LAJMI I FUNDIT:

Zëvendëskryeministri Kelmendi takoi përfaqësuesit e Misionit të USAID-it

Zëvendëskryeministri Kelmendi takoi përfaqësuesit e Misionit të USAID-it

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi priti sot në takim përfaqësuesit e Misionit të USAID-it, kryesuar nga drejtori James Hope.

Me këtë rast Kelmendi falënderoi USAID-in për të gjithë mbështetjen që kjo organizatë ka bërë në shumë procese në Kosovë, sidomos në ndihmesën e dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.


Zëvendëskryeministri Kelmendi ka shprehur përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin me USAID-in. Ndër të tjera, ai prezantoi problemet kryesore të ekonomive të reja, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohen prodhuesit e sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

“Dua që të dinamizoj disa punë që po mendoj se janë pak më të ngadalshme. Andaj kërkoj nga ju që të bashkëpunojmë edhe më tutje për të ndihmuar kompanitë e reja, prodhimtarinë, në përgjithësi zhvillimin ekonomik të Kosovës” tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ka theksuar se zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike janë ndër pjesët më të rëndësishme të punës që bëjnë.

“Synimi ynë është që të mbështesim qeverinë por edhe sektorin privat dhe ndërmarrësit në tejkalimin e shumë sfidave, ndër të tjera edhe për qasje në kredi”, tha Hope. /Telegrafi/