LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Nderimi dhe respekti për UÇK-në do të triumfojë mbi shpifjet dhe denigrimet

Veseli: Nderimi dhe respekti për UÇK-në do të triumfojë mbi shpifjet dhe denigrimet

Lufta për Lirinë e Kosovës, e udhëhequr nga komandanti trim Ilaz Kodra, është vlerë sublime e Kombit tonë, është vlerë e pacenueshme, që s’ka forcë që do të mund ta zhvlerësojë.

Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në Prishtinë, në 18-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra.


Në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli theksoi se pikërisht sot, në vigjilje të kësaj akademie, u ka dorëzuar shoqatave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës draftligjin, nëpërmjet të cilit Republika e Kosovës institucionalizon mbrojtjen e vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli tha se ashtu si dje Ushtria çlirimtare e Kosovës triumfoi mbi makinerinë e luftës të Serbisë, sot nderimi dhe respekti për Ushtrinë çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi shpifjet, denigrimet, mbi akuzat dhe propagandën speciale kundër saj.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenari jonë kombëtare, ndërsa mijëra djem e vajza të saj që dhanë jetën për liri, janë themeli mbi të cilin qëndron dhe do qëndrojë përgjithmonë, Republika e Kosovës”, theksoi Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit bëri të ditur se muajin që vjen, dy vajza, dy studente shembullore të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dy sesione të Parlamentit Evropian të të Rinjve, të cilat do të të flasin për Kosovën në forumin që bashkon të rinjtë nga e gjithë Evropa: Flaka, vajza e doktor Fatmir Fazliut, i cili në prillin e vitit 1999, bashkë me një grup intelektualësh nga Mitrovica u morën nga forcat serbe dhe ende sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre, dhe Krenarja, vajza e vogël e komandantit të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, heroit Ilaz Kodra.

“Këta janë të rinjtë e Kosovës: krenarë me atë që bënë baballarët e tyre për Kosovën, të gatshëm për ta çuar përpara ëndrrën evropiane të Popullit tonë”, tha kryeparlamentari Veseli./Telegrafi/