LAJMI I FUNDIT:

Vushtrria s’e pranon “diktatin” e Mitrovicës veriore

Vushtrria s’e pranon “diktatin” e Mitrovicës veriore

Komuna e Vushtrrisë do të kundërshtonte ashpër nismën e përfolur që të përfshihet në kuadër të një vije administrative të përbashkët me Mitrovicën e veriut dhe tri komunat e tjera të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka deklaruar për Telegrafin, se ndarja në vija administrative është e papranueshme, ndërsa deri tash ka dëgjuar se kjo nismë nënkuptonte vetëm projekte ekonomike në këto komuna.

Ndërkohë, Oliver Ivanovic, ish-sekretar shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe kandidat për oficer ndërlidhës në Kosovë, ka theksuar se për ta zgjidhur çështjen e veriut duhet së pari të përkufizohet në kuptimin gjeografik.

Ivanovic ka deklaruar se serbët, me termin “veri të Kosovës” nënkuptojnë katër komuna: Mitrovicën veriore, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, ndërsa në rajonin “Mitrovica Veriore” përfshin edhe pjesën jugore të Mitrovicës, Skenderajn dhe Vushtrrinë.


Në anën tjetër, Mulaku mohon se Vushtrria do të mund të futej në kuadër të ndonjë projekti për të vendosur vija të tilla administrative.

“Ndarje të tilla do të ishin të papranueshme edhe për komunat në veri, e lëre më për Vushtrrinë e komunat e tjera me shumicë shqiptare”, ka vlerësuar Mulaku.

Sipas vizionit të palës serbe që e artikulon Ivanovic, pas përkufizimit gjeografik, do të pasonte puna më e vështirë që veriu të definohet në kuptimin politik e juridik, të ketë institucionet e veta, kompetenca komunale dhe gjyqet. /Telegrafi/