LAJMI I FUNDIT:

Veseli dëgjon profesorët e bujqësisë për të ardhmen e këtij sektori

Veseli dëgjon profesorët e bujqësisë për të ardhmen e këtij sektori

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka bashkëbiseduar me profesorë të Fakultetit të Bujqësisë në Prishtinë për reformat që duhen të ndërmerren në këtë fushë.

Sipas njoftimit nga ky takim, profesorët e fushave të ndryshme të bujqësisë thanë se shteti duhet të ndihmojë në krijimin e hallkës bashkëpunuese mes fermerëve dhe institucioneve të specializuara të bujqësisë në mënyrë që prodhimet vendore të jenë sa më kualitative dhe të rriten rendimentet.


Hajrip Mehmeti, profesor i blegtorisë, tha se Kosova duhet të fokusohet në shtimin e kultivimit dhe rritjen e numrit të bagëtive.

“Duhet të bëhen skema por kërkojmë përkrahje institucionale. Duhet të bëhen skema përmirësuese që ta rrisim prodhimtarinë”, tha Mehmeti.

Profesorët e Fakultetit të Bujqësisë kërkuan që institucionet të rrisin mbështetjen në hulumtime shkencore në mënyrë që të rritet kujdesi për parandalimin e sëmundjeve në fushën e bujqësisë, në mënyrë që fermerët mos të dëmtohen me rënien e rendimenteve.

Pasi dëgjoi idetë dhe propozimet e profesorëve të Fakultetit të Bujqësisë, kryetari Veseli tha se aktualisht mungon hallka që lidhë komplet sektorin e bujqësisë, për çka tha se duhet ndërhyrje e shpejt për ta përmirësuar.

“Nuk mund të zhvillohet fakulteti i bujqësisë asnjëherë, pa e pas praktikën. Veç edhe bujqësia në Kosovë kurrë nuk do të ketë zhvillim e as Ministri të Bujqësisë pa e pas involvimin e ekspertëve”, tha Veseli. /Telegrafi/