LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Politika është kthyer në barrë edhe për fermerët, kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht

Veseli: Politika është kthyer në barrë edhe për fermerët, kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht

Importi në Kosovë është 6 herë më i madh se sa eksporti, u vlerësua të martën në konferencën “Partneriteti për Bujqësi të Qëndrueshme, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Kosovë 2017”, e cila u iniciua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ishte ndihmuar financiarisht nga Banka Botërore.

Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke prezantuar të arriturat e ministrisë që ai e drejton, foli për prioritetet kryesore të cilat përqendrohen në masat që ndihmojnë prodhimtarinë primare bujqësore, rritjen e vendeve të punës, rritjen e konkurrencës, në mënyrë që të arrihet nivel më i lartë që në të ardhmen fermerët nga Kosova të përballen edhe me konkurrencën jashtë vendit.


Krasniqi u shpreh se të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore, si dhe do të fokusohen në rritjen e buxhetit për subvencione.

Ai tha se planifikohet ndryshimi i aplikimit për grante dhe subvencione për fermerë, nga aplikimi manual në atë online, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent.

E kryekuvendari Kadri Veseli theksoi se ekonomia e posaçërisht sektori i bujqësisë duhet të jenë çështja kryesore e politikës dhe politik-bërësve në Kosovë.

Sipas tij, politika në vend se të fokusohet në ekonomi, ajo është kthyer në barrë për fermerët dhe në këtë mënyrë politika është shkëputur tërësisht nga qytetarët dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë urgjent.

Ai konsideron se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ecim asnjë hap përpara dhe se vetëm zhvillimi ekonomik sjell ndryshim për çështjet siç është papunësia.

Për të rritur eksportin Veseli tha se Kosova duhet të drejtohet drejt tregtisë së hapur.

Meqenëse kapaciteti i tregut në Kosovë është i mangët, për t’i ikur kësaj, sipas tij, në fokus duhet të jenë qytetarët dhe duhet të investohet në bizneset që bëjnë ata.

Për përkrahjen aktuale dhe të ardhme për bujqësinë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Libor Chlad tha se me marrëveshjen IBA I, janë investuar mbi 30 milionë euro për grante, ndërkaq nga marrëveshja IBA 2 e cila përfshin vitet 2014-2020, tha se janë paraparë edhe 30 milionë të tjera investime në Kosovë.

Chlad theksoi faktin se MSA krijon një mundësi të mirë për Kosovën dhe se hap tregun e Kosovës drejt atij evropian.

Ai ka përkujtuar se vitin e kaluar importet në Kosovë kanë qenë për 6 herë më të mëdha se eksportet.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, konsideroi se kontributin më të madh në Kosovë, Franca e ka dhënë në fushën e indikacioneve gjeografike.

Kjo sipas tij, ka ruajtur mjedisin dhe ka ndikuar që prodhimi të jetë më në nivel.

Ndërkaq Goran Tinjiq nga Banka Botërore, tha se investimet do t’i kenë prioritet kryesor dhe se koordinimi i donatorëve dhe i asistencës ka më së shumti efekt kur është i udhëhequr nga qeveria. /kp/