LAJMI I FUNDIT:

Veseli merr çmim për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit

Veseli merr çmim për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori çmimin për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit, nga Universiteti i Sheffield – Dega e Selanikut, në një ceremoni të organizuar sot në Prishtinë.

Para studentëve, ish-studentëve dhe drejtuesve të këtij institucioni arsimor, kryeparlamentari Veseli falënderoi Universitetin e Sheffield-it për titullin e akorduar dhe për mundësinë që u ofrohet të rinjve nga Kosova të studiojnë në bankat e këtij universiteti.

Më pas, kryetari Veseli foli për nevojën e ngritjes së kapaciteteve arsimore në Kosovë, si parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik.

Ai tha se Kosovës sot i duhet një transformim i fuqishëm ekonomik, i cili do t’i mundësonte asaj zgjidhjen e një varg problemeve që vijnë si pasojë e papunësisë.

“Si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ndihem aspak krenar që Kosova ende ballafaqohet me papunësi të madhe të rinisë së saj dhe me probleme të varfërisë”, theksoi kryetari Veseli.

Ai iu bëri thirrje të rinjve që të jenë më aktivë në fushat ku veprojnë dhe të marrin përgjegjësi për zhvillimin dhe përparimin e vendit. /Telegrafi/