LAJMI I FUNDIT:

Vërtetë jemi sui generis!?

Se populli i Kosovës është sui generis, tashmë nuk kam as dyshim më të vogël. Vërtetë, popull i mençur që nuk i do problemet, i urtë e i dëgjueshëm, e që shtrinë qafën ndaj pushtetit.

Ajo që ndodhi këtë muaj në Kosovë, d.m.th. faturat e larta (të fryra) të energjisë elektrike, ndodhi edhe në shtetet e rajonit, pikërisht në Bullgari. Por, në krahasim me vendin tonë që nuk pat asnjë ndëshkim për askënd, pos popullit – bile pushtetarët e drejtuesit e KEK-ut e shanin atë për shpenzim enorm të energjisë – Qeveria bullgare, duke analizuar situatën dhe duke marrë përgjegjësi për atë që populli i dha besimin, dha dorëheqje.


Me gjithë vërejtjet e qytetarëve të Kosovës, vërejtjet e ZRRE-së, e të shoqërisë civile, Arben Gjuka, drejtor i përgjithshëm i KEK-ut, me ngulm mbronte faturat e larta të energjisë dhe rregullsinë e tyre në 99.9 për qind, me të vetmin qëllim: mbrojtjen e vendit të vetë të punës apo edhe të punëtorëve të vet.

Po, duhet të mbrohet faturimi, sepse duhet mbuluar humbjet, duhet të rritet buxheti i KEK-ut dhe duhet të ndërrohen matësit elektrik, para se kompania turke të marrë në dorë elektrodistribuimin. Dhe, gjithashtu duhet të arsyetohet paga e majme e Gjukës, e cila është ndër më të mëdhatë se e shumicës së udhëheqësve të ndërmarrjeve publike.

Shikuar nga ana tjetër, si duket edhe populli nuk e kishte me njëmend atë protestë të nisur kundër faturave të fryra enorme të KEK-ut. Ata protestuan në Prishtinë, por jo edhe në qytetet tjera, krahasuar me Bullgarinë ku u quan i madh e i vogël për të protestuar ndaj këtyre padrejtësive, të kësaj “demokracie”.

Bullgaria ka një popullsi prej përafërsisht tetë milionë banorë dhe është vend i cili bashkë me Rumaninë në vitin 2007 u anëtarësuan në Bashkimin Evropian. Papunësia, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, është rreth 12 për qind në fuqinë punëtore. Të hyrat mesatare, sipas të dhënave të bashkimit evropian në Bullgari, janë rreth 550 euro, ndërsa mesatarja e pensioneve është rreth 200 EUR.

Ndërsa Kosova, edhe pse shtet i ri, por i çliruar nga viti 1999, me shumë ndihma nga shtetet më të forta të botës, mezi është duke ecur në këmbët e veta. Papunësia në Kosovë është rreth 60 për qind, duke marrë parasysh vendet rurale.

Mund të ketë edhe fshat ku nuk është i punësuar asnjë person dhe kjo do të ishte mirë që të hulumtohet dhe të hyjmë në libër rekordi e t’i themi botës: shih se për çka jemi futur aty. Paga mesatare në vitin 2011, në sektorin publik në Kosovë, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, ishte 345 euro, por këtu nuk përfshihet sektori privat ku pagat janë dukshëm më të vogla, orari i punës është nga ora gjashtë e mëngjesit e deri në alivanosje, pagat nuk merren me muaj të tërë, punëtorët e ndërtimit nuk kanë fare sigurime etj. Pensioni në Kosovë për pensionistë kontributdhënës është 112 euro në muaj, ndërsa ndihmat për pleqëri – apo pensionet e pleqërisë janë 50 euro.

Nuk e di se çka po ngjet me popullin tonë: derisa bullgarët janë pse pjesë e Bashkimit Evropian, mund të lëvizin lirshëm në tërë botën, mund të tregojnë aftësitë e tyre profesionale kudo në vendet e BE-së, nuk janë të kënaqur me politikat e vendit, e ne jemi dremitur nga një gjumë që nuk na lë të ngremë kokën. Ose, jemi dremitur nga politikat e qeverisë e të ndërmarrjeve publike që mund të na nxënë edhe frymën?!

Dhe tash shtrohet pyetja: A mundet dikush t’i paguajë faturat mujore të energjisë në vlerë prej 250 euro në Kosovë me këto të ardhura si më lartë?

Për të arritur këtë, duhet vërtetë të jesh një ekonomist-shtëpiak shumë i shkathtë dhe të matësh ushqimin me kandar në doza ditore dhe bukën e sodit ta hash për tri ditët e ardhshme, vetëm e vetëm për ta paguar rrymën. E ju, pensionistë, më mirë paguani rrymën, që ta keni më nxehtë dimrin, se pa rrymë ju del më shtrenjtë me barna.

Derisa në Bullgari populli protestoi dhe arriti që Qeveria të jetë e përgjegjshme dhe të jap përgjegjësi, te ne po ndodh e kundërta: Qeveria po riformatizohet, ministrat të cilët i kanë mbushur xhepat do të largohen, e do të vijnë tjerët me radhë që të ngjyejnë në sahanin e buxhetit të vogël të Kosovës.

Duke pasur të gjitha këto parasysh, mua më bie ndërmend poezia e famshme e Fan Nolit, “Anës lumenjve”: Dhe një zë vëngon nga lumi/ Më buçet, më zgjon nga gjumi/ Se mileti po gatitet/ Se tirani lebetitet/ Se pëlcet, kërcet furtuna/ Fryhet Vjosa, derdhet Buna/Skuqet Semani dhe Drini/ Dridhet beu dhe zengjini/ Se pas vdekjes ndriti jeta/ Dhe kudo gjëmon trumbeta: Ngrehuni dhe bjeruni/ Korini dhe shtypini/ Katundar’ e punëtorë/ Që nga Shkodra gjer në Vlorë.

Dhe, kjo porosi e Nolit, si duket duhet të jetë udhërrëfyes për popullin tonë, duke e pasur të qartë se vetëm e vetëm si popull i qytetëruar mund të futemi në Bashkimin Evropian, popull që nuk i duron padrejtësitë, popull i cili ka vlera, ka qëndrim dhe ka besim, popull që ngre zërin ndaj të këqijave që kanë kapluar Kosovën dhe nuk duron pushtet-shtet ku nuk ka sundim të ligjit.

Këta “tiranët”, të cilët rrahin policin, shajnë popullin e deputetët, fyejnë nënat tona, fyejnë baballarët tanë, duhet ndëshkuar me votë gjithsesi. Por, opsion duhet të jenë edhe mjetet tjera demokratike dhe shembulli i Bullgarisë është një prej tyre.

Populli i Kosovës është sui generis, për faktin se nuk njehë mes, ose është shumë i butë dhe shtrinë qafën, ose kalon në ekstrem, e atëherë vaj halli për ata “tiranë”, që siç thuhet në Ferizaj: na hëngrën “shpyrtin”.