LAJMI I FUNDIT:

“Më vdektë djali, që të dalë nusja”: Ramiz Kelmendi flet për zgjedhjet e parakohshme dhe ndikimin e tyre në ekonomi

“Më vdektë djali, që të dalë nusja”: Ramiz Kelmendi flet për zgjedhjet e parakohshme dhe ndikimin e tyre në ekonomi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, përmes një shkrimi autorial ka paralajmëruar se investitorët e jashtëm dhe të brendshëm sikur edhe institucionet financiare të brendshme dhe të jashtme, gjithnjë alarmohen kur kemi ndryshime qeverisëse të parakohshme dhe të rregullta.

Sipas tij, paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme ngacmojnë sigurinë e investitorëve dhe institucioneve financiare, me pritjen se çka do bëhet me investimet e kaluara dhe a vlen të financohet në projektet e reja deri sa të kalojnë zgjedhjet.

Dhe kjo sipas Kelmendit do kohë minimum 3 deri në 6 muaj.

“Nëse është politikë kontinuale vazhdohet me investime dhe financime, nëse është politikë e ndryshuar atëherë është kohë e pritjes për të parë se nga po shkohet me politikë ekonomike dhe kjo pritje ka vazhdimësi mbi 12 muaj”, ka shkruar ndër tjerash Kelmendi.

Ai duke përmendur të arriturat e fundit në Kosovë ka thënë se ato kanë bërë që liderët politikë të nxitohen e të minimizojnë punën edhe të përbashkët e edhe në opozitë, dhe shpesh në publik minimizohen me atë parimin (me vdektë djali, që të dal nusja).

Më poshtë e keni shkrimin e plotë të zëvendëskryeministrit Kelmendi:

Investitorët e jashtëm dhe të brendshëm sikur edhe institucionet financiare të brendshme dhe të jashtme, gjithnjë alarmohen kur kemi ndryshime qeverisëse të parakohshme dhe të rregullta.

Pse ndodhë kjo? Ne gjithnjë dëgjojmë fushata paraelektorale të liderëve të cilët me kauzat e tyre tentojnë të ndërtojnë bindjen për të ardhmen e qytetarëve.

Disa liderë ofrojnë ndryshime rrënjësore politike dhe ekonomike që në themel ngacmojnë sigurinë e investitorëve dhe institucioneve financiare, me pritjen se çka do bëhet me investimet e kaluara dhe a vlen të financohet në projektet e reja deri sa të kalojnë zgjedhjet dhe kjo kohë është minimum 3 deri në 6 muaj. Nëse është politikë kontinuale vazhdohet me investime dhe financime, nëse është politikë e ndryshuar atëherë është kohë e pritjes për të parë se nga po shkohet me politikë ekonomike dhe kjo pritje ka vazhdimësi mbi 12 muaj.

Kur shohim premtimet paraelektorale të liderëve për këtë ekonomi apo atë ekonomi duke dashur që detyrimishtë të ndërrohet kahja e investimeve edhe këtu shumë investitorë dhe financues,presin që çka do të ndodhë me investimet e tyre në të kaluarën, do kemi hakmarrje politike, apo do kemi detyrime politike për të financuar ekonomitë e detyruara.

Kur shohim liderët duke premtuar se ekonomia e tregut është ekonomi e dëmshme për Kosovën dhe duhet të bëhen ligje që të ndryshojnë këtë kahje, atëherë ekziston dyshimi se një ditë do të detyrohen edhe institucionet financiare të financojnë detyrimisht ekonomitë joprofitabile.

Kur shohim disa liderë që kanë synim barazimin e bizneseve duke i sanksionuar bizneset e suksesshme dhe të mëdha për t’i ndalur në mënyrë që disa biznese të rriten, (të rriten me termin politik e jo ekonomik), vërejmë se kjo metodë si e tillë është e kaluar e e cila në masë të madhe frikëson investitorët për të ardhmen e tyre.

Duke e ditur se 85 % të ekonomisë së vendit si në investime dhe punësime e realizojnë investitorët e brendshëm dhe duke e ditur se përkatësia politike e tyre është e drejtë kushtetuese dhe çdo ndryshim politik i krijuar nga zgjedhjet e shpejta ua forcon bindjen atyre – se për të qenë i suksesshëm, duhet të jesh pjesë e politikave aktuale dhe të atyre politikave që kanë në dorë spektrin hetues, prokurorial dhe gjyqësor.

Nga kjo faktojmë edhe se për të pasur ekonomi të lirë dhe të suksesshme duhet të liberalizohet tregu nga ndikimi politik.

Kjo sepse ndikimi politik është formë e korrupsionit për të cilën ne figurojmë në faqet e para të listës botërore.

Për të zbritur nga këto faqe nevojitet liberalizimi dhe liria e veprimit ekonomik si dhe liri veprimi jo e kushtëzuar me ndryshime zgjedhore.

Thirrjet e shpeshta se vendit nuk i duhet më pompa, markete, restorante etj, janë thirrje për të diskriminuar ekonominë e tregut të lirë dhe detyrimi i atyre që kanë këto veprimtari të orientohen politikisht që të mundë tu mbijetojnë ndryshimeve politike.

‘Pakoja fiskale 1’ ishte pakoja e parë e qeverisë Mustafa që realizojë premtimin elektoral për zgjedhjen e kërkesave të kahmotshme të bizneseve në Republikën e Kosovës.

Kjo pako ka rezultuar me lirimin e taksave në makineri prodhuese (dogana 10 % dhe tvsh 18 %) që e shprehur në shumë është rreth 30 %, pra taksimi i këtyre makinerive deri ne vitin 2016 ishte rreth 30 %, ndërsa në shtetet e CEFTA dhe shtetet e EU ishte 0%.

Pra një qeverisje e kaluar që nuk i ka marrë parasysh fare kërkesat e prodhuesve vendorë sa është e vështire për një investitorë që të konkurrojë në tregun e hapur me taksa në makineri.

Pagesa e doganës dhe TVSH në repromaterjale pas përfundimit të procesit prodhues, që u realizua me pakon fiskale 1, e që në të kaluarën taksat në këto repromaterjale dhe ambalazhime ishin rreth 30 %, të cilat në tërësi kishin obligim pagese, pra edhe këtu është një pabarazi në raport me shtetet e CEFTA dhe të EU-së,(tek ata këto taksa ishin më të ulëta dhe paguhen tek pas shitjes se fundit).

Sundimi i ligjit dhe dëmet që ka sjellur prolongimi apo moszgjedhja e kontesteve ekonomike e ne veçanti mes kreditorëve dhe kredimarrësve, ishte një shqetësim tjetër. Këtu norma e interesit ishte nga 12% për ekonomitë e mëdha deri në 30 % në bujqësi, norma të larta këto meqë në shtetet e rajonit ishin nga 5% deri ne 8 %. Këto norma në vitin 2015 arritën të zvogëlohen për shkak të menaxhimit qeverisës më të pa korruptuar, në normën e interesit nga 5.5 % në industri në 10 % në sektorin e bujqësisë, por sikurse këtu edhe më tej të avansohej sundimi i ligjit dhe zgjedhja e kontesteve me afat të shkurtuar kohor, norma e interesit do ishte nga 4.0 % industri deri në 6.5 % në bujqësi, (kjo normë në shtetet e CEFTA është nga 2.5 % deri ne 4.5 %). Pra të gjitha këto të dhëna janë tregues se politikat qeverisëse në të kaluarën ishin të disfavorshme për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë.

Vazhdimësi e suksesit sot është ‘Pakoja fiskale 2’. Kjo pako është pakoja e Rilindjes ekonomike të prodhuesve dhe mundësi që norma e rritjes ekonomike të dyfishohet. Përse tatimet në repromateriale dhe ambalazhime që kanë ngarkuar procesin prodhues janë 10 % taksa doganore, që e përkthyer në produkte do të thotë se produkti i prodhuar në Kosovë është më i shtrenjtë prej 5% deri në 12 % se sa produkti i njëjtë i prodhuar në Serbi, Maqedoni, Mal të zi, EU, por që shitet në Kosovë, (a është në rregull që produkti i prodhuar në Serbi me komponentë të njëjta me atë të Kosovës të jetë më i lirë në Kosovë ? Nuk ishte dashur por ja se qenka). A është kjo e dëmshme për prodhuesin e Kosovës ? Normal që është.

Për 17 vite të tëra kjo i është ngarkuar procesit prodhues në Kosovë. Ku ishin ekspertët e qeverisjeve të kaluara ? Kjo tani rezulton me këto bonitete; rritja e konkurueshmërisë, rritja e kualitetit, rendimentit, zvogëlimi i çmimit dhe rritja e normës së profitit dhe akumulimit financiar, pastaj rritja e pagesës së punëtorëve si dhe konkurueshmëria në tregjet e treta. Kjo pakujdesi apo padijeni profesionale politike shpesh i është atribuuar, kualitetit të keq, konsumimit të dobët qytetarë, konkurrencës jo të denjë, prodhues jo profesional, pra atribute që nuk janë të duhurat për prodhimin vendor.

Kjo pako, ‘Pako Fiskale 2’, eliminon barrierën e fundit të barazimit të prodhuesve kosovarë me prodhuesit e rajonit. Kjo pako mundëson prezantimin real të aftësive të afaristëve tanë. Si e tillë kjo pako, prekë në parim mbi 100 mijë produkte dhe këtu përfundon edhe obligimi kushtetues që ka Qeveria e Republikës së Kosovës për ekonominë e tregut. Në këtë pako parashihet që edhe prodhimet e prodhuara në SHBA të lirohen nga taksa doganore prej 10 % e cila e bënë këtë shtet mik, të barabartë me shtetet e CEFTA dhe shton shkëmbimin tregtarë mes Kosovës dhe SHBA-ve në dëm të shkëmbimit tregtarë me Amerikën latine dhe Serbinë.

‘Pakoja 2’ është baza e fortë që marrëveshja e CEFTA të anulohet, sepse me MSA-në ne kemi arritur qëllimin e rritjes së bashkëpunimit me shtetet e EU-së në dëm të shteteve të rajonit me qëndrim jo miqësorë ndaj nesh dhe këtu kemi mundësi më pas të bartim marrëveshjen me shtetet e rajonit për ato prodhime të cilat nuk e dëmtojnë procesin zhvillimor të Kosovës deri në momentin që ndryshojnë qëndrimet politike, që thërrasin moskonsum të produkteve të Kosovës.

Prandaj kur shohim këto të arritura në procesin ekonomik, kjo i bënë liderët politik që të nxitohen e të minimizojnë punën edhe të përbashkët e edhe në opozitë, dhe shpesh në publik minimizohen me atë parimin (me vdektë djali, që të dal nusja).

Duke e ditur se procesin prodhues e ka dëmtuar dhe e dëmton gjithnjë politika fiskale dhe politikat ekonomike të orientuara politikisht për të dëmtuar sektorë që nuk janë në vijë me liderë të caktuar politik, me këtë duhet të tregohet se qeveria e Republikës së Kosovës ka për synim liberalizimin edhe më të madh të tregut, liberalizimin e shfrytëzimit të resurseve natyrore, liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave dhe liberalizimin e investuesve dhe financuesve të jashtëm dhe të brendshëm.

Të kujtojmë se mbi 85 % të investimeve dhe punësimeve i bëjnë investitorët vendor. Kjo edhe tregon se përkushtimi i Qeverisë është në këtë përpjestim. Në të kundërtën dëshira për të minimizuar këtë fakt dhe për të mbifuqizuar faktin se duhet investitorë të jashtëm, sjellë dëme për vendin.

Ne duhet ta vazhdojmë në këtë sferë një mes të artë e që është ai kur të dy palët (të brendshëm dhe të jashtëm) e bëjnë tërësinë e duhur, me treg të hapur dhe liberal që mundëson këtë finansim dhe investim të gjerë.

Ndryshe, sa herë bëhen zgjedhje të parakohshme edhe investitorët edhe investuesit bëjnë hapin e ngecjes deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe njoftimin se cila parti është fituese që pastaj rezulton me tregun e ngecur në varësi se kush është fitues i votave, socialist a komunist apo demokrat a liberal.