0Shares

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk i frikësohet një largimi të mundshëm nga lista e këtij subjekti për zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk ia kam frikën, dhe këtë Isa Mustafa e din shumë mirë. Nuk kam frikë as nga ai as nga askush tjetër. Karriera ime është problemi më i vogël. A do të jetë Vjosa në listë ose jo nuk e dëmton aspak Vjosën. Vjosa mund të japë kontribut shumë të madh për vendin, edhe duke mos qenë deputete”, ka thënë Osmani në “Zona B” të Klan Kosovës.

Më tej ajo ka shtuar se ka qenë e vetëdijshme për pasojat, që në ditën kur i ka treguar shefit të partisë së nuk do ta votojë qeverinë që ai e drejton tash.

“Unë kam qenë e vetëdijshme që do të kem pasoja në ditën kur e kam informuar Isa Mustafën që do të votojë kundër Qeverisë dhe do të vazhdoj të kundërshtoj këtë koalicion deri në fund, kur ky koalicion përfundon”, ka pohuar Osmani.

Ajo ka thënë se përjashtimi nuk është mënyra si ka funksionuar LDK në të kaluarën.

“Një logjikë e tillë e ndëshkimit nuk ka ekzistuar. Logjika përjashtuese dhe kërcënuese është prej ditës parë kur është votuar koalicioni. LDK nuk është katër pesë njerëz që janë në krye, për mua LDK-ja është secili aktivist dhe ata e shohin LDK-në e vërtetë”.

Sipas Osmanit secili aktivist duhet të kërkojë përgjegjësi nga delegatët pse nuk e marrin guximin të flasin.

“Pse nuk e ngrisin dorën kur propozohen amendamente në statut. Pse nuk flasin kur kryetari i LDK-së kërcënon me përjashtim ata që janë deputetët më të votuar. Duhet të ndërrmeren masa, se kjo punë nuk bëhet duke folur publikisht 3-4 njerëz”, ka shtuar ajo.

Më tej Osmani pohon se asnjë njeri që e përdor logjikën, që ka sy të shohë e veshë të dëgjojë, mund të thotë se me sjelljet e saj, ajo është, pro PDK.

“Një gjë është e pastër si loti tek elektorati është se dihet kush është mik e kush bashkëpunon me PDK-në e kush jo”, ka përfunduar Osmani. /Klan Kosova/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)