LAJMI I FUNDIT:

Zëvendësministri serb i Bujqësisë, premton ndihmë për bujqit në veri

Zëvendësministri serb i Bujqësisë, premton ndihmë për bujqit në veri

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rodolub Mladenoviq, ka thënë se Lista Serbe do të bëjë të gjithçka që të lehtësojë mënyrën e jetesës së bashkësisë serbe në Kosovë.

Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress, ai ka thënë se iniciativat që serbët e pjesës veriore të vijnë në Prishtinë dhe t’i paraqesin vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen, ndihmojnë që të gjendet zgjidhje edhe për ata.


“Disa nga pyetjet dhe problemet e tyre me të cilat përballen nuk i takojnë vetëm Ministrisë së Bujqësisë, megjithatë konsideroj se me një dialog të tillë, organizimin e takimeve të përbashkëta, angazhimin e përbashkët sektorit joqeveritar e Ministrisë së Bujqësisë, duhet t’iu dalim në ballë prodhuesve bujqësorë dhe të zgjedhim problemet e tyre”, tha Mladenoviq.

Në pyetjen se a do të ishte më mirë që të shuhen veprimet ilegale atje që qytetarët e pjesës veriore të jetojnë më mirë, ai nuk është përgjigjur, duke shtuar se nuk po merret me politikë po me ekonomi.

“Natyrisht, Lista Serbe do të bëjë të gjitha që në çdo mënyrë të lehtësojë mënyrën e jetesës së bashkësisë serbe në Kosovë, që në mënyrën më të mirë të mundshme të gjejmë interesin e përbashkët, që të gjejmë mundësitë që të jetojmë me njëri-tjetrin, që t’i ndihmojmë njëri-tjetrit dhe që ky të jetë një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit”, tha Mladenoviq.

Ai, bashkë me 20 biznese të pjesës veriore, për herë të parë kanë marrë pjesë në debatin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Në mesin e tyre kishte prodhues të cilët kishin rastin t’i paraqesin barrierat që ata kanë gjatë veprimtarisë së tyre.