-së më 17 dhe 18 tetor.

“Vendet anëtare të BE-së shpesh vendosin për arsye të lidhura ngushtësisht me politikën e tyre të brendshme, por disa sinjale më bëjnë optimist”, shtoi Hahn.

Ai u shpreh se ka konstatuar gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje nga Franca.

“Ka ende kohë për arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo është njëkohësisht çështje përgjegjësie dhe besimi edhe për BE-në”, ka deklaruar  Komisioneri Evropian.

Duhet theksua se të enjten, tri mocionet e ngritura në parlamentin holandez nga e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme janë rrëzuar.

T’i themi jo hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë raund.

Mos pranojmë asnjëherë, të hapen negociatat me Shqipërinë

Mos pranojmë asnjëherë të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut.

Mocioni i parë ka marrë disi mbështetje, por jo shumicë. Ndërsa dy mocionet e tjera mbështetja ka qenë thuajse zero.

Qëndrimi qeverisë holandeze nuk do ndryshojë nga çfarë deklaruan para disa ditësh.

Ndërkaq,  Kuvendi i Bullgarisë ka miratuar Deklaratën me të cilën i jep mbështetje të plotë fillimit të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian, por me vërejtje se çfarë duhet të bëjë Shkupi deri në anëtarësimin e plotë.

Deklarata është miratuar me 129 vota pro, katër kundër dhe një të përmbajtur./Telegrafi/