0Shares

Drejtori i Bordit të Trepçës, Ardian Syla ka theksuar se humbjet të cilat janë duke u shkaktuar nga greva e minatorëve, rrezikojnë likuiditetin financiar të ndërmarrjes, duke rrezikuar edhe pagat e punëtorëve.

“Ftojmë gjithë të punësuarit në ndërmarrjen ‘Trepça’ që t’i kthehen punës dhe të tërhiqen nga kërkesat, të cilat janë të parealizueshme si dhe në dëm të ndërmarrjes dhe vet punëtorëve”, ka shkruar Syla në Facebook.

Ai ka theksuar se në një situatë ku shpenzimet janë më të mëdha se të hyrat është mëse e pa mundur ngritja e pagave prej 20%.

Postimi i Sylës në Facebook:.

Duke përcjellë me shqetësim të madh grevën e pa para lajmuar në Ndërmarrjen “Trepça”, përfaqësuesit e aksionarit kryesor nga Bordi Mbikëqyrës në mungesë të pa arsyeshme të përfaqësuesit të punëtorëve kanë mbajtur mbledhje dhe takime të shumta për të analizuar situatën e krijuar si dhe për të shqyrtuar kërkesat e Këshillit Grevist. Duke pasur parasysh situatën financiare dhe operative në të cilën gjendet Ndërmarrja “Trepça”, Bordi Mbikëqyrës ka informuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik si dhe institucionet relevante në Kosovë lidhur me pamundësinë e realizimit të kërkesave të parashtruara nga Këshilli Grevist i Trepçës.

Në një situatë ku shpenzimet janë më të mëdha se të hyrat është mëse e pa mundur ngritja e pagave prej 20% si dhe shpërndarja e 100 Euro dhe dhuratave për Vit të Ri. Për më shumë, “Trepça” ka të trashëguara borxhe nga mos pagesa e rentës minerale, mos shlyerja e obligimeve ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, operatorëve ekonomik dhe obligime tjera e që kapin vlerën prej më shumë se 12 milion Euro. E vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë si dhe për ti hapur rrugë zhvillimit të ndërmarrjes është zbatimi në plotësi i Ligjit për Trepçën.

Duke ditur këtë, Bordi Mbikëqyrës në afat rekord ka bërë propozimin e draft statutit për të vazhduar mëtutje në procedurat e parapara, mirëpo që nuk ka ndodhur për shkak të grevës së filluar në muajin korrik të vitit 2018. Kjo grevë e pa arsyeshme në atë kohë ka bllokuar regjistrimin e ndërmarrjes për më shumë se 9-të muaj dhe e njëjta gjë është duke ndodhur edhe tani kur statuti i Ndërmarrjes “Trepça” pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Prandaj, ashtu siç kemi kërkuar në vazhdimësi zbatimin e Ligjit për Trepçën edhe tani kërkojmë zbatimin e Ligjit si të vetmën formë për shpëtimin e Trepçës përmes:

1. Miratimit të draft statu tit të “Trepça” sh.a. nga Kuvendi i Kosovës; Me miratimin e draft statutit të “Trepça” sh.a. hapet rruga për regjistrimin e ndërmarrjes pranë Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve si dhe definohet njëherë e përgjithmonë statusi i ndërmarrjes.

2. Regjistrimit të Ndërmarrjes “Trepça” sh.a.; Regjistrimi i Ndërmarrjes Trepça sh.a. pranë Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve bënë shkëputjen e Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit si dhe transformimin e ndërmarrjes nga ndërmarrja shoqërore në ndërmarrje shoqëri aksionare duke hapur rrugë krijimit të infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve të cilat janë parakusht për rivitalizimin e Trepçës.

3. Zgjedhjes së Bordit Menaxhues dhe Zyrtarëve të Lartë të parapara me Ligjin për Trepçën me konkurs të hapur publik. Zgjedhja e Bordit Menaxhues dhe Zyrtarëve të Lartë të Ndërmarrjes të paraparë me Ligjin për Trepçën dhe Ligjin për Ndërmarrje Publike menjëherë pas regjistrimit të “Trepça” sh.a. përmes konkursit publik i mundëson ndërmarrjes një menaxhim të mirëfilltë konform legjislacionit në fuqi. Si përfundim, humbjet të cilat janë duke u shkaktuar nga greva rrezikojnë likuiditetin financiar të ndërmarrjes duke rrezikuar edhe pagat e punëtorëve. Prandaj, ftojmë gjithë të punësuarit në ndërmarrjen “Trepça” që ti kthehen punës dhe të tërhiqen nga kërkesat të cilat janë të parealizueshme si dhe në dëm të ndërmarrjes dhe vet punëtorëve. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)