LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq: Njohja e pavarësisë së Kosovës, film që nuk do ta shihni!

Vuçiq: Njohja e pavarësisë së Kosovës, film që nuk do ta shihni!

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se është më se e qartë se Prishtina nuk dëshiron vazhdimin e dialogut dhe se njohja e Kosovës nuk do të jetë temë e takimit të sotëm në Bruksel.

Në një prononcim para nisjes për në Bruksel, Vuçiq tha se me palën kosovare nuk do të bisedojë njohjen e Kosovës ose për tërheqjen e urdhër arresteve për pjesëtarët e dikurshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën Prishtina zyrtare tha se do ta kërkojë.

“Shkojmë atje për një bisedë të hapur, mirëpo, për të diskutuar njohjen e Kosovës dhe lejimin e krimeve të luftës, këtë film ata nuk do ta shohin. Për këtë nuk dua të diskutoj”, tha Vuçiç.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë sonte si rezultat i insistimit të Bashkimit Evropian, pas tensioneve të cilat u shkaktuan me nisjen e trenit nga Serbia për në Kosovë me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe shpërndarjes së forcave speciale të Kosovës (ROSU) në kufi, për të ndaluar hyrjen e trenit.

Delegacioni i Beogradit do të përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, ndërsa Prishtina zyrtare do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

Më herët, Thaçi deklaroi se në bisedimet me Serbinë do të kërkojë nga ata që të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe të tërheqin fletëarrestet të cilat i kanë lëshuar për personat publik kosovarë.

Opozita kosovare nga ana e saj kërkon ndërprerjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit i cili sipas saj paraqet nënçmim për palën shqiptare.

Në ora 19:00 në Bruksel, përfaqësuesit e delegacioneve do të mbajnë fillimisht takime të ndara me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe më pas do të kenë edhe takime të ndërsjella.