LAJMI I FUNDIT:

Zyrtare: Samsung lanson Galaxy Note 8.0

Zyrtare: Samsung lanson Galaxy Note 8.0

Edhe pse Samsung pritet që kah mesi i muajit mars të lansojë modelin e ri të telefonit të shumë-pritur Galaxy S4, prodhuesi më i famshëm jug-korean para fillimit të Kongresit Botëror Mobil ka prezantuar edhe tabletin e saj të ri i cili është duke u bërë top-tema e edicionit të sivjetmë të kongresit të teknologjisë.

Dy ditë para fillimit të ngjarjes së madhe të teknologjisë globale, Samsung ka prezantuar Galaxy Note 8.0, tabletin me ekran të ndjeshëm me diagonale prej 8 inç dhe specifika të avancuara, dhe mbështetjen e lapsit elektronik të cilin Samsung e quan S Pen.

Për më shumë, Galaxy Note 8.0 bazohet në Android 4.1, procesorin me 1.6 GHz quad-core CPU, 2 GB RAM, dhe rezolucion me 1280 x 800 piksel.

Por përveç funksioneve bazike të tabletit, Samsung u mundëson përdoruesve të Galaxy Note 8.0 të bëjnë edhe thirrje telefonike, ndërsa për shkak të madhësisë së tabletit ju do të duhet që tabletin ta mbani në dorë në vend se të dëgjoni bisedën me veshë.

Vendimi i Samsung që tabletin e saj me 8 inç ta bëjë edhe telefon, mendohet se është bazuar në suksesin e fabletëve të saj të mëparshëm, duke përfshirë Samsung Note I dhe II.

Galaxy Note 8.0 është më e hollë dhe më e lehtë se sa iPad Mini, dhe punon shpejtë në shumicën e funksioneve të provuara. Në anën tjetër, S Pen gjithashtu përgjigjet shumë mirë dhe mundëson hapjen e aplikacioneve si Flipboard dhe email, edhe pa e prekur ekranin e pajisjes.

Tableti më i ri i Samsung, me të cilin mund edhe të bëjmë thirrje do të paraqitet në treg brenda muajve të ardhshëm, mirëpo ajo që nuk dihet është çmimi, i cili gjithsesi pritet të jetë pak më i ulët se ai i rivalit iPad Mini. / Telegrafi /