LAJMI I FUNDIT:

Vritet shefi i shërbimit sekret irakian

Vritet shefi i shërbimit sekret irakian

Shefi i akademisë irakiane të inteligjencës dhe dy truprojat e tij janë vrarë në një sulm vetëvrasës në qytetin verior Tal Afar, në Irak.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet policore lokale, sipas të cilave gjenerali Ali Aouni është oficeri ushtarak më i vjetër që vritet këtë vit.

Por autoritete irakiane kanë deklaruar për BBC se zyrtari i shërbimeve sekrete nuk ishte objektivi i vërtetë i atentatorëve.


Gjenerali Aouni jetonte pranë një zyrtari tjetër ushtarak në qytet, i cili ka mbetur i paprekur nga shpërthimi dhe që ndoshta ishte objektivi i vërtetë i sulmit.

Autorë të sulmi ishin dy atentatorë vetëvrasës, njëri prej të cilëve u qëllua për vdekje nga truprojat e zyrtarit fqinj para se të hidhej në erë.

Por teksa gjenerali Aouni dilte nga shtëpia, atentatori i dytë, që kishte mbetur i plagosur, arriti të shpërthente brezin e tij me eksploziv.

Fqinji i tij, lejtnanti Habib Amin Ilias, komandant i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, ishte shënjestruar edhe më parë, por u ka shpëtuar atentateve.

Për momentin asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, por qyteti Tal Afar ka qenë një fushë beteje mes forcave amerikane dhe rebelëve në vitin 2005 dhe që atëherë ka pasur më pak sulme, por me shumë viktima.

Shefi i shërbimeve të inteligjencës është zyrtari i dytë irakiane që vritet që nga fillimi i vitit, pas vrasjes së një anëtari të opozitës parlamentare në qytetin e Falluxhës. /Telegrafi/