LAJMI I FUNDIT:

Viti rekord i importimit të mallrave nga Serbia

Viti rekord i importimit të mallrave nga Serbia

Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë është në rritje dhe kryesisht dominohen në shkëmbime tregtare, atë të eksportit dhe importit të mallrave, por ky shkëmbim është në nivel shumë më të ulët në krahasim me shtetet të tjera të rajonit. Kurse përkundër thirrjeve për reciprocitet e bojkot të mallrave që vijnë nga Serbia, vitin e kaluar është shënuar rekord në importimin e mallrave nga ky vend fqinj.

Edhe përkundër takimeve të qeverive, ka ende barriera për bizneset Kosovë-Shqipëri.


Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e eksporteve të mallrave të Kosovës në Shqipëri për tre vitet e fundit ka qenë rreth 30 milionë euro. Ndërsa, imesatarja e importit i mallrave nga Shqipëria në tri vitet e fundit, sillet rreth 120 milionë euro në vit.

Shqipërinë e kemi vendin ku dërgojmë më së shumti produkte, por Serbia përveç që dominon në tregun tonë, ajo edhe e pengon Kosovën në realizimin e marrëveshjeve ekonomike që ka arrit Kosova me Shqipërinë.

Ndërsa, importi i mallrave nga Serbia është dhjetëra fish më i lartë se ai me Shqipërinë. Serbia vitin që lamë pas, ka thyer rekord me importin e mallrave në Kosovë, duke arritur në 400 milionë euro. Marrëveshja e nënshkruar nga dy qeveritë për ndërtimin e përbashkët të energjisë vazhdon të pengohet. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Po ashtu, edhe ligjvënësit thonë se marrëveshjet mes dy vendeve nuk po implementohen në praktikë.

“Ne e kemi inauguruar edhe pjesën tonë por edhe pjesën në Shqipëri. Mirëpo e dini që kemi pasur probleme si rezultat i bllokimit nga pala serbe, e moszbatimit të marrëveshjeve dhe ne meqenëse e kemi marrë presidencën në kuadër të traktatit të komunitetit të energjisë, kemi bërë të pamundurën që edhe tash sa e kemi presidencën ta hapim rastin me mbështetjen e të gjitha shteteve të cilat janë pjesë e kësaj marrëveshje dhe të partnerëve tanë. Në takimin e fundit i cili është zhvilluar në Shkup, të gjithë kanë qenë të zëshëm rreth këtij projekti, sepse në të kundërtën mos realizimi i tij do të ishte një kërcënim jo vetëm për partneritetin që ne krijojmë por edhe për tërë agjendën e procesit të Berlinit. E dini që ideja e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian është që Kosova dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e rrjetit trans evropian të energjisë“, ka thënë Stavileci.

Ndërsa, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Satvileci ka treguar se importi i mallrave të Serbisë në Kosovë në vitin 2016, ka thyer rekord, duke arritur shifrën 400 milionë euro. Nëse krahasohen të dhënat me importin e mallrave nga Shqipëria, janë tre fish më të vogla me rreth 100 milionë euro.

“Eksporti me Shqipërinë gjatë viteve 2014 dhe 2015, ka mbet i njëjtë përafërsisht ka qenë rreth 30 milionë euro. Kurse, vitin që e lamë pas ne kemi rritje të këtij eksporti me rreth 24 për qind, që nënkupton që gjatë vitit të kaluar kemi pasur rreth 37 milionë euro, eksporte të mallrave kosovare që është njëherit edhe eksporti më i madh në ndonjë vend. Shqipërinë e kemi vendin ku dërgojmë më së shumti produkte. Sa i përket importit nga Shqipëria, ne i kemi pasur import në masën mbi 100 milionë euro, saktësisht nëse flasim me shifra të sakta në vitin 2014 kemi pasur 123 milionë euro import të mallrave shqiptare, në vitin 2015, 143 milionë euro mallra të Shqipërisë, kurse, në vitin 2016 nga Shqipëria kemi importuar mallra të cilat e tejkalojnë 100 milionëshin. Pra, është trendi i njëjte që janë afër 120 milionë euro. Trendi i importeve të mallrave prej Serbisë është gjithmonë në rritje me rreth 4 për qind çdo vit…Në vitin e fundit 2016, është ndoshta viti ku është arrit rekordi i importit të mallrave prej Serbisë, afër 400 milionë euro mallra, që i kemi importuar nga Serbia”, tha Stavileci.

Sipas tij, Kosova në Serbi eksporton mallra në vlera shumë të vogla në krahasim me importin e mallrave serbe. Në vitet 2015 dhe 2016, eksporti i mallrave të Kosovës në Serbi ka qenë rreth 27 deri në 32 milionë. Ai po ashtu ka thënë se top vendet ku kemi importin më të madh janë Serbia, Gjermania, Kina, Turqia, Italia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Në anën tjetër, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve Kosovë-Shqipëri ka një disbalancë të madhe mes eksportit dhe importit.

“Sa i përket raporteve me Shqipërinë mund të them se personalisht nuk jam i kënaqur me këto relacione tregtare për arsye se akoma ka barriera të cilat nuk po mund t’i thyejnë bizneset tona kosovare për të pasur mundësi dhe qasje në tregun shqiptarë, duke filluar prej barrierave burokratike që ekzistojnë me kufirin me Republikën e Shqipërisë, pastaj barrierat burokratike që ekzistojnë brenda territorit, monopole të caktuara dhe pengesa të tjera që u bëhen. Janë mbajtur një varg takimesh në mes të dy qeverive, janë nënshkruar një varg marrëveshjes dhe protokollesh, megjithatë, këto kanë mbetur në atë nivel të marrëveshjeve dhe nuk  po implementohen sa duhet, por shpresojmë që shumë shpejt do të kemi një përmirësim të këtij balanci…. Personalisht mendoj se gjërat kanë mbetur vetëm në nivel fjalësh”, tha Grainca.

Edhe Rrustem Berisha, anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se ka ngecje në zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve.

Ai vlerëson që më mirë do të ishte që shkëmbimi i mallrave të orientohet kah Shqipëria.

“Sa i përket shkëmbimit të mallrave me Shqipërinë, unë mendoj që ka shumë marrëveshje që janë arrit mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, por ka ngecje në zbatimin e tyre edhe është disproporcion eksporti me importin… Ndërsa, sa i përket shkëmbimit tregtarë me Serbinë, unë mendoj që shteti jonë duhet të orientohet më tepër në shkëmbimin tregtarë me Shqipërinë se sa me Serbinë, është në interes tonin. Ajo çka mendoj që duhet patjetër që të rregullohet, kemi të bëjmë me cilësinë, është tepër e rëndësishme që të ngritët vetëdija njerëzve, sepse tregu është i lirë dhe nuk mund me e ndalu mallrat por me përdorë metodën ashtu sikurse e kanë përdorë kroatët, vetëdijësimin e popullit që t’i përdorin sa më shumë prodhimet vendore se sa tjerat”, tha Berisha.

Besim Beqaj, anëtar i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, thotë për KosovaPress se këto dy vitet e fundit ka pasur efekte pozitive në marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë por që efekti do të duhej të ishte më i madh.

Ai ka thënë se në këtë aspekt është mirë që të ketë rol më të  madh edhe nga ana e odave ekonomike, shoqatave të biznesit të cilat duhet të rrisin bashkëpunimin në mes tyre në mënyrë që të ngritët besueshmëria e konsumatorëve në produktet e vendeve tona./Telegrafi/