LAJMI I FUNDIT:

Vlerësimi PISA dhe opinioni publik në Kosovë

Vlerësimi PISA dhe opinioni publik në Kosovë

Jonuz Salihaj

Më në fund, pas shpalljes së rezultateve të vlerësimit të nxënësve për vitin 2015 në Kosovë, bile një ditë të vetme opinioni në masë u sensibilizua.


Të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike e kishin top-lajm rezultatin e këtij vlerësimi shumë kredibil dhe të besueshëm. Edhe televizionet tona e kishin lajmë të parë, duke përfshirë edhe televizionin publik, i cili me ëndje në debatet për arsim fton vetëm pozitën kur preken çështjet e arsimit.

Kemi provuar qindra herë, që nga paslufta e sidomos pas vitit 2008, me forma të ndryshme të informimit, debate, tryeza, konferenca për shtyp e tj. të njoftojmë opinionin publik për shkallën e lartë të degradimit në arsim, por shpesh kemi hasur në vesh të shurdhër. Tani erdhi një vlerësim ndërkombëtar dhe të gjithë u befasuan me rezultatet. Si duket e kemi harruar thënien: çka mbjell e korrë.

Reagimet erdhën nga të gjitha anët duke filluar nga Presidenti i cili deklaroi se Kosova ka sistem të shkatërruar arsimor. Kush e shkatërroi këtë sistem? Në maje të kësaj piramide qëndron bindshëm dhe pa asnjë konkurrencë, Presidenti i tanishëm me ministrat e tij, të cilët kanë lëvizur çdo levë që arsimin ta nënshtrojnë dhe politizojnë në përmasa të tilla të pakthyeshme. Është definitivisht e palejueshme që këto rezultate t’i komentojnë ata që e kanë katandisur arsimin.

Tani të gjithë po pajtohemi se niveli i njohurive dhe shkathtësive të fëmijëve tanë qëndron larg moshatarëve të tyre në Slloveni apo Kroaci e mos të flasim për nxënësit e Finlandës apo Estonisë. Fajtorë për këtë gjendje jemi ne, e jo nxënësit e nivelit 1 dhe 2 që janë testuar.

Faktorët që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje janë shumë. Ja disa prej tyre:

1. Niveli i ultë i përfshirjes së fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe arsimin para-fillor, më i ulëti në rajon dhe Evropë;

2. Programet parashkollore jocilësore dhe jo atraktive dhe kuadri i papërgatitur mirë dhe i pamotivuar (pagat shumë të ulëta të edukatorëve në këtë nivel);

3. Mos koordinimi i veprimeve në mes MASHT-it dhe komunave, i pari zhvillon politika adekuate në përputhje me ligjin kurse komunat i zbatojnë ato.

4. Plan-programet shkollore për nivelin fillor dhe të mesëm të ultë, ende gjenden në fazën e eksperimentimit. Nuk ka rezultate të prekshme pa programe të cilat i motivojnë fëmijët.

5. Mungesa e hapësirave shkollore, ende kemi shkolla që punojnë në tre turne (Shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë);

6. Mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe hapësirave për rekreacion;

7. Kalendari shkollor, më i shkurtri në Evropë;

8. Institucione shkollore të pa monitoruara dhe të inspektuara plotësisht;

9. Numri shumë i madh i orëve të humbura;

10. Vlerësimet joadekuate, të brendshme dhe të jashtme. Vlerësimi i jashtëm pas mbarimit të nivelit, shkollës fillore, asnjëherë nuk është realizuar në tërë Kosovën edhe pse është i obliguar.

11. Përgatitja e dobët e kuadrove arsimore, niveli shumë i ultë i mësimdhënies në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës e mos të flasim për universitetet tjera publike dhe private në vend.

12. Mungesa totale e llogaridhënies, nuk është shënuar asnjë rast i përjashtimit të ndonjë mësimdhënësi, apo dorëheqja e ndonjë drejtori të shkollës, për shkak të mosarritjes së objektivave në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

13. MASHT-i asnjëherë nuk e ka bërë rangimin e shkollave në bazë të rezultateve të arritura në vlerësimet e jashtme, tendenca për futjen e të gjithëve në një thes është katastrofale.

Ka edhe shumë faktorë tjerë që i kanë kontribuar kësaj gjendje dhe këtij rezultati.

Për tejkalimin e situatës nevojitet mobilizimi i të gjithë mekanizmave institucional, OJQ-ve, dhe donatorëve të ndryshëm që gjendja të kapërcehet – me një plan operacional me objektiva kohore dhe bartës të përcaktuara sakët.

Gjendja nuk do të ndryshojë me aprovimin e strategjive të shumta që ministri Bajrami i nxjerr nga mangët në çdo takim mediatik, por me angazhim, monitorim dhe inspektim të çdo segmenti arsimor, dhe llogaridhënie të vazhdueshme gjatë këtij procesi. Në vendet demokratike procesi i llogaridhënies gjithmonë fillon nga lartë.

Premtimeve që në vitin 2018 do të arrijmë rezultate inkurajuese, apo që në vitin 2021 do të krahasohemi me shtetet e BE , nuk iu beson askush. Nëse e ndieni fajin e përgjegjësisë, tani është koha që të shkoni.

Gjithashtu duhet shfrytëzuar këtë moment, për të bërë dallimin e madh, ata që punojnë duhet të shpërblehen kurse ata që nuk kanë rezultate duhet të zëvendësohen me të rinj.

Modeli më i mirë për ne dhe për çdo për çdo shtet tjetër të përgjegjshëm, se si krijohet vlera shtesë në arsim, është ai i Estonisë, vendi i tretë në renditjen e vlerësimit PISA në mesin e 72 shteteve të botës.

Në fund nuk guxojmë të flasim për këtë vlerësimi pa e përmendur edhe rezultatin inkurajues të Shqipërisë, ngritjen për 18 vende në tabelë, duke iu ofruar dy vendeve të BE-së Rumanisë dhe Bullgarisë.

Shkurt, tani nuk është koha për fjalime por për përgjegjësi konkrete, nga lart poshtë, nëse dëshironi të na bindni se e doni këtë vend dhe a kujdeseni për fatin e fëmijëve tanë.